H.Lacej (1) (1)

Hysen LAÇEJ

Fusha: Agronomi

Hysen LAÇEJ (1935–2005). Agronom, profesor, akademik, “Hero i Punës Socialiste”. Lindi në Shkodër, ku kreu dhe shkollën e mesme. Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua në Akademinë Bujqësore “Timirjazev” në Moskë (1956). Në vitet 1956–1959 punoi në Institutin e Kërkimeve Bujqësore në Lushnjë. Është një ndër nismëtarët e organizimit të ekspeditës kombëtare për grumbullimin, studimin dhe klasifikimin e popullatave të misrit të vendit, dhe deri në v. 1989, hibridet e misrit të krijuar prej tij, u mbollën në pjesën më të madhe të sipërfaqes së vendit. Me nismën e tij u krijua Stacioni i Misrit dhe Orizit në Shkodër (1971), i cili në vitin 1980 u kthye në Institut të Misrit dhe Orizit, ku H.L. qe drejtor prej themelimit, deri në vitin 1996, kur doli në pension. Ka dhënë mësim si pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë Bujqësor (1980–1985) – (sot UBT ). Është bashkautor i tekstit “Seleksionimi i bimëve dhe prodhimi i farërave” (1970), si dhe autor i një numri artikujsh e referatesh shkencorë. Ka marrë titullin “Punonjës i Shquar i Shkencës dhe i Teknikës” dhe “Çmimin e Republikës” të shkallës së dytë.