U organizua simpoziumi “Shkenca e hapur”
Më 20 mars 2025, Komisioni i biologjisë, bujqësisë dhe veterinarisë dhe Qendra Kërkimore e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, organizuan në Fakultetin e Shkencave të Natyrës simpoziumin “Shkenca e hapur”.
Veprimtaria u zhvillua me pjesëmarrjen e kryetarit të Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike, pjesë e ASHSH-së, akad. Neki Frashëri, organizatorëve të kësaj veprimtarie: akad. Ilia Mikerezi, prof. Valbona Aliko, prof . Anila Mitre, prof. asoc. Ani Bajrami, prof. asoc. Blerina Vrenozi, si dhe kërkuesve të departamentit të biologjisë dhe Qendrës Kërkimore të Florës dhe Faunës (FSHN), pedagogëve, studentëve, mësuesve dhe nxënësve të disa shkollave të mesme të Tiranës.
Qëllimi i këtij simpoziumi ishte nxitja e mëtejshme e përgatitjes së brezave të ardhshëm në përputhje me nevojat e kërkimit shkencor.
Akad. Ilia Mikerezi në fjalën e tij përshëndetëse i njohu të pranishmit me rekomandimet e UNESCO-s mbi shkencën e hapur, të cilat përbëjnë një standard ndërkombëtar në përcaktimin e instrumenteve kryesorë, me synimin kërkimi shkencor të jetë i pranueshëm për çdo njeri në të gjitha fushat, në të mirën jo vetëm të shkencëtarëve, por të të gjithë shoqërisë. Shkenca e hapur synon gjithashtu që produktet e diturisë së përftuar nga kërkimi shkencor të jenë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Një botë e hapur dhe e ndërthurur në një pafundësi mënyrash ka nevojë që përmes shkencës së hapur të arrijë të përballojë sfidat e ndërlikuara sociale, mjedisore dhe ekonomike për mbërritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm.

Përmes prezantimit të kërkimeve bashkëkohore dhe sfidave reale doli në pah rëndësia e biologjisë, zhvillimet aktuale në këtë shkencë dhe ndikimi i saj në jetën e përditshme, që nis që nga shëndeti mendor (neuroshkenca) deri tek ADN-ja edhe etika shkencore.
Prof. Anila Mitre paraqiti një studim për shëndetin mendor dhe ekuilibrin biologjik në ndërveprimin e mjedisit.
Prof. Valbona Aliko paraqiti një studim që zbulon fuqinë e muzikës në zhvillimin e trurit.
Prof. asoc. Ani Bajrami referoi një temë për ruajtjen dhe promovimin e diversitetit biokulturor vendas.

Prof. asoc. Blerina Vrenozi paraqiti studimin me temë “Merimangat helmuese: Miq apo armiq?”, sipas një vështrimi ekologjik mbi llojet helmuese të merimangave dhe ndikimin e tyre në shëndetin publik.
Prof. asoc. Eliana Ibrahimi paraqiti studimin “Nga algoritmet tek zbulimet: Si biologjia komputacionale dhe shkenca e hapur po transformojnë shkencat e jetës”.
Dr. Fundime Miri paraqiti studimin për praktikat e shkencës së qytetarit në monitorimin e biodiversitetit dhe rëndësinë e tyre në gjenerimin e të dhënave në shkallë të gjerë.
Dr. Ariol Rama paraqiti studimin për barcodimin gjenetik, lidhur me teknologjitë moderne për të zbuluar dhe mbrojtur biodiversitetin.
Dr. Odeta Vava paraqiti punimin “Etika dhe biologjia: Përballje me dilemat morale të shkencës moderne”, lidhur me përgjegjësitë e shkencës dhe shkencëtarëve në një botë në zhvillim.
Me studentët u diskutua për krijimin e urave të bashkëpunimit midis shkollës dhe universitetit duke e bërë shkencën më të arritshme, frymëzuese dhe pjesë të kulturës dhe edukimit për të gjithë.
Në fund u shpërndanë materialet informuese dhe u zhvilluan vizita në laboratorët shkencorë të departamentit të biologjisë për të parë nga afër punën kërkimore shkencore.