Vladimir MISJA

Fusha: Ekonomi

Vladimir MISJA (1928–2013) Vladimir MISJA (1928–2013). Ekonomist urban, demograf, profesor, akademik. Lindi në Shkodër. Mori pjesë në Luftën Natifashiste Nacionalçlirimtare dhe u internua në Kampin e përqendrimit në Prishtinë (1944). Pas çlirimit përfundoi gjimnazin në Shkodër (1947) dhe ndoqi studimet e larta për ekonomi urbane në Institutin e Planit në Leningrad (1947–1952). Pas kthimit në atdhe shërbeu si kryetar dege dhe drejtor drejtorie në Ministrinë e Industrisë (1952–1959). Në vitin 1960 kaloi në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, si përgjegjës i katedrës së ekonomisë së industrisë (1960–1985), zv.dekan (1960–1989), dhe profesor në Njësinë e Studimeve të Popullsisë pranë Universitetit të Tiranës (1990–1997); Në vitin 1971 mori titullin “Docent”. Gjatë viteve 1972-1973 kreu kualifikimin pasuniversitar për metodat matematikore dhe informatike, pranë ENSAE (École Nationale de Statistique et Admisistration Économique) dhe CEPE (Centre des Études de Programmes Économiques) në Paris. Në vitin 1981 fitoi gradën “Doktor i shkencave ekonomike” , ndërsa dy vjet më vonë (1983) mori titullin “Profesor”. Në vitin 2003 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Që nga viti 1998 drejtoi Qendrën Shqiptare të Studimeve të Popullsisë.
Vladimir Misja është autor dhe bashkautor i një vargu monografish, si: “Emigracioni gjatë tranzicionit në Shqipëri” (1998), “Popullsia e Shqipërisë” (1987), “Higher Education in Albania” (botuar nga UNESCO 1986), “Baza materialo-teknike dhe efektiviteti i investimeve në industri” (1983) etj. Është autor dhe bashkautor i teksteve: “Ekonomia e industrisë” (1972), Ekonomia e industrisë dhe efektiviteti i investimeve” (1991) etj. Është vlerësuar me Çmimin e Republikës të shkallës së dytë