Akademia e Shkencave e Shqipërisë riboton librin " Sizmiciteti, Sizmoteknika dhe vlerësimi i rrezikut sizmik në Shqipëri"

Në fund të vitit 2019 Shqipëria u godit nga dy tërmete katastrofike. Tërmeti i shtatorit shkundi godinat dhe trembi njerëzit.

Tërmeti i nëntorit shkatërroi godina dhe vrau njerëz.

Kishte katër dekada që vendi nuk kishte parë tërmete të tillë. Njerëzit sikur e kishin harruar natyrën, që një ditë u zgjua dhe vendosi t'u kujtojë njerëzve se është ajo sundimtarja absolute e kësaj bote që thotë fjalën e fundit.

Shkaku i tërmeteve është tektonika e pllakave. Këtu nuk është vendi për të shpjeguar historinë e gjeologjisë, por disa fjalë mund të thuhen.

Kontinentet lëvizin, sado e pabesueshme të duket. Të dhënat e vrojtuara – ngjashmëria gjeologjike midis brigjeve të Afrikës dhe Amerikës apo të Indisë i detyroi gjeologët e shekullit të XIX të mendonin të pamendueshmen, se ndoshta dikur këto toka kishin qënë të bashkuara. Vërshimi i të dhënave gjeologjike, gjeofizike e sizmologjike pas luftës së dytë botërore i detyroi gjeologët të pranonin të papranueshmen se kontinentet lëvizin, lëvizje që sot matet disa centimetra në vit.

Korja shkëmbore e planetit që shkelim përditë “pluskon” mbi shtresat e brendshme të tokës, të cilat nga nxehtësia janë bëre plastike si hekuri i skuqur që deformohet nën goditjet e çekiçit. Dukuritë termodinamike në brëndësi të tokës detyrojnë copat – pllakat e kores shkëmbore të lëvizin. Pllakat oqeanike janë rreth dhjetë herë më të holla se ato kontinentale dhe nuk pengojnë dot lëvizjen e kontinenteve. Kontinentet përplasen me njeri tjetrin dhe zhytin nën vehte koren oqeanike, duke shkaktuar rrudhosjen e shtresave shkëmbore, formimin e maleve, tërmetet, vullkanet, por edhe vendburimet e mineraleve të dobishme. Dhe Shqipëria ndodhet në përplasjen e pllakës afrikane me ate evropiane, trualli i vendit tonë është produkt i përplasjes të dy titaneve me të cilët nuk bëhet shaka.

Shkencat e tokës gjeologja, gjeofizika, sizmologjia prej vitesh kanë zbuluar shumë nga të fshehtat e planetit dhe janë në gjendje të parashikojnë me afërsi rrezikshmërinë nga tërmetet. Inxhineria është në gjëndje të projektojë dhe zbatojë ndërtesa që i rezistojnë tërmeteve. Si rregull shkatërrohen godinat për të cilat nuk është marrë parashysh rreziku i tërmeteve, godinat e vjetra dhe ato të reja por të projektuara ose zbatuara keq – njerëzit nuk kuptojnë, nënvleftësojnë, harrojnë rrezikun e tërmeteve dhe herët a vonë ndëshkohen nga natyra.

Tërmetet edhe parashikohen por edhe nuk parashikohen. Parashikohen pasi dihen shkaqet dhe zonat ku ndodhin, vlerësohet rritja në kohë e energjisë në deformimin midis pllakave, si dhe probabiliteti (rastësia) e ndodhjes së tyre në vite. Tërmeti i Durrësit i vitit 2019 pritej të ndodhte herët a vonë, në ngjashmëri me tërmetin shkatërrues të vitit 1926, një shekull ishte kohë e mjaftueshme për grumbullimin e energjisë të deformimit të pllakave. Por sot është e pamundur të parashikohet me saktësi vendi dhe koha kur masat shkëmbore në kufirin e pllakave rrëshqasin dhe thyhen nga presioni, duke shkaktuar lëkundjet e tërmeteve.

