Mbahet konferenca e dytë ndërkombëtare mbi Shëndetin Mjedisor Kontrolli i cilësisë së ajrit dhe ujit: faktorë të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit të njerëzve dhe premisa për zhvillim të qëndrueshëm”

 

Konferenca e dytë ndërkombëtare mbi Shëndetin Mjedisor Kontrolli i cilësisë së ajrit dhe ujit: faktorë të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit të njerëzve dhe premisa për zhvillim të qëndrueshëm” u realizua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë me 4-5 Korrik 2024 në bashkëpunim me Universitetin “George Mason”, VA, SHBA.

Cilësia e ajrit dhe ujit janë dy faktorë shumë të rëndësishëm që përcaktojnë shëndetin e një popullate. Ndotësit e ajrit si NOx, SO2, O3 dhe veçanërisht grimcat në suspension nën 2.5 mikron dëmtojnë jo vetëm mjedisin, por dhe shëndetin e njeriut. Problemet kardiovaskulare, cerebrale, problemet e mushkërive tashmë janë provuar se varen edhe nga cilësia e ajrit. Në mënyrë analoge edhe uji është mjaft i rëndësishëm për shëndetin e njeriut.

Vendi ynë është me fat nga pikëpamja natyrore, sepse ka burime të pasura ujore. Megjithatë, problematika e infrastrukturës jo adekuate, shpesh e amortizuar si dhe vend-depozitimet e papërshtatshme të mbetjeve kërkojnë një monitorim cilësor, të përgjegjshëm e të vazhdueshëm. Këto janë disa nga arësyet që kontrollet e cilësisë së ujrave dhe ajrit janë faktorë shumë të rëndesishëm, për të marrë masa parandaluese, duke shmangur apo minimizuar problemet shëndetësore dhe mjedisore.

Kërkimi shkencor në këto fusha është mjaft aktual dhe me rëndesi të veçantë për të njohur gjëndjen e vendit tonë si dhe për të shkëmbyer përvojat me vendet me kërkim të avancuar shkencor në këtë fushë.

Në konferencë paraqiten punimet e tyre 26 studiues nga Shqipëria, SHBA, Italia dhe Serbia të cilët paraqiten studimet e tyre origjinale mbi temat e ndryshme të ndotjes së ajrit dhe të ujrave.

(Bashkangjitur programi i Konferencës)

Nga paraqitjet dhe diskutimet në Konferencë dolën konkluzione të rëndësishme të cilat u sugjeruan të jepen si rekomandime me vlerë për politik-bërësit.