Përurimi i Njësisë kërkimore të gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierisë të ngritur pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
- Details
- Hits: 147
U mbajt forumi i parë shkencor: “Kapacitetet gjeometrike dhe parametrat e sizmicitetit të zonës së Elbasanit, evidentimi dhe qasja me politikat e Energjisë së Gjelbër sipas BE-së”.
***
Akad. Skënder Gjinushi: Njësitë tona synojnë të kenë kontakte me institucionet e kërkimit kudo që janë, së pari në rajon, në Europë e më gjerë. Ky është qëllimi i ngritjes së njësive, nuk është monopolizimi apo uzurpimi i kërkimit shkencor. Akademia e Shkencave nuk është përfituese në aspektin material, por është përfituese në aspektin moral, është përfituese në kryerjen e misionit të saj për ngritjen e kërkimit shkencor.
Akad. asoc, Rrapo Ormëni, drejtues i Njësisë kërkimore të gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierisë, pranë ASHSH:
Ky forum shkencor provon më së miri rolin e Njësisë kërkimore të gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierisë si njësi shkencore që koordinon dhe nxit kërkimin shkencor për komunikimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm midis qendrave kërkimore, shkencëtarëve dhe studiuesve në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo mundësi e realizimit të studimeve shkencore në nivel të lartë në fushën e gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierisë, u arrit në saj të reformës së madhe të ndërmarrë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në drejtim të zhvillimit të kërkimit shkencor përgjatë 5 viteve të fundit.
Dr. Viktor Doda: Akademia e Shkencave nga viti 2018 e në vazhdim, po bën një punë të mirë për ta orientuar zhvillimin e shkencës në vendin tonë në drejtim të problematikave që ka nevojë vendi dhe kombi. Me vendime të posaçme të Akademisë së Shkencave, janë ngritur dhe po organizohen grupe pune të njësive shkencore sipas përkatësisë dhe problematikave shkencore që do të trajtojë. E tillë është dhe ngritja e Njësisë së gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierisë. Unë e konsideroj kontribut me vlerë të Akademisë së Shkencave ngritjen e kësaj njësie me rëndësi të madhe teorike dhe praktike për vendin dhe kombin tonë, jo vetëm për problematikën që kanë shkencat e gjeoinxhinierisë të vendit tonë, por edhe për përfshirjen në këtë njësi të grupeve kërkimore të gjithë ekspertizën më profesionale, publike dhe private, në gjithë hapësirën kombëtare shqiptare: Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut.
***
Njësia kërkimore e gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë organizoi sot, më 30 maj 2023, forumin e parë shkencor me temën “Kapacitetet gjeometrike dhe parametrat e sizmicitetit të zonës së Elbasanit, evidentimi dhe qasja me politikat e Energjisë së Gjelbër sipas BE-së”.
Forumi u mbajt me grupet shkencore brenda Njësisë kërkimore të gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierisë (ASHSH), në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, me IGJEO, FIMIF, FGJM në Universitetin Politeknik të Tiranës, FSHN, me Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, SHGJSH, fakultetin e gjeoshkencave, Universitetin “Isa Boletini” në Kosovë.
Ky forum u moderua nga dr. Albana Hasimi, koordinatore e Njësisë kërkimore të gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierisë (ASHSH)
Akad.asoc. Rrapo Ormëni, drejtues i Njësisë kërkimore të gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierisë, pranë ASHSH, çeli forumin dhe përshëndeti Kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushin, dhe pjesëmarrësit në forum, akademikë, profesorë, kërkues shkencorë, studentë dhe të ftuar.
Ky forum shkencor, provon më së miri rolin e Njësisë kërkimore të gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierisë si njësi shkencore që koordinon dhe nxit kërkimin shkencor për komunikimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm midis qendrave kërkimore, shkencëtarëve dhe studiuesve në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo mundësi e realizimit të studimeve shkencore në nivel të lartë në fushën e gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierisë u arrit në saj të reformës së madhe të ndërmarrë në Akademinë e Shkencave te Shqipërisë në drejtim të zhvillimit të kërkimit shkencor përgjatë 5 viteve të fundit.- tha akad. asoc. Rrapo Ormëni.
