Konferencë shkencore ndërkombëtare “Kanceri i Qafës së Mitrës: parandalimi, diagnostikimi dhe trajtimi i tij“
- Details
- Hits: 11026
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si institucioni shkencor më i rëndësishëm në vend, ka misione prioritare në mbështetje të nevojave aktuale të vendit, në realizimin e strategjisë së kërkimit shkencor e teknologjik në fushat prioritare të saj, si dhe në iniciativa të reja në fushën e kërkimit dhe arsimit. Ajo bashkëpunon me institucionet kërkimore e të arsimit, të ekselencës shkencore, etj., në ndihmesë për gjetjen e zgjidhjeve të çështjeve me rëndësi jetike për vendin, duke i ofruar institucioneve të qeverisjes këshillim dhe ekspertizën e duhur në realizimin e detyrave të kërkimit e zhvillimit në të gjitha fushat.
Në mbështetje të trajtimeve shkencore multidisiplinore në fushën e shëndetit, si një nga problematikat prioritare të vendit, Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Cytomol - Frankfurt mbi Main – Republika Federale e Gjermanisë, Ministrinë e Shëndetësisë, Universitetin e Mjekësisë, Institutin e Shëndetit Publik, Spitalet Universitare Obstetrike Gjinekologjike “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni” e Shoqatën e Patologëve Shqiptarë, me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe UNFPA-së, organizuan më datë 4 shkurt Konferencën shkencore ndërkombëtare “Kanceri i Qafës së Mitrës: parandalimi, diagnostikimi dhe trajtimi i tij“, e cila u zhvillua në ditën ndërkombëtare të parandalimit të Kancerit të qafës së mitres.
Konferenca u zhvillua në vijim të konferencave shkencore në fushën e prioriteteve të shëndetit, në përputhje me rekomandimet e tre Konferencave të mëparshme: “Menaxhimi – Sfidë Madhore e Sistemit Shëndetësor”; “Parandalimi dhe diagnoza e hershme e kancerit - sfidat dhe mundësitë për një impakt pozitiv në Shqipëri” dhe të konferencës “Faktorët e të ushqyerit dhe ndikimi në sëmundshmëri: shëndeti përmes të ushqyerit” të zhvilluara në Akademi me bashkëpunim, të cilat kanë dhënë rekomandime të rëndësishme në lidhje me prioritetet e zhvillimit të Programit të Qeverisë në fushën e shëndetësisë.
Qëllimi i konferencës ishte evidentimi i gjendjes në Shqipëri e krahasimi i saj me vendet e tjera të Europës Perëndimore dhe sensibilizimi me problemin, bazuar në njohjen e plotë biologjike që ekziston sot në botë mbi kancerit të qafës së mitrës, që aktualisht është një nga format e kancerit që mund të parandalohet pothuajse totalisht e në mënyrë shumë të suksesshme. Gjithashtu, konferenca kishte për qëllim krijimin e shërbimeve mjekësore të shpejta dhe të një sistemi kujdesi shëndetësor cilësisht të larta, duke ruajtur e përmirësuar performancën kundrejt standarteve bazë, teksa sigurojmë balancë financiare, përmirësimin e dobishmërisë dhe produktivitetit të sistemit shëndetësor dhe sistemit të kujdesit shëndetësor, duke parandaluar shëndetin e keq, si dhe duke mbështetur njerëzit në një jetë më të shëndetëshme, falë kërkimit shkencor, inovacionit dhe rritjes; duke u mundësuar njerëzve dhe komuniteteve të marrin vendime rreth shëndetit të tyre dhe kujdesit të tyre shëndetësor dhe duke ndërtuar e zhvilluar krahun e punës dhe përmirësuar shërbimet përmes teknologjisë bashkëkohore, informacionit dhe transparencës.
Në konferencë morën pjesë mbi 142 specialistë: anatomo-patologë, obstetër-gjinokologë, biologë molekularë, mjekë të kujdesit parësor, studentë etj. e ku u prezantuan 13 referime kryesore nga specialistë shqiptarë e të vendit. Gjithashtu nëpërmjet një workshop-i të veçantë kualifikues gjermano-shqiptar në fushën e diagnostikimit të kancerit të qafës së mitres, ku u shpalosën teknikat bashkëkohore të diagnostikimit të kancerit të qafës së mitrës për parandalimin si dhe sfidat për një program më të organizuar screening në nivel kombëtar.
Nga referimet e diskutimet e problematikave kam bindje që kjo konference kishte prurje programore në arritjet e qëllimeve të zhvillimit të konferences, mbi diagnostikimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës, teknikat më efektive bashkëkohore të diagnostikimit etj. në përputhje edhe me kushtet e vendit tone, si dhe rekomandime për institucionet politikëbërëse, vendimarrëse komunitetin shkencor dhe të gjithë palët e interesuara, të përfshira në fushën e shërbimeve shëndetësore në arritjen e qëllimit të konferences.
Gjithashtu, në muajin për luftën kundër kancerit në përgjithësi, atë të ditës për KQM dhe pas konferences janë zhvilluar mjaft veprimtari sensibilizuese edhe nëpërmjet medias audiovizive e të shkruar.
Pas realizimit të konferences, sipas të dhënave të anketimit nga 84.5% të pjesëmarrësve u evidentuan disa tregues të rëndësishëm statistikorë për vlerësime shkencore. Nga pjesëmarrësit 62% ishin të seksit femër. Mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte 33,2 vjet; 63 % e pjesëmarrësve ishin mjekë të përgjithshëm, prej të cilëve 87% meshkuj; 82% e pjesëmarrësve punonin në institucione publike ndërsa pjesa tjetër e ushtronin profesionin e tyre si në ato publike dhe në ato private.
84% e pjesëmarrësve mendojnë se njohuritë e marra nga veprimtaria ishin shumë të reja dhe në përgjithësi 95,5% e pjesëmarrësve e vlerëson organizimin e përgjithshëm të veprimtarisë si shumë të mirë.
Në komentet e tyre, të anketuarit sugjeruan të organizohen të tjera veprimtari me temë mbi kancerin kolonorektal, të mitrës si dhe me tema mbi pediatrinë, apo mbi urgjencat dhe menaxhimin e tyre.
Në përfundim, konferenca aprovoi një “Kartë të Konferencës”, e cila do të shërbejë si një platformë e për institucionet politik-bërëse, vendim marrëse e palët e interesit, e jo vetë komunitetit shëndetësorë në Shqipëri e më gjerë në vendet e rajonit.
Karta e konferencës
4 shkurt 2017
Shkencëtarët, ekspertët dhe profesionistët e institucioneve e fushave të ndryshme të shëndetësisë, nga Shqipëria dhe vende të rajonit, të mbledhur në konferencën “Cervical-cancer: prevention, diagnosis and treatment”, organizuar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë,
Nënvizojnë se:
- Kanceri i qafës së mitrës është kanceri i dytë më i shpeshtë pas kancerit të gjirit për gratë e moshës 15-49 në Shqipëri. Çdo vit rreth 40 gra vdesin në moshë relativisht të re nga ky kancer.
- Vdekjet nga kanceri i qafës së mitrës konsiderohen të parandalueshme. Me njohuritë shkencore dhe teknologjinë ekzistuese nuk duhet të kishim vdekje nga ky kancer. Programet e depistimit për këtë kancer konsiderohen gjithashtu si shumë kosto-efektive dhe do të kishin përfitime të matshme për gjithë shoqërinë.
- Prirjet në kohë të këtij kanceri në Shqipëri nuk tregojnë shenja rënie, përkundrazi. Organizimi dhe mbështetja e shërbimeve ekzistuese janë të pamjaftueshme, të papërshtatshme dhe jo efektive për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës në popullatë. Në Shqipëri ofrohen vetëm shërbime të depistimit sporadik me një mbulesë shumë të ulët në popullatë, pa garantim të elementeve të etikës dhe me kontroll të mangët të cilësisë.
Institucionet kërkimore/akademike/shëndetësore në Shqipëri, vitet e fundit kanë prodhuar mjaftueshëm informacion që lejon një analizë të përshtatshme të kapaciteteve dhe nevojave në nivele të ndryshme të sistemit shëndetësor, lidhur me fillimin e një programi të depistimit kombëtar. Bazuar në këtë informacion, Konferenca rekomadon me forcë:
- Fillimin e një depistimi të organizuar për kancerin e qafës së mitrës në Shqipëri. Edhe në kushtet e ekzistencës së një vaksine për imunizimin kundër HPV, programi i depistimit ngelet i domosdoshëm; sikur një program vaksinimi kundër HPV të fillonte tani, efektet e tij në shëndetin e grave do të përftoheshin vetëm pas 30 apo 40 vitesh.
- Që një program i tillë të jetë efektiv dhe të ketë pak risqe ai duhet të jetë i organizuar dhe të sigurojë një mbulesë të lartë depistimi, ndërkohë që siguron një kontroll të cilësisë në të gjitha nivelet e sistemit. Një program depistimi për kancerin e qafës së mitrës i përfshin të gjithë nivelet e sistemit shëndetësor dhe kërkon një organizim të përshtatshëm për bashkëpunimin mes tyre në funksion të shërbimeve për gruan dhe shëndetin e saj.
- Që programi i depistimit në Shqipëri të ketë një mbulesë të lartë duhet të sigurojë ftesën apo informimin e organizuar dhe personal për gratë që do të përfshihen në program. Për një mbulesë të lartë do të shërbenin masat për uljen e barrierave financiare (pa kosto për gratë e përfshira) dhe gjeografike (testet depistuese dhe ekzaminimet gjinekologjike sa më pranë grave, ndërkohë që leximi i testeve në mënyrë të centralizuar)
- Program i depistimit të organizuar duhet të aplikohet në mënyrë graduale dhe sigurojnë qëndrueshmërinë në kohë përmes masave ligjore dhe mbështetjes së Ministrisë së Shëndetësisë.
Bazuar në informacionin më të mirë shkencor që ekziston sot në botë në fushën e kontrollit të kancerit të qafës së mitrës, si dhe udhëzuesit më të fundit europianë për sigurimin e cilësisë në depistimin për kancerin e qafës së mitrës dhe udhëzuesit e Praktikës Bazë për kontrollin gjithëpërfshirës të kancerit të qafës së mitrës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, konferenca orienton masat për t’u ndërrmarrë në këtë fushë në Shqipëri sipas principeve të mëposhtme:
- Për nivelin e zhvillimit të vendit tonë dhe për të shmangur në maksimum ndërhyrjet invazive të padobishme, në Shqipëri është më e përshtatshme strategjia ‘depistim–diagnostikim–trajtim i parakancerit’ kundrejt strategjisë ‘depistim-trajtim’;
- Qendrat e kujdesit shëndetësor parësor janë vendi më i përshtatshëm për kontaktin e grave të përfshira në program me personelin shëndetësor dhe ofrimin e shërbimeve të këshillimit dhe marrjes së mostrës biologjike për testin e depistimit. Mjekët, mamitë dhe infermerirët që punojnë në këto qendra, për të përballuar një program depistimi në shkallë të gjerë, duhet të mbështeten me trajnim, bazuar në udhërrëfyes/protokolle kombëtare;
- Nuk duhet lejuar që mangësitë në diagnozë dhe trajtim në institucionet shëndetësore publike të kërcënojnë besimin e publikut tek programi. Duhen bërë përpjekje për minimizimin sistematik të tyre dhe sigurimin e të gjithë shërbimeve bazë të diagnozës dhe trajtimit në Shqipëri;
- Për të rritur kosto-efektivitetin dhe për të kontrolluar cilësinë, leximi i testeve të depistimit primar duhet centralizuar në Tiranë;
- Përveç pap-testit, duhet të merret në kosideratë seriozisht përdorimi i testit të HPV me risk të lartë si test i depistimit primar për arsye të efektivitetit dhe prakticitetit gjatë aplikimit të tij në shkallë të gjerë;
- Nuk është kosto-efektive përdorimi paralel i dy testeve të depistimit primar, por është e rekomandueshme që njëri prej testeve të përdoret si triazh, për gjithë rastet që rezultojnë pozitive në testimin primar.
Në përfundim, pjesëmarrësit në konferencë, pas shkëmbimit të përvojave më të mira të deritanishme në Shqipëri dhe në vende të tjera, bien dakord mbi nevojën për organizim dhe koordinim ndërinstitucional në këtë fushë:
- Ministria e Shëndetësisë duhet të udhëheqë procesin e ngritjes së programit kombëtar për depistimin e kancerit të qafës së mitrës përmes mekanizmave ligjore dhe mbështetjes financiare
- Spitalet Universitare në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik dhe Qendrën Kombëtare të cilësisë dhe sigurisë duhet të përgatisin standardet, mekanizmat e përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë dhe treguesit e vlerësimit e të monitorimit të programit. Bashkëpunimi me ekspertë ndërkombëtarë në këtë fushë do të ishte i dobishëm. Një bord me përfaqësues nga këto institucione dhe i miratuar nga Ministri i Shëndetësisë do të ndihmonte ndjekjen në vijimësi të tyre.
Hartuar nga grupi moderatorëve me prurjet e zhvillimit të conferences dhe me kontributin e specialistëve të fushës nga Shqipëria, Gjermania, Slovenia, Çekia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Tiranë, 4 Shkurt 2017