S.Kuneshka (1)

Sotir KUNESHKA

Fusha: Fizikë

Sotir KUNESHKA (1912–1991). Fizikan, profesor, akademik, Mësues i Popullit. Lindi në Boboshticë të Korçës. Pasi kreu Liceun Kombëtar (francez) ndoqi studimet e larta për fizikë në Francë (Sorbonë). Pas mbarimit me sukses të tyre u kthye në atdhe dhe shërbeu në arsim duke dhënë ndihmesë të çmueshme për ngritjen e nivelit të mësimdhënies së fizikës në shkollën tonë. Është ndër pedagogët e parë të Institutit të Lartë Pedagogjik Dyvjeçar, pionier i studimeve shkencore të mirëfillta në fushën e fizikës, dekani i parë i FSHN (1957–1958), përgjegjësi i parë i katedrës së fizikës në UT (1957), të cilën e drejtoi me përkushtim të veçantë dhe profesionalizëm, derisa doli në pension. S.K. është autori i teksteve të para në fushën e fizikës, si “Kurs i fizikës së përgjithshme” (1974–1984), “Kurs i mekanikës teorike” (1981) etj. Ka kryer studime në fushën e radioaktivitetit natyror të ujërave të vendit. Si rezultat i punës së tij shumëvjeçare u arrit të krijohet në vend një ekip fizikanësh.