- Details
- Hits: 5085
Seksionet Shkencore
Referuar ligjit dhe mbështetur në Statutin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Akademi veprojnë Seksioni i Shkencave Shoqërore Albanologjike dhe Seksioni i Shkencave Natyrore e Teknike. Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike ndjek veprimtarinë për kërkim e zhvillim në të gjitha shkencat shoqërore dhe ato albanologjike në vend. Në strukturën e këtij seksioni funksionon edhe revista shkencore “Studia Albanica”. Seksioni i Shkencave Natyrore e Teknike ndjek veprimtarinë për kërkim e zhvillim në të gjitha shkencat natyrore e teknike në vend. Në strukturën e këtij seksioni funksionon edhe revista shkencore JNTS.
Seksionet përbëhen nga anëtarët e rregullt, anëtarët e përhershëm dhe anëtarët e asociuar të Akademisë, sipas profilit përkatës. Për ndjekjen e problemeve specifike të zhvillimit të shkencës, në përbërje të seksionit ngrihen grupe/komisione të posaçme ekspertësh, ku mund të marrin pjesë edhe punonjës shkencorë-mësimorë nga jashtë Akademisë, brenda dhe jashtë vendit.
Seksionet drejtohen nga kryetarët e tyre që janë edhe anëtarë të Këshillit Ekzekutiv të Akademisë. Në veprimtarinë e përditshme kryetari i seksionit ndihmohet nga sekretari shkencor i seksionit, që është punonjës i aparatit të Akademisë me titullin shkencor "profesor", si edhe nga një asistent i seksionit. Seksionet e Akademisë janë njësi shkencore e organizative. Kryesitë e seksioneve (kryetari e sekretari) ndjekin veprimtarinë shkencore të seksionit, hartojnë, ndihmojnë dhe orientojnë programe për përcaktimin e përparësive në fushat zhvillimore.
Planet e punës së seksionit hartohen mbi bazën e propozimeve të anëtarëve të tij, si dhe të grupeve të ekspertëve të ngritura pranë seksionit dhe miratohen nga Kryesia e Akademisë. Mbledhjet e seksionit thirren dhe drejtohen nga kryetari i seksionit. Ai raporton përpara seksionit dhe e përfaqëson atë në Kryesi, në Këshillin Ekzekutiv, në Asamblenë e Akademisë dhe sipas nevojës, edhe në institucione të tjera kërkimore-shkencore të vendit ose të huaja. Mbledhja e seksionit është e vlefshme kur në të merr pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të brendshëm e të jashtëm të seksionit. Në të mund të marrin pjesë edhe të ftuar, sipas çështjeve që do të shqyrtohen. Vendimet në mbledhjet e seksionit merren me votim të hapur dhe me shumicën e thjeshtë të anëtarëve të pranishëm të seksionit, me përjashtim të rasteve kur në ligj parashikohet ndryshe.