Akad. asoc. Ormëni falënderoi Kryesinë e Akademisë së Shkencave dhe kryetarin e saj, akademik Skënder Gjinushin, për zhvillimin dinamik që i kanë dhënë kërkimit shkencor në vendin tonë dhe integrimin e tij në trojet shqiptare. Ai falënderoi posaçërisht drejtuesit e gjithë bashkëpunëtorët shkencorë, anëtarë të 8 grupeve kërkimore, të ngritura brenda Njësisë së gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierisë, që mundësuan këtë forum në një periudhë shumë të shkurtër kohore, rreth dymujore nga krijimi i Njësisë së gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierisë, pranë ASHSH.
Akad. Skënder Gjinushi, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë përshëndeti krijimin e kësaj njësie dhe premtoi mbështetjen e veprimtarisë së saj dhe falënderoi gjithë institucionet që duan të jenë pjesë e kësaj njësie, si institucionet e arsimit të lartë, por edhe institucionet kërkimore shkencore në Shqipëri dhe në Kosovë.
Akad. Gjinushi tha se këtë takim e bëjmë për të inauguruar njësinë e re të kërkimit të gjeoshkencës dhe gjeoinxhinierisë, dhe si njësi që e ka nisur me vrull aktivitetin saj dhe që përurimin e fillon me një konferencë shkencore me një temë mjaft të rëndësishme. Roli i njësisë së gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierisë është nxitja dhe koordinimi në studime dhe projekte shkencore të nivelit elitar në fushën e gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierisë.
Gjithë politika e Akademisë së Shkencave është që ato të kenë një bashkëpunim sa më të gjerë të bashkëpunëtorëve dhe të anëtarëve të saj, apo të strukturave bashkëpunuese në të gjitha trevat shqiptare, sipas modelit që është krijuar tashmë në ngritjen e të gjitha njësive, të NanoALb-it, Njësia e bio-gjenetikës, Njësia e sizmologjisë, që imponohej nga kriza e pas tërmetit të 2019-s, që ka qenë edhe embrioni i njësisë që u përurua sot me aktivitetin e saj të parë.
Akad. Gjinushi theksoi se qëllimi parë i ngritjes së njësive është që Akademia e Shkencave të luajë sa më mirë rolin e koordinuesit shkencor, të evidentimit të nivelit të kërkimit shkencor në fusha të caktuara, në mënyrë që të jetë një oponente, një mbështetëse kryesore ndaj ekzekutivit, për të ndërmarrë hapat e nevojshme në rritjen e kapaciteteve, në strukturimin e këtyre institucioneve që merren me kërkimin apo që mbulojnë kërkimin në fushat e gjeologjisë apo në fushat inxhinierike që lidhen me gjeologjinë.
Njësitë tona synojnë të kenë kontakte me institucionet e kërkimit kudo që janë, së pari në rajon, Europë e më gjerë. Ky është qëllimi i ngritjes së njësive, nuk është monopolizimi apo uzurpimi i kërkimit shkencor. Akademia e Shkencave nuk është përfituese në aspektin material, por është përfituese në aspektin moral, është përfituese në kryerjen e misionit të saj për ngritjen e kërkimit shkencor. -tha akad. Gjinushi.
Pasi e krahasoi zhvillimin e kërkimit shkencor me arsimin, akad. Gjinushi tha se në periudhën e pas ‘90-s, kemi hapje shkollash të larta pa kriter dhe mbyllje institucionesh shkencore, pra qendra të kërkimit, pa kriter. Kjo ka bërë të çekuilibrohet raporti arsim-shkencë, të cilat nuk ecin dot pa njëra- tjetrën.
Në fund të fjalës përshëndetëse, akad. Gjinushi i përgëzoi për punën e bërë të gjithë bashkëpunëtorët e forumit dhe premtoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të plotë të Akademisë së Shkencave.
Dr. Viktor Doda foli për krijimin dhe rolin e Njësisë kërkimore të gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierisë të ngritur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Dr. Doda tha se Akademia e Shkencave, nga viti 2018 e në vazhdim, po bën një punë të mirë për ta orientuar zhvillimin e shkencës në vendin tonë në drejtim të problematikave që ka nevojë vendi dhe kombi. I tillë ishte aktiviteti i saj gjatë pandemisë Covid-19 në vitet 2020, 2021, 2022, ku me akademikë dhe në bashkëpunim me institucionet e fushës përkatëse bëri shumë aktivitete dhe dha konkluzionet përkatëse.
Mbas tërmetit të 26 nëntorit 2019, grumbulloi rreth Akademisë së Shkencave gjithë ekspertizën përkatëse shkencore e praktike brenda vendit, në rajon dhe më gjerë dhe organizoi një konferencë ndërkombëtare për të gjithë problematikën në nëntorin e vitit 2021, duke dhënë rekomandime përkatëse për hartimin e Eurokodeve dhe problemeve të tjera për qëndrueshmërinë e ndërtimit të veprave inxhinierike nga rreziku sizmik.
Dr. Doda vuri në dukje se marrja përsipër e botimeve të veprave të ndryshme, me rëndësi praktike dhe teorike, e autorëve të ndryshëm të cilët kontribuojnë në institucionet kërkimore shkencore të vendit dhe kombit tonë, është një ndihmesë e Akademisë së Shkencave për studiuesit. Po punohet për hartimin e veprave me karakter kombëtar, me grupe pune në fushën e historisë, gjuhësisë, etj.
Kohët e fundit, me vendime të posaçme të Akademisë së Shkencave, janë ngritur dhe po organizohen grupe pune të njësive shkencore sipas përkatësisë dhe problematikave shkencore që do të trajtojë.
Unë e konsideroj kontribut me vlerë të Akademisë së Shkencave ngritjen e kësaj njësie me rëndësi të madhe teorike dhe praktike për vendin dhe kombin tonë, jo vetëm për problematikën që kanë shkencat e gjeoinxhinierisë të vendit tonë, por edhe për përfshirjen në këtë njësi të grupeve kërkimore të gjithë ekspertizën më profesionale, publike dhe private, në gjithë hapësirën kombëtare Shqiptare: Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut. -tha dr. Doda.
Dr. Doda rrëfeu historikun e përpjekjeve për krijimin e njësisë kërkimore të gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierisë që filluan në mars të vitit 2022, në kuadër të reformimit të gjithanshëm të Akademisë së Shkencave, duke kujtuar grupin e nismëtarëve si Rrapo Ormeni, Vasil Jorgji, Naser Peci, Ismail Hoxha, Bashkim Kastrati, Klodian Skrame, Viktor Doda, Bashkim Çela, Niko Naska.
Më datën 1 mars 2023, Kryesia e Akademisë së Shkencave vendosi për ngritjen e “Njësisë kërkimore afatshkurtër në fushën e gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierisë” me drejtues akad.asoc.Rrapo Ormeni; zv.drejtues prof.Naser Peci; koordinatore dr. Albana Hasimi. Propozimi u aprovua me vendimin e kryesisë së akademisë së shkencave numër 15 në datën 14 Prill 2023.
Njësia kërkimore gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierisë në një periudhë vetëm dymujore po kryen aktivitet në një projekt shkencor të sponsorizuar nga AKKSH-i dhe ka aplikuar në këtë periudhë dymujore në dy projekte të tjera shkencore te AKKSH-i dhe është në proces aplikimi në dy projektet bilaterale. Në këtë periudhë dymujore janë ngritur 8 grupe shkencore brenda njësisë kërkimore të gjeoshkencës dhe gjeoinxhinierisë.
II. Studimet e prezantuara në forumin shkencor
Në forumin shkencor “Kapacitetet gjeometrike dhe parametrat e sizmicitetit të zonës së Elbasanit, evidentimi dhe qasja me politikat e Energjisë së Gjelbër sipas BE-së” u paraqitën studime të parametrave fizikë, kimikë dhe sizmikë, si dhe të korrelacioneve ndërmjet tyre të realizuara për herë të parë në vendin tonë.
Akad. asoc. prof. dr. Rrapo Ormeni, (Instituti i Gjeoshkencave, UPT,) prezantoi punimin e tij shkencor me temë: Vlera e koeficentit sizmik “b”, graviteti Bouguer dhe të dhënat e fluksit së nxehtësisë në zonën e Elbasanit: Implikimet tektonike dhe strukturore.
Prof. dr. Naser Peci (Fakulteti Gjeoshkencave, Univ. “Isa Boletini”, Kosovë) prezantoi online punimin për gjeologjinë dhe zonat gjeotermale të Kosovës.
Prof. asoc. dr. Klodian Skrame (Fakulteti gjeologji - miniera, UPT), më parë falënderoi Kryetarin e Akademisë së Shkencave për ndihmesat dhe themelimin e njësisë që do të jetë një element koordinues mes profesionistëve, institucioneve dhe teknikëve të ndryshme paraqiti materialet e kërkimit të tij për ndërtimin gjeologjik dhe strukturor të zonës gjeotermale të Elbasanit, që lidhen e aktivitetin sizmik dhe nga ana tjetër rrëshqitjet e tokës në zona të ndryshme.
Dr. Albana Hasimi, (Instituti i i gjeoshkencave, UPT) paraqiti studimin për kushtet klimatike në zonën në ujërat termale e minerale të Elbasanit dhe korrelimin e faktorëve klimatikë në cilësinë e këtyre ujërave.
Dr. Edlira Tako, (Fakulteti Inxhinierisë Matematike & Fizike, UPT) foli për aplikimet e triciumit si gjurmues në studimet hidrologjike dhe bëri disa sugjerime konkrete.
Dr. Elvin Çomo, (Instituti i gjeoshkencave, UPT), paraqiti studimin për ujërat termale e minerale në zonën e Elbasanit, klasifikimin e tyre dhe vetitë fiziko-kimike parë në kimizmin e tyre.
Dr. Blerina Papajani, (Fakulteti i shkencave të natyrës, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”) prezantoi bazat ligjore për menaxhimin e ujërave dhe problematikat që burojnë.
U bënë diskutime dhe konkluzionet e takimit.
Studimet e kryera analizojnë parametrat gjeotermalë në zonën e Elbasanit, për të dhënë zgjidhje dhe metodologji që të ndihmojnë autoritetet qeverisëse për të përmirësuar punën në këtë zonë të begatë nga natyra, zonë kurative, turistike, biznesi, me resurse energjetike dhe me rreziqe natyrore të ulëta.
Forumi shkencor do të ndihmojë për organizimin e punës nga institucionet dhe shërbimet shtetërore përkatëse; për verifikimin e gjendjes së standardeve të detyrueshme kurative-shëndetësore, të problematikave mjedisore dhe te vlerësimit te efekteve sizmike sipas një rajonalizimi sizmik të ngushtë te zonës; për të vlerësuar riskun që u paraqitet burimeve dhe puseve termale, si dhe veprave ndërtimore në zone. Ky forumi konfirmon më së miri objektivin për një bashkëpunim dhe partneritet të qëndrueshëm midis institucioneve vendase dhe në Kosovë, por dhe një mundësi shumë të mirë për të iniciuar dhe ndërtuar bashkëpunime të qëndrueshme dhe me interes reciprok në Shqipëri e Kosovë, por edhe më gjerë në Malin e Zi e Maqedoni.
Gjithashtu, ky forum shkencor do të ndihmojë me punimet shkencore, me konkluzionet e rekomandimet kryesore, pushