U zhvillua mbledhja e Komisionit të përhershëm të arkeologjisë për vlerësimin e raportit vjetor të Institutit të Arkeologjisë
Më 25 shkurt 2024, Komisioni i përhershëm i arkeologjisë, pjesë e Akademisë së Shkencave, u mblodh për të diskutuar për veprimtarinë vjetore të Institutit të Arkeologjisë dhe propozimet në lidhje me planin e projekteve të vitit 2025 bazuar në raportin e paraqitur nga drejtori i tij, prof. Adem Bunguri.
Kjo është mbledhja e dytë e Komisionit të përhershëm të arkeologjisë, që bëhet në zbatim të statutit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe kërkesës nga Kryesia e ASHSH-së.
Mbledhja u drejtua nga kryetari i Komisionit të përhershëm të arkeologjisë prof. dr. Neritan Ceka.
Morën pjesë anëtarët e këtij komisioni: akad. Gëzim Hoxha, akad. Adem Bunguri; Ols Lafe; Shafi Gashi (online); Marin Haxhimihali; Aleksandër Dhima; Arben Hajdari (online); Era Xhaferi; Skënder Muçaj; Klesta Qirici, Ilir Gjipali, Kriledian Çipa (online).
Prof. dr. Ceka theksoi se nga shqyrtimi i raportit të veprimtarisë së Institutit të Arkeologjisë për vitin 2024 është bërë një punë e organizuar, profesionale, cilësore, e cila është reflektuar në rezultatet pozitive në zbatimin e projekteve nga punonjës me kualifikim të mirë shkencor, e cila ka rezultuar në publikime të materialeve shkencore.
Si përfundim, janë realizuar 28 projekte arkeologjike, 15 prej të cilëve në bashkëpunim me universitete europiane, dhe 10 projekte kombëtare. Gjatë periudhës së bashkimit me ASHSH-në është rivendosur autoriteti i Institutit të Arkeologjisë, duke anuluar marrëveshjen e arritur në vitin 2021 me AADF-në për Butrintin, që miratonte konfiskimin prej saj të aseteve të Institutit në Butrint. U konceptua rishtas marrëveshja e re që mbron interesat e IA-së në Bylis. Të dyja draftmarrëveshjet janë prej kohe në dispozicion të Akademisë së Shkencave për të vazhduar procedurat.
Veprimtaria shkencore e Institutit është zhvilluar në këto drejtime: projektet arkeologjike në terren (projekte në vijim, sipas listës së vitit 2024); projektet studimore në vijim; u krijuan bordet editoriale të revistave “Iliria” dhe “Candavia” dhe po vazhdon puna për dërgimin e tyre në print; studimet monografike; organizimi i konferencës shkencore “Viti arkeologjik 2024”; konferencë shkencore ndërkombëtare me rastin e 100-vjetorit të fillimit të gërmimeve në Apoloni. Gjithashtu, u miratua nga grupi i punës strategjia e kërkimit arkeologjik për vitet 2025-2035.
Gjatë vitit 2024 Instituti i Arkeologjisë ka pasur 78 pjesëmarrje në konferencat ndërkombëtare, 45 prej tyre jashtë vendit dhe 33 brenda vendit. Ndërkohë, ka bashkëpunuar me École Normale Supérieure (ENS) dhe Universitetin e Bolonjës për të organizuar disa veprimtari, të cilat do të kulmojnë me një konferencë shkencore ndërkombëtare në fund të vitit 2025.
Veprimtaria shkencore është konkretizuar përmes botimit të katër monografive gjatë vitit 2024, që përbëjnë mbi 2000 faqe dhe janë prodhim i një pune disavjeçare: “Sovjan” (G. Touchais, P. Lera, C. Oberweiler); “Përkrenaret ilire” (A. Bunguri); Bylisi (O. Ceka); “Durrësi mesjetar” (E. Shehi); si dhe 77 artikuj shkencorë: 25 artikuj shkencorë nga prehistoria, 27 nga antikiteti ilir, 25 nga antikiteti i vonë dhe mesjeta.
Në këtë takim u vlerësua puna me ekspeditat dhe gërmimet arkeologjike dhe u diskutuan problemet me projektet e mëdha me perspektivë shumëvjeçare (Butrinti, Finiqi, Bylisi), me synimin për të rritur prodhimin shkencor.
Gjatë vitit 2024 u shtruan për zgjidhje edhe problemet e Durrësit, sipas një marrëveshjeje të nënshkruar me Ministrinë e Kulturës, ndërkohë që Muzeu Arkeologjik i Durrësit është në rikonstruksion dhe arkeologët janë pa zyra.
Në mbledhje u diskutua edhe për disa ndryshime të nevojshme strukturore dhe ligjore, që lidhen kryesisht me riformulimin e këshillit shkencor, krijimin e një departamenti të Muzeut, Arkivit dhe Konservimit, regjistrimin e Muzeut Arkeologjik Sha, sipas propozimit të bërë nga grupi i punës, në mënyrë që të gjenerohen të ardhura nga biletat dhe shërbimet e tjera që mund të ofrojë IA-ja nëpërmjet tij, si: krijimi i laboratorit të restaurimit të objekteve arkeologjike, rivlerësimi i statusit juridik të studiueseve të IA-së, që qëndrojnë për periudha të gjata kohore jashtë vendit, por realizojnë projektet dhe angazhimet e tyre shkencore etj. Gjithashtu, pati vërejtje për financimin e pamjaftueshëm, kushtet e punës dhe për drejtimin e doktoraturave etj.
Në fund, u diskutua që punimet e financuara nga Akademia e Shkencave duhen botuar në revistën “Iliria” që të futet në Scopus.