Rikonstituohet Akademia e të Rinjve pranë ASHSH
Ceremonia u hap dhe u drejtua nga akad. asoc. Adrian Civici, i cili i njohu të pranishmit me vendimin e Asamblesë për miratimin e Statutit të Akademisë së të Rinjve (AR) dhe me vendimin për ngritjen e komisionit të pranimeve të kryesuar nga ai vetë. Civici foli për procedurat që u ndoqën në procesin e përzgjedhjes, për interesimin e studiuesve të rinj për t’u bërë pjesë e AR, për cilësitë shkencore të tyre dhe për format e bashkëpunimit me ASHSH. Ai falënderoi anëtarësinë e mëparshme të AR, e cila kontribuoi për afro shtatë vjet për të promovuar një brez të ri në kërkim.
Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi përgëzoi anëtarët e sapopranuar në Akademinë e të Rinjve për zgjedhjen e tyre dhe falënderoi anëtarët e mëparshëm për rolin e tyre si ndërlidhës midis breznive të studiuesve. Akademia e të Rinjve është një zhvillim i ri në akademizëm, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë e në Botë. Tek ne u krijua me një akt të brendshëm, që shprehte një dëshirë të mirë, por baza ligjore u krijua tamam me Ligjin nr. 53/2019. Mbi këtë bazë u miratua nga Asambleja “Karta themelore e akademive të të rinjve”, e hartuar dhe rekomanduar nga ALLEA. Ky dokument tani është statut i AR. Gjatë kësaj kësaj kohe pjesa më e madhe e anëtarësisë së mëparshme e kaloi kufirin moshor dhe përtëritja u bë e domosdoshme edhe për këtë arsye, jo vetëm për shkak të detyrimit ligjor.
Akademitë nga vetë karakteri i tyre janë bashkësi studiuesish në moshë të lartë, që kanë nevojë për ura ndërveprimi me më të rinjtë. Ne nuk po krijojmë një akademi tjetër, as ndonjë strukturë që përgatit akademikë (megjithëse nuk përjashtohet që nga radhët e anëtarëve të AR të dalin akademikë të ardhshëm). Tre janë qëllimet kryesore të kësaj nisme: që t’u jepet mundësi të rinjve për t’u vetorganizuar; që ASHSH të ruajë lidhjet me brezat e rinj dhe që problematikat shkencore të tyre të bëhen shqetësime shkencore të saj. Prandaj format kryesore të ndërveprimit do të jenë si prani tek organizmat dhe veprimtaritë e njëri-tjetrit: anëtarë përfaqësues të AR të marrin pjesë në komisionet e përhershme, të aktivizohen në njësitë dhe qendrat e kërkimit, të përfshihen në aktivitetet që përmban programi i miratuar nga Asambleja. Ne do të kujdesemi, siç e kemi detyrë, për t’i ruajtur lidhjet dhe vëmendjen ndaj tyre edhe pas kalimit të kufijve moshorë, duke i ndjekur në karrierë e duke ruajtur bashkëpunimin individualisht.
Bashkëkryetari i AR Andi Rëmbeci përshëndeti në emër të anëtarësisë themeluese (2017) dhe shprehu mirënjohjen për kujdesin e treguar nga ASHSH për formimin dhe fuqizimin e saj.
Pas shpërndarjes së diplomave u bë mbledhja e parë e AR të rikonstituuar. Znj. Belfjore Qose u zgjodh kryetare e re e AR.
Akademia e të Rinjve është anëtare e Young Global Academies dhe ka revistën e vet vjetore.