- Details
- Hits: 1062
Zhvillohet aktiviteti në nderim të Ditës së Kujtesës (Shoah)
U zhvillua aktiviteti në nderim të Ditës së Kujtesës (Shoah), në bashkëpunim midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Muzeut Solomon, në qytetin e Beratit. Pas hapjes nga z. Gazmend Toska, i cili foli mbi Ditën e Kujtesës (Shoah) në Shqipëri, akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i ASH, mbajti një fjalim përshëndetës mbi eventin. Lexo fjalën e akad. Skënder Gjinushi.
Të ftuar në këtë aktivitet ishin historianë dhe studiues të ndryshëm, të cilët kumtuan mbi historinë hebreje në shtetin shqiptar ndër shekuj. Akad. as. Shaban Sinani, Sekretari Shkencor i Akademisë së Shkencave, referoi me temën: “Disa akte ndërkombëtare që lehtësuan strehimin dhe mbrojtjen e hebrenjve në Shqipëri”. Prezantimi shkoi përtej ndihmës tradicionale shqiptare ndaj hebrenjve gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, si mosdorëzimi i tyre tek ushtritë pushtuese dhe veshja me kostume popullore e mundësimi i punës dhe ushqimit. Mbrojtja ndaj hebrenjve kishte gjithashtu përmasa institucionale e ndërkombëtare, si marrëveshjet diplomatike dypalëshe, misionet e Lidhjes së Kombeve, të tjera evropiane apo amerikane etj, apo lehtësirat e ndryshme që lejuan ardhjen e hebrenjve në tokë shqiptare. Ligjet anti-hebraike nuk u miratuan kurrë dhe çështja hebraike u konsiderua si e brendshme, duke refuzuar dorëzimin e listave të hebrenjve në Shqipëri tek autoritetet pushtuese. Referimi me vlerë shkencore, së bashku me tematikat e tjera të diskutuara, hedh dritë mbi një aspekt të rëndësishëm të historisë shqiptare gjatë shek. XX. Lexo prezantimin e plotë