U zhvillua workshop-i shkencor me temën “Aktivizimi i potencialit shqiptar për të formësuar të ardhmen e ujit”
Më 12 mars 2025 Njësia e burimeve ujore, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dhe Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU), në kuadër të Ditës Botërore të Ujit organizuan workshop-in shkencor me temën “Aktivizimi i potencialit shqiptar për të formësuar të ardhmen e ujit”.
Kjo veprimtari u zhvillua me pjesëmarrjen e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi; sekretares shkencore akad. Anila Hoda; anëtarëve të tjerë të kryesisë së ASHSH-së; drejtores së Përgjithshme të Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU); përfaqësuesve nga delegacioni i BE-së në Shqipëri, si dhe përfaqësuesve nga zyra rajonale e koordinimit për bashkëpunim teknik, ADA.
Workshop-i shkencor mblodhi së bashku kërkues shqiptarë dhe të huaj të fushës, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe agjencive politikëbërëse dhe zbatuese të lidhura ngushtë me çështjet e ujit, staf akademik të IAL-ve të ndryshme shqiptare, ekspertë, vendimmarrës dhe profesionistë të rinj, me synimin që të prezantojnë kërkimet shkencore dhe të nxisin dialogun shkencor dhe institucional mbi sfidat dhe perspektivat e menaxhimit të qëndrueshëm të ujërave në Shqipëri, në përputhje me direktivën kuadër të BE-së për ujin (DKU).
Sesionin e çeli sekretarja shkencore e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Anila Hoda. Ajo foli për rolin jetik të ujit në zhvillimin ekonomik, stabilitetin social dhe ekuilibrin mjedisor.
Më tej, akad. Hoda nënvizoi angazhimin e Akademisë së Shkencave për të ndërlidhur shkencën dhe vendimmarrjen përmes kërkimit, bashkëpunimit dhe zhvillimit të kapaciteteve, veçanërisht për profesionistët e rinj. Një hap kyç në këtë drejtim është marrëveshja e saponënshkruar midis Akademisë së Shkencave dhe Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore (AMBU), e cila synon të integrojë ekspertizën shkencore në qeverisjen kombëtare të ujërave dhe të forcojë bashkëpunimin institucional.
Takimin e përshëndetën gjithashtu znj. Anila Shehu, drejtore e AMBU-së; z. Jean-Noel Gangloff, oficer programi (Uji, Ekonomia Qarkulluese dhe Mbrojtja Civile), delegacioni i BE-së në Shqipëri, dhe David Muckenhuber, shef i Zyrës Rajonale të Koordinimit për Bashkëpunimin Teknik, Ambasada Austriake, Tiranë.
Referimet u përqendruan në sfidat globale dhe lokale të menaxhimit të ujit, ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe zbatimin e direktivës kuadër të BE-së për ujin.
Prof. Gunter Langergraber (Universiteti BOKU & President, IWA Austria) mbajti një kumtesë mbi perspektivat globale të menaxhimit të qëndrueshëm të ujit.
Prof. Spase Shumka (Universiteti Bujqësor i Tiranës) në kumtesën e tij trajtoi çështjen e ruajtjes së liqeneve të vegjël akullnajorë në Shqipëri.
Xhemi Jaupaj (Universiteti BOKU &amp) dhe Esmeralda Halo (AMBU) paraqitën studimin për kërkesat e ligjit të ri për ujin dhe nevojën për specialistë të rinj në sektor.
Prof. Ifigenia Kagalou (Universiteti i Thrakës, Greqi) mbajti një ligjëratë për përvojën greke në zbatimin e direktivës kuadër të BE-së për ujin dhe rolin e shkencës në këtë proces.
Dr. Roza Allabashi (Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Njësia e burimeve ujore) paraqiti studimin për rolin e shkencës në transformimin e sektorit të ujit në Shqipëri.
Diskutimet për çështjet e trajtuara në punimet e paraqitura u moderuan nga Alba Zhori (Projekti EU4Rivers) dhe Xhemi Jaupaj (AMBU).
Gjatë këtyre diskutimeve theksi u vu në përfshirjen e shkencëtarëve të rinj në zhvillimin e politikave për menaxhimin e ujit. Pjesëmarrësit ndanë mendimet e tyre mbi një numër çështjesh në lidhje me rrugët, aftësitë dhe njohuritë interdisiplinore të nevojshme për përfshirjen e profesionistëve të rinj në sektorin e ujit.
U diskutua më tej nevoja për politika të qëndrueshme, roli i shkencës dhe inovacionit në zbatimin e DKU-së, si dhe rëndësia e përfshirjes së profesionistëve të rinj në këtë proces.
Takimi u mbyll me konkluzionet përfundimtare të përfaqësuesve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të AMBU-së, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm midis shkencës, politikës dhe praktikës për të arritur një menaxhim të qëndrueshëm të ujërave në Shqipëri.