Ndahet nga jeta akademik Minir Dushi, një figurë e shquar e shkencës dhe arsimit në Kosovë dhe në hapësirën mbarëshqiptare
Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës
I nderuar akad. Mehmet Kraja, të dashur kolegë,
Me dhimbje të thellë Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë përcjell ngushëllimet për ndarjen nga jeta të akademik Minir Dushit, një figure madhore e shkencës dhe arsimit në Kosovë dhe në hapësirën mbarëshqiptare.
Akademik Minir Dushi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e xehetarisë dhe metalurgjisë, si dhe ka luajtur një rol kyç në themelimin dhe drejtimin e institucioneve të rëndësishme shkencore dhe arsimore në Kosovë.
Trashëgimia e tij akademike mbetet një pasuri e çmuar për brezat e ardhshëm, ndërsa veprat dhe përkushtimi i tij ndaj arsimit kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, duke ndihmuar në vendosjen e themeleve për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit dhe kërkimit shkencor në vend. Roli i tij në themelimin dhe forcimin e Universitetit të Prishtinës përbën një tjetër arritje madhore që do të kujtohet ngahera. Si zëvendësrektor i parë dhe më pas rektor i këtij institucioni, ai e drejtoi atë me vizion dhe përkushtim, duke kontribuar në ngritjen e standardeve akademike dhe në edukimin e një brezi të ri shkencëtarësh dhe profesionistësh të talentuar.
Në këtë moment pikëllimi, ne bashkëndajmë me ju dhe familjen e Tij dhimbjen për këtë humbje pa kthim. Kujtimi dhe vepra e akademik Minir Dushit do të mbeten gjithmonë frymëzim për të gjithë ata që i shërbejnë dijes e përparimit shkencor. Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Tiranë,
Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Tiranë, 27 Janar 2025