• Shëtitorja Murat Toptani, Tiranë 1000, Albania
  • +355 4 2230305
Resolving Issues

Departamente

Departamenti i gramatikës së sotme dhe i historisë së gjuhës u formua në vitin 2008 nga shkrirja e dy departamenteve: e Departamentit të gramatikës dhe të kulturës së gjuhës dhe e Departamentit të historisë së gjuhës, onomastikës dhe dialektologjisë.

Këto dy departamente e kanë zanafillën nga Sektori i gramatikës dhe i dialektologjisë, i krijuar si zgjerim i Seksionit të gjuhës në Institutin e Studimeve (1946), më pas i përfshirë në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë (1955) dhe në vijim në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë (1972).  Ai ka mbajtur një peshë të rëndësishme të veprimtarisë kërkimore-shkencore të Institutit të Gjuhësisë, përmes punës së anëtarëve të shquar themelues, si: Eqrem Çabej, Kostaq Cipo, Mahir Domi, Osman Myderrizi, më tej nga brezi i dytë, si: Spiro Floqi, Jorgji Gjinari, Ali Dhrimo, Bahri Beci, Gjovalin Shkurtaj, Xheladin Gosturani, Menella Totoni, Remzi Përnaska, Emil Lafe, Enver Hysa, Seit Mansaku, Ludmila Buxheli, Çlirim Bidollari, e në vazhdim me studiues si Bardhyl Demiraj, Xhelal Ylli, Anila Omari etj.

Ky sektor ka nxjerrë vepra madhore të gjuhësisë shqiptare, si: Gramatika e gjuhës shqipe (grup autorësh, vëllimi I – morfologji, vëllimi II – sintaksë, 1995, 1996, 2002), “Meshari” i Gjon Buzukut (E. Çabej, 1968), Studime etimologjike në fushë të shqipes (E. Çabej, vëll. I-VII, 1976-2006), Dialektologjia shqiptare (I-VII, 1971-2005), Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe (J. Gjinari, B. Beci, Gj. Shkurtaj, Xh. Gosturani, Napoli, 2008), Gramatikë historike e gjuhës shqipe (K. Topalli, 2011), Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe (K. Topalli, 2018) etj.

Prej tij u shkëput në vitin 1983 një grup punonjësish të ardhur rishtas në Institut, duke krijuar Sektorin e Historisë së Gjuhës dhe të Onomastikës (më pas Departamenti i Historisë së Gjuhës, Onomastikës dhe Dialektologjisë) nën drejtimin e prof. dr. Seit Mansakut (1983-2008).

 

Një peshë të rëndësishme të punës së këtij departamenti e ka mbajtur akad. Kolec Topalli, që nga fillimi i punës së tij në Institut (1996), me hartimin e një sërë veprash monografike nga fusha e fonetikës dhe e gramatikës historike të shqipes.

Puna kërkimore në departament është e orientuar në dy seksione sipas fushave të studimit: seksioni i gramatikës dhe seksioni i historisë së gjuhës dhe i filologjisë.

Seksioni i punonjësve të gramatikës merret me studimin e gramatikës së gjuhës shqipe, të cilat përqendrohen në tri drejtime kryesore: në gjendjen e studimeve të deritanishme në fushë të gramatikës, arritjet dhe problemet në këtë fushë; në zgjidhjen e çështjeve gramatikore mbi bazën e aparateve të caktuara teorike; në vëzhgime e studime mbi çështje të ndryshme të shqipes së sotme mbi bazën e vjeljes së të dhënave të reja nga folësit e shqipes.

Seksioni i historisë së gjuhës dhe i filologjisë ka si fusha studimi: studimin gjuhësor të teksteve të vjetra shqipe e arbëreshe, botimin e tyre kritik dhe studimin e marrëdhënieve të gjuhës shqipe me gjuhët fqinje.

Kërkimet shkencore aktuale mbështeten në arritjet më të mira të traditës së studimeve për shqipen, si dhe në përvetësimin e zbatimin edhe të metodave të reja të gjuhësisë bashkëkohore.

Departamenti i leksikologjisë dhe i terminologjisë kryen veprimtarinë e vet në përbërje të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Tiranë. Departamenti njeh dy shkallë reformimi. Bërthama tij është Departamentit të leksikologjisë e leksikografisë, i ngritur në vitin 1972, vit kur ngrihet dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Nga fillimi i viteve ’90 të shekullit XX deri në vitin 2012 ai funksionoi si Departamenti i leksikologjisë, i leksikografisë dhe i terminologjisë. Kurse nga ky vit deri më sot funksionon si Departamenti i leksikologjisë, terminologjisë dhe gjuhësisë së zbatuar.

Si njësi e mirëfilltë e studimit dhe e kërkimit shkencor, sot departamenti e ndërton punën e vet në tri drejtime kryesore: në leksikologji, terminologji dhe gjuhësi të zbatuar.

Në Departament, në vite, kanë dhënë ndihmesën e tyre të çmuar punonjës shkencorë e figura studiuesish të shquar, si  Androkli Kostallari, Jani Thomai, Miço Samara, Hajri Shehu, Thanas Feka, Pavli Haxhillazi, Lirak Dodbiba, Ferdinand Leka, Hëna Pasho, Agron Duro etj.

Departamenti në vazhdimësi ka pasur një trupë shkencore të përgatitur cilësisht e të specializuar dhe për rreth 50 vjet ka hartuar dhe ka hedhur në qarkullim me dhjetëra vepra, që janë vlerësuar dhe kanë zënë vend në fondin e kulturës sonë kombëtare.

Drejtimet kryesore të veprimtarisë shkencore:

Puna në leksikologji organizohet në studime për fjalën, njësinë frazeologjike e kuptimin e tyre, si dhe në hartimin e veprave leksikografike njëgjuhëshe (hartimin e fjalorëve shpjegues kombëtarë të shqipes, hartimin e fjalorëve të ndryshëm tematikë, dialektorë etj.). Gjithashtu punë e pandashme e Departamentit është vjelja e grumbullimi i pasurisë leksikore e semantike të shqipes dhe pasurimi i vazhdueshëm i Kartotekës së leksikut të Shqipes. Ndaj një drejtim i përhershëm i punës në leksikologji e leksikografi ka qenë e mbetet organizimi i ekspeditave leksikologjike në terren (ekspedita e parë është bërë në vitin 1958), në mbarë trojet kombëtare ku flitet gjuha shqipe (në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi,  në ngulimet arbëreshe në Itali apo ngulimet arvanitase në Greqi etj.).

Puna në terminologji organizohet në studime për termin dhe terminologjinë si dhe në hartimin e veprave terminografike (hartimin e fjalorëve terminologjikë të shqipes).

Puna në gjuhësinë e zbatuar organizohet në studime teorike sociolinguistike, psikolinguistike, të gjuhësisë së tekstit dhe të fushës së shkencave komunikative. Më konkretisht, disa nga studimet në këtë lëmë përqendrohen në çështje të dialekteve të shqipes, të përvetësimit të gjuhës së parë a të dytë, në çështje të politikave gjuhësore dhe të vlerësimit të aftësive gjuhësore në kontekste arsimore dhe klinike.

Detyrë dhe fushë parësore në studimet e Departamentit të Studimeve Letrare është vlerësimi dhe rivlerësimi sistematik prapavajtës i procesit letrar, prej fillimeve deri në kohët moderne; duke nisur prej shkrimeve më të hershme shqip deri tek zhvillimet bashkëkohore, nëpërmjet artikujve dhe studimeve, monografive, projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Departamenti i Studimeve Letrare ka në përgjegjësinë e tij zgjidhjen e problemeve që dalin vazhdimisht para shkencës së historishkrimit të letërsisë, si periodizimi i letërsisë; karakterizimi i përgjithshëm i periudhave, zhvillimeve, dukurive, prirjeve, protagonistëve, veprave dhe përgjithësisht rrjedhave letrare; rinjohja e traditës dhe trashëgimit letrar në procesin e pasurimit të burimeve dhe të zgjerimit të mundësive metodologjike; krahasimi i këtyre me zhvillime të ngjashme në kohë e në hapësirë, në kuadrin ndërballkanik e europian, identifikimi i cilësive lokale të zhvillimit të letërsisë shqipe dhe i rrethanave që kanë përcaktuar këtë origjinalitet (duke përfshirë dhe shmangiet objektive prej kronologjisë dhe simetrisë në historinë botërore të letërsisë); roli i letërsisë shqipe në promovimin e identitetit europian dhe kombëtar të shqiptarëve, në zhvillimin dhe përurimin e gjuhës dhe të qytetërimit të tyre; rëndësia e saj si pasuri shpirtërore e popullit që e trashëgon.

Ndër objektivat funksionale të Departamentit të Studimeve Letrare është gjithashtu zgjidhja e detyrave të njohjes dhe rinjohjes së çdo periudhe letrare, personaliteti, vepre, prurjeje, ndikimi, origjinaliteti; duke përfshirë përballimin me mendim kritik të debateve të paevitueshme që dalin herë pas here prej shkaqesh letrare e joletrare, si: karakteri humanist i letërsisë më të vjetër, gjeneralizimi i romantizmit si rrymë hegjemone në periudhën e Rilindjes; vendi i letërsisë qëllimore nëpër kohëra; shthurja e romantizmit dhe fillimi i integrimit të letërsisë shqipe në rrjedhat europiane; shthurja e realizmit socialist dhe refuzimi estetik i tij etj.

Këto detyra nënkuptojnë botimin e një tribune të vijueshme periodike për shprehjen e mendimit shkencor të punonjësve të këtij departamenti; botimin e akteve të studimeve të përbashkëta; studimet monografike; botimin kritik-filologjik të traditës; studimet krahasimtare.

Departamenti i Studimeve Letrare synon gjithashtu të ndjekë zhvillimet bashkëkohore në letërsi, identifikimin e prirjeve më të shëndetshme estetikisht të tyre në mënyrë që të ndikojë në formimin e shijeve letrare-estetike dhe sidomos në përzgjedhjen e vlerave estetike më të reja, të shtrojë dhe të zgjidhë çështje të karakterit teorik-estetik; të sistemojë dhe të programojë për nevoja universitare e më gjerë historinë e mendimit letrar-estetik shqiptar prej fillimeve deri më sot.