U mbajt forumi shkencor me temën "Programet e studimit të doktoraturës në fizikë e kimi; vlerësime e mendime për të ardhmen"
Veprimtaria u zhvillua në datën 5 qershor 2025 dhe u organizua nga Komisioni i fizikës e kimisë, pjesë e Akademisë së Shkencave, në kuadër të procesit të shqyrtimit dhe vlerësimit të kërkesave për të aplikuar në studimet pasuniversitare, cikli i tretë (shkollat e doktoraturës), në drejtimet përkatëse të departamenteve të fizikës, kimisë, kimisë industriale (FSHN, UT) dhe inxhinierisë fizike (FIMIF, UP).
Në mbledhje ishin të pranishëm kryetari i Seksionit të shkencave natyrore e teknike akad. Neki Frashëri, kryetari i Komisionit akad. emeritus Floran Vila, akademikë, profesorë, anëtarë të komisionit drejtues e koordinatorë departamentesh dhe doktorantë.
Forumin e hapi akad. emeritus Floran Vila. Pasi falënderoi pjesëmarrësit, ai theksoi se organizimi i këtij forumi për ciklin e tretë të studimit universitar është në përputhje me ligjin dhe statusin e ASHSH-së, e cila ka për detyrë: vlerësimin e punës shkencore dhe etikës në shkencë; mbështetjen e programeve të studimit apo kërkimit; bashkëpunimin me institucionet e vendit me kapacitet kërkimi, si institucionet e arsimit të lartë, institutet dhe qendrat e kërkimit, me qëllim që të koordinohet kërkimi shkencor dhe të përgatiten kërkuesit e rinj. Në zbërthim të këtij ligji dhe statusit të ASHSH-së, kryesia e Akademisë së Shkencave ka përcaktuar si fokus të bashkëpunimit në vlerësimin e nivelit dhe të cilësisë së transmetimit të shkencës në shkollimin universitar organizimin e programeve të ciklit të dytë e të tretë.
Seanca e këtij forumi nisi me punimin e prof. asoc. Dhurata Premti e prof. dr. Spiro Drushku, të cilët trajtuan informacionet aktuale lidhur me standardet, arritjet dhe problematikat potenciale të kërkimeve shkencore në studimet e doktoratës.
Më pas, prof. dr. Ilirjana Boçi, prof. asoc. Gerti Xhixha, prof. as. Altin Gjevori, prof. asoc. Anila Dhroso trajtuan përvojat aktuale të departamenteve për metodologjinë e vlerësimit të aplikantëve në programet e doktoraturës në fizikë, kimi, prodhim industrial e inxhinieri dhe inxhinieri fizike.
Prof. dr. Rozana Troja paraqiti një këndvështrim për të kaluarën e përzgjedhjes dhe vlerësimit të kandidatëve për doktoraturë dhe ofroi qasje të ndryshme pozitive, kontribuuese edhe për të ardhmen.
Prof. dr. Luljeta Pinguli, prof. dr. Ilirjana Boci, msc. Megi Çaushi, msc. P. Drazho ofruan përvojat e doktorantëve në proces dhe udhëheqësve përkatës për të promovuar arritjet dhe për të propozuar zgjidhje për problematikat e evidentuara.
Prof. dr. Margarita Ifti, prof. dr. Altin Mele, prof. dr. Arjan Korpa paraqitën punimin “Shkollimi i doktoratës në BE, strukturat dhe modelet e reja”.
Akad. emeritus Floran Vila paraqiti një punim për doktoraturat e përbashkëta ndërkombëtare.
Prof. dr. Partizan Malkaj paraqiti punimin me temën “Njohja me eksperiencat individuale të doktoraturave jashtë vendit, në BE dhe në vende të tjera.
Në fund u zgjodh një komision që do të bëjë përmbledhjen e të gjitha propozimeve dhe problematikave të trajtuara.