Prej fillimit të shekullit XX në botë filluan rregjistrimet e rregullta të dukurive sizmologjike. Në Shqipëri studimet sizmologjike kryhen prej gjysëm shekulli, fillimisht nga Instituti i Sizmologjisë dhe dhjetë vitet e fundit nga IGJEUM. Rezultatet e studimeve të kombinuara gjeologjike dhe sizmologjike të Institutit të Sizmologjisë paraqiten në këtë libër që ribotohet sot, ku përfshihen vlerësimet numerike të rezikut sizmik për rajonet e ndryshme të vendit të llogaritura sipas procedurave të kohës, të bazuara jo më në konceptin e intensitetit (shkalla 12 ballë Merkali) që vlerësohet subjektivisht nga ndikimi i lëkundjeve mbi objektet sipërfaqësore, por në nxitimin (akselerimin) që përcakton forcën me të cilën toka lëkund godinat, probabilitetin (rastësinë) e ndodhjes të tërmeteve, si dhe në cilësitë fiziko-mekanike te shtresave gjeologjike të truallit ku bëhen ndërtimet.

Të dhënat e këtij libri duhej të ishin marrë në konsideratë nga ndërtuesit, por edhe nga qeveria në hartimin dhe forcimin e legjislacionit që rregullon ndërtimin e objekteve të llojeve të ndryshme krahas përshtatjes të kodeve evropiane të ndërtimit, gjë që është bërë vetëm pjesërisht dhe është zbatuar pjesërisht. Rezultati u duk në nëntor 2019 me viktimat dhe shkatërrimin e shumë godinave të reja në brezin Durrës – Thumanë.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë krijoi njësinë kërkimore për sizmologjinë, me detyrë parësore hartimin e dokumentit teknik për kombinimin dhe përshtatjen e të dhënave të rrezikut sizmik, të dhëna në këtë libër, me eurokodet evropiane të ndërtimit, mbi bazën e të cilës qeveria duhet të përmirësojë dhe të bëjë të detyrueshëm legjislacionin rregullator të ndërtimeve. Në kuadrin e kësaj veprimtarie bëhet edhe ribotimi i këtij libri, me dokumentin teknik të shtuar si aneks.

Libri është hartuar me të dhënat gjeologjike dhe sizmologjike deri në vitin 2005. Për gjatë 15 viteve më pas Shqipëria është tronditur nga mbi 9500 tërmete, shumica të vegjël dhe të pa ndjeshëm nga njerëzit. Në dy faqet në vijim të parathënies tregohen grafikët e thellësisë dhe madhësisë (magnitudës) të tërmeteve në periudhën korrik 2019 – janar 2020, si dhe harta e epiqendrave (të dhënat nga IGJEUM). Në grafikët të dhënat jane grupuar me ngjyra të ndryshme sipas rajoneve veriperëndim – verilindje – jugperëndim – juglindje të territorit të ndarë sipas meridianit 20° dhe paralelit 41°. Në hartat ngjyra e rrathëve tregon thellësinë e vatrave (të kuqe vatrat e cekta, të kaltra vatrat e thella), ndërsa madhësia e rrathëve tregon magnituden. Gjithashtu jepet dhe harta e tërmeteve në periudhën janar 2005 – dhjetor 2019 (të dhënat nga EMSC). Këto të dhëna konfirmojnë korrektësinë e rezultateve që jepen në libër.

Rezultatet e librit nuk janë fjala e fundit e shkencës, por janë më të mirat që kemi sot për sot. Studimet komplekse gjeologjike dhe sizmologjike duhet të vazhdojnë për të kuptuar më mirë ndërtimin gjeologjik të vendit dhe plotësuar sa më shumë pamjen e rrezikut sizmik të detajuar sipas territorit. Institucionet shkencore përkatëse duhet të mbështeten dhe nxiten nga qeveria me tërë forcat, por edhe rezultatet e punës shkencore duhet të merren parasysh si nga ndërtuesit dhe nga publiku nëpërmjet përmirësimit dhe forcimit të ligjit për rregullimin e protokolleve të projektimit dhe zbatimit të ndërtimeve, si dhe edukimit masiv. Mbrojtja nga tërmetet ka kosto, por kjo kosto nuk duhet te shmanget duke rrezikuar jetët tona dhe të atyre që do të vijnë më pas. Kur ndërtojmë nuk duhet të harrojmë se nga gabimet e sotme e pësojmë ne vetë nesër dhe nipërit dhe stërnipërit tanë pasnesër.