Kryetari i Akademisë së Shkencave priti sot në një takim përfaqësues të Universitetit "Mohamed bin Zayed për Shkenca Humane" të Abu Dabit

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi priti në një takim përfaqësues të Universitetit “Mohamed bin Zayed për Shkenca Humane” të Abu Dabit.
Delegacioni përbëhej nga dr. Karima al Mazrouei, këshilltare; dr. Rashid al Menhali, koordinator për marrëdhëniet me publikun; z. Ali al Kaabi, specialist; si dhe kryetari i bordit drejtues të Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT) prof. dr. Ramiz Zekaj. Të pranishëm ishin gjithashtu zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad Vasil S. Tole dhe kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike akad. Gëzim Hoxha.
Takimi kishte si qëllim njohjen e ndërsjellë të institucioneve dhe gjetjen e fushave të bashkëpunimit për të ardhmen.
Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi i njohu të pranishmit me vizionin, strukturën dhe funksionimin e Akademisë së Shkencave dhe zhvillimet më të fundit në fushën e kërkimit shkencor dhe projekteve.
Akad. Gjinushi foli për reformimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e cila që prej janarit të këtij viti është zgjeruar me 4 institute albanologjike dhe dy qendra: Qendra e Biogjenetikës dhe Qendra e Studimit të Arteve, si dhe me njësi të përkohshme sipas disiplinave kryesore: të nanoteknologjisë, bioteknologjisë, mjekësisë e bujqësisë, dhe me njësinë studimore “Për pasuritë ujore”.
Anëtarët e delegacionit prezantuan fushat e studimit, organizmin dhe misionin e Universitetit “Mohamed Bin Zayed për Shkenca Humane” në Abu Dabi. Pas prezantimeve, ata shprehën dëshirën për të mundësuar bashkëpunime në fusha me interes të përbashkët dhe bënë propozime për lidhjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit, sidomos në fushën e kërkimit, në zhvillimin e teknologjisë dhe të inteligjencës artificiale etj.
Në fund të këtij takimi, anëtarët e delegacionit e falënderuan akad. Gjinushin dhe kryesinë e AShSh për mikpritjen dhe shprehën konsiderata të larta për profilin që ka ASHSH, si dhe bindjen se arritjet e këtij institucioni janë esenciale për bashkëpunimin mes popujve dhe kulturave.