Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Shërbimit Gjeologjik Shqiptar
Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi dhe dr. Adrian Bylyku, drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Të pranishëm anëtarët e Kryesisë të Akademisë dhe drejtuesi i njësisë kërkimore të gjeoshkencave dhe gjeoinxhinerive akad. asoc. Rrapo Ormëni.
Para nënshkrimit u bisedua rreth mundësive që krijon marrëveshja për bashkëpunim ndërinstitucional, tashmë me një kornizë të qartë juridike. Kryetari Gjinushi theksoi se marrëveshja siguron bashkimin e kompetencave shkencore duke ruajtur secila palë autonominë e vet. Njësia e gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierive, me rreth 80 bashkëpunëtorë nga këto fusha në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut, ndërvepron edhe me specialistë të Shërbimit Gjeologjik, por ka rëndësi që të kalohet nga bashkëpunimi individual në atë mes institucioneve.
Ligji i ri për shkencën, tha në vijim akad. Gjinushi, që Qeveria e ka miratuar dhe tani pret diskutimin e miratimin në Kuvend, ofron më shumë mundësi për nisma të përbashkëta shkencore, për aplikime bashkërisht për projekte.
U theksua ndër të tjera hartimi i hartës së re gjeologjike të Shqipërisë dhe përmbi kufij, sepse e tillë është nëntoka; studimi i teknologjive të reja në njohjen, kërkimin dhe shfrytëzimin e pasurive minerare; zgjerimi i konceptit të gjeologjisë në përputhje me ndryshimet që kanë ndodhur në botë, theksoi në përmbyllje akad. Gjinushi.
Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Gjeologjik dr. Adrian Bylyku falënderoi Akademinë e Shkencave për ftesën për bashkëpunim me marrëveshje. Dikur gjeologjia kuptohej si degë e ekonomisë për zbulimin, nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve, tha në vijim ai, kurse sot flitet për gjeoshkenca, ku përfshihet edhe gjeomjedisi, hidroinxhinieritë, gjeoturizmi etj. Ai vlerësoi se marrëveshja do të japë frytet e veta sepse kemi gatishmërinë të ndërmarrim nisma e projekte të përbashkëta, kemi dhe kapacitete njerëzore dhe mbi të gjitha e dimë se Akademia e Shkencave është koordinuese e suksesshme në kuadër të gjithë sistemit të kërkimit shkencor në shkallë vendi.
Me këtë marrëveshje palët i sigurojnë njëra-tjetrës shkëmbim të ndërsjellë të informacionit shkencor, të periodikëve që botojnë, të studimeve dhe monografive. Ato shkëmbejnë ekspertiza dhe mbikëqyrje të përbashkëta të veprimtarisë shkencore në ekspedita dhe në kërkime. Bashkëpunimi sipas kësaj marrëveshjeje realizohet edhe nëpërmjet projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare me interes të dyanshëm; pjesëmarrjes në konferenca, simpoziume dhe tryeza shkencore me interes të përbashkët; informimit reciprok për aplikime me interes dypalësh. Palët bëjnë bashkërisht kërkime në fushën e gjeoshkencave. Për rezultatet e veprimtarive të përbashkëta shkencore palët ofrojnë mundësi për publikimin e tyre me përparësi në periodikët shkencorë.