THIRRJE PËR PJESËMARRJE NË KONFERENCËN SHKENCORE QENDRAT E BANUARA TË SHQIPËRISË – GJENDJA DHE E ARDHMJA
- Details
- Hits: 3000
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Xhuvani” - Elbasan dhe Universitetin “Eqrem Çabej” - Gjirokastër, do të organizojnë:
KONFERENCËN SHKENCORE
QENDRAT E BANUARA TË SHQIPËRISË – GJENDJA DHE E ARDHMJA
15 dhjetor 2021
Temat e referencës
- Roli i kushteve gjeografiko-natyrore në formimin dhe shpërndarjen e vendanimeve shqiptare. Rëndësia dhe roli i vendndodhjes, relievit, klimës, ujërave, pasurive minerare, bimore e shtazore, trashëgimisë natyrore në lindjen dhe evolimin e qendrave të banuara, mundësitë e komunikimit e marrëdhëniet me vendbanimet dhe hapësirat e afërta e të largëta. Vendbanimet dhe rreziqet natyrore.
- Historia e vendbanimeve në hapësirën shqiptare. Faktorët e ndryshëm gjeografikë, historikë dhe kulturorë ndikues në krijimin dhe funksionimin e vendbanimeve. Historia e popullimit, lindja dhe etimologjia, fazat historike të zhvillimit dhe të evolucionit deri sot.
- Popullsia dhe vendbanimet. Ecuria e numrit të popullsisë, përqendrimet e saj, heterogjeniteti/homogjeniteti i popullsisë; shtimi natyror, migrimet dhe faktorët natyrorë, socialë, politikë, shëndetësorë etj., Efektet e tyre; strukturat sasiore dhe cilësore të popullsisë; gjendja sociale, cilësia e jetës, gjendja shëndetësore dhe arsimore; kultura, traditat materiale e jo materiale; trashëgimia kulturore.
- Urbanistika dhe infrastruktura. Lidhjet rrugore, sigurimi i energjisë, ujit, komunikimit, aksesi në internet etj. Morfologjia urbane/rurale, tipologji/tiparet e zhvillimet materiale të objekteve/lagjeve, zonimi funksional hapësinor/modele, gravitacioni urban, lëvizjet pendulare etj.
- Përdorimi i GIS-it në planifikimin dhe menaxhimin e qendrueshëm të qendrave të banuara.
- Klasifikimi i vendbanimeve sipas origjinës, vendndodhjes dhe funksioneve. Vendbanim i vjetër apo i ri, fushor, kodrinor apo malor, me funksione banimi, pushimi, prodhues, aktivitete shërbimi, kompleksi i botës së punës të qytetit/fshatit. Tipologjitë bazë të funksioneve, roli dhe perspektiva e tyre funksionale; tipi i qendrës së banuar: qytet/fshat, administrative, industriale, bujqësore, turistike, tregtare, universitare, ushtarake etj. Vendbanimet rurale dhe cilësia e peizazhit.
- Vendbanimet e braktisura ose/dhe të zhvendosura. “Qytete të reja” monustrukturorë të periudhës së komunizmit dhe dilema e mbijetesës së tyre pas vitit 1990. Faktorët e mundësitë e rivitalizimit/rifunksionimeve të tyre dhe të qendrave të tjera të banuara.
- Vendbanimet dhe territori, resurset humane dhe proceset urbanizuese. Vendbanimet dhe përdorimi i tokës; evolucioni i tyre dhe peizazhi. Potenciali human e gjendja socialekonomike, të ardhurat, cilësia e jetës, struktura e popullsisë dhe prirjet, profili ekonomik/funksional, përdorimi i tokës, ndryshimet hapësinore dhe strukturore.
- Problematikat e administrimit të vendbanimeve. Reformat e ndryshme territoriale dhe efektet e tyre në menaxhimin e territorit. Evolucioni hapësinor i njësive administrative.
- Ekonomia e vendbanimeve. Aktivitetet prodhuese dhe sigurimi i të ardhurave. Struktura e prodhimit në qytet dhe fshat. Mundësitë e zhvillimit të qëndrueshëm dhe siguria e vazhdimësisë së qëndrueshme në bazë të potencialeve natyrore, humane dhe ekonomike. Rivitalizimet urbane/rurale dhe zhvillimet turistike me fokus historik dhe të viteve të fundit. Mbajtja e lidhjeve dhe rikthimi i banorëve të larguar.
Bashkëngjitur temat e referencës.
Shënim: Tema bashkë me abstraktin duhet të dorëzohet deri më datë 15 nëntor 2021, në adresën This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it..