U zhvillua takimi me kryeredaktorët e revistave të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Më 10 mars 2025 u zhvillua takimi i punës me kryeredaktorët e revistave të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Takimi u drejtua nga Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi.
Morën pjesë: akad. Anila Hodo, sekretare shkencore e ASHSH-së; akad. Neki Frashëri, kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike dhe kryeredaktor i revistës “JNTS”; akad. asoc. Gëzim Hoxha, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe kryeredaktor i revistës “Studia Albanica”; akad. Adem Bunguri, drejtor i Institutit të Arkeologjisë dhe kryeredaktor i revistës “Iliria”; akad. Valter Memisha, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë dhe kryeredaktor i revistës “Studime filologjike”; prof. dr. Hamit Kaba, drejtor i Institutit të Historisë dhe kryeredaktor i revistës “Studime historike”; akad. Marenglen Verli, kryeredaktor i revistës “Albanian studies”; prof. dr. Anila Omari; prof. asoc. dr. Gjon Boriçi, dr. Albana Velianj, përgjegjëse e bibliotekës së ASHSH-së; dr. Mikaela Minga, kryeredaktore e revistës “Antropologjia”, Mirlona Buzo, drejtore e QKIPSH-së; dr. Jonida Gashi, kryeredaktore e revistës “Studime për artin”.
Qëllimi i takimit ishte vijimi i punës dhe marrja e masave për standardizimin dhe indeksimin e të gjitha revistave shkencore të Akademisë së Shkencave në platformat më të njohura ndërkombëtare.

Takimi nisi me parashtrimin e çështjeve për diskutim sipas rendit të mbledhjes. Në fjalën e tij, kryetari akad. Gjinushi theksoi se duhen ndërmarrë hapa për t’i përfshirë të gjitha revistat në një platformë të përbashkët online të ASHSH-së, realizimi i procedurave për të pajisur të gjithë periodikët me eISSN dhe me logon përkatëse të ASHSH-së. Ai u ndal në përpjekjet që duhen bërë nga kryeredaktorët dhe bordet editoriale për përmirësimin dhe rritjen e standardeve e cilësisë së materialeve shkencore që do të botohen në revistat e ASHSH-së. Domosdoshmërinë për të zhvilluar politika më të mira editoriale dhe rishikim të anëtarëve të bordeve editoriale të revistave.
Ndër çështjet e parashtruara për diskutim ishte përcaktimi dhe respektimi i periodicitetit në botimin e revistave, përfshirja e sa më shumë autorëve të huaj dhe të diasporës për të publikuar artikuj në revistat e ASHSH-së, si dhe një politikë konkurruese dhe hapëse.
Kryetari i Akademisë së Shkencave u la detyrë kryeredaktorëve për nxitjen e vazhdueshme të studiuesve që të botojnë rezultatet e kërkimeve shkencore në revistat e ASHSH-së dhe të bëhet menjëherë përcaktimi korrekt i adresës së autorëve. U theksua se korrektësia e adresës së autorëve duhet të zbatohet në të gjitha botimet e revistave të ASHSH-së: “Studime historike”, “Albanian studies”, “Studime për artin”, “Studia Albanica”, “Candavia”, “Iliria”, “Antropologjia”, “JNTS”, “Studime filologjike”, përfshirë dhe ato jashtë revistave të ASHSH-së.

Në fjalën e saj, sekretarja shkencore akad. Anila Hoda trajtoi çështjen e përditësimit të rregullave të botimit në revistat e ASHSH-së. Bazuar në standardet e revistave më prestigjioze, ajo dha udhëzimet konkrete mbi udhërrëfyesit për publikim për autorët, marrjen e masave për evitimin e konfliktit të interesit, formular standard për punën e recensentëve dhe për krijimin e një modeli tip për artikujt shkencorë, që do të ndiqen hap pas hapi për botimin e artikujve në revistat shkencore.
Në fund të diskutimeve dhe detyrat e lëna për zgjidhje u vendos krijimi i grupit të punës, i përbërë nga akad. Anila Hoda, sekretare shkencore e Akademisë së Shkencave; akad. Neki Frashëri, dr. Mikaela Minga, dr. Jonida Gashi, prof. asoc. dr Gjon Boriçi, Mirlona Buzo dhe Marsela Meta.