Sot është 155-vjetori i themelimit të Akademisë së Shkencave të Bullgarisë

Delegacioni i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetari i saj akad. Skënder Gjinushi, dhe i përbërë nga akad. Vasil S. Tole, zëvendëskryetar dhe prof. Hamit Kaba drejtori i Institutit të Historisë, morën pjesë në ceremoninë festive kushtuar 155- vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Bullgarisë.
Në këtë ceremoni, Kryetari i ASHSH akad. Skënder Gjinushi, në emër të Kryesisë dhe Asamblesë, i shprehu urimet më të përzemërta Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Bullgarisë akad. Julian Revalsky-t.
Në fjalën e tij, Kryetari akad. Gjinushi u ndal tek bashkëpunimi i shkëlqyer që ekziston mes dy akademive dhe se theksoi se kjo marrëdhënie do të vijojë me bashkëpunime të mëtejshme në të ardhmen. Ai theksoi se tradita e do që festimet jubilare të bëhen bashkë me miqtë dhe se kjo është një ditë e rëndësishme dhe për ne, ku krahas urimeve të sinqerta gjejmë rastin të pohojmë dhe përkushtimin tonë për thellimin e bashkëpunimit mes institucioneve tona.
Aktivitetet festive do të vijojnë në Teatrin e Operas me ndarjen e çmimeve të Akademisë Bullgare për shkencën dhe mbajtjen e një koncerti dedikuar këtij eventi.
Në këtë ceremoni krahas pjesëmarrjes të delegacionit nga ASHSH, marrin pjesë delegacione të akademive nga Rumania, Serbia, Kroacia, Estonia, Sllovenia, Armenia, Azerbaxhani, Mali i Zi.