????????????????????????????????????

Jorgo BULO

Fusha: Letërsi

Akad. Jorgo Bulo (1939-2015). Filolog, historian i letërsisë. Fusha kryesore e kërkimit është letërsia e Rilindjes Kombëtare, por dhe çështje të tipologjisë së zhanreve letrare, veçanërisht të romanit dhe poezisë. Lindi në Sheper të Gjirokastrës. Kreu shkollën e mesme në Gjirokastër (1955), ndërsa studimet e larta në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në UT (1960). Doktor i Shkencave Filologjike (1982); Bashkëpunëtor i vjetër shkencor (1983); Profesor i asocuar (1994); Profesor (1998); Anëtar i Akademisë së Shkencave (Akademik) në vitin 2003. Prej vitit 1966 në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ka kryer detyra drejtuese, si përgjegjës i sektorit të historisë së letërsisë së shek. XVI–XIX, zëvendësdrejtor (1986–1989) dhe drejtor i Institutit (1990–1993 dhe 1997–2008), kryeredaktor i revistës “Studime filologjike” (1998–2007). Në vitet 1973–1976 dhe 2010-2015 ka qenë Sekretar Shkencor i Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHSH. Fusha kryesore e studimeve të tij është letërsia e Rilindjes Kombëtare dhe krijimtaria e disa prej përfaqësuesve të saj të njohur (Naim Frashëri, A. Z. Çajupi etj.), por është marrë edhe me çështje të historisë dhe të tipologjisë së romanit bashkëkohor. Është një nga redaktorët shkencorë të veprës “Historia e letërsisë shqiptare – Që nga fillimet deri te Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare” (1983) dhe bashkautor i veprës “Historia e Popullit Shqiptar” (I, II, 2002), botime të ASHSH. 

Ka botuar librat me artikuj e studime “Tradita dhe risi letrare” (1981), “Magjia dhe magjistarët e fjalës” (1998), si dhe monografitë: “Romani shqiptar i realizmit socialist për Luftën Nacionalçlirimtare” (1982) dhe “Tipologjia e lirikës së Naim Frashërit” (1999), “Shpirti i fjalës” (2014). Autor i mbi 100 artikujve e studimeve botuar në revista e përmbledhje shkencore brenda e jashtë vendit, prej tyre 20 jashtë vendit. Pjesëmarrës në Konferenca e Kongrese ndërkombëtare brenda e jashtë vendit (Paris, Mynih, Këln, Napoli, Kozenca, Palermo, Athinë, Bukuresht, Sofje, Shkup, Prishtinë, Shën Peterburg, Teheran, Ankara). Studimet e Jorgo Bulos i karakterizon interpretimi estetiko-historicist, prirja përgjithësuese dhe stili shkencor i saktë. Ka marrë Çmimet Kombëtare “Penda e argjendtë” (1999) dhe “Faik Konica” (2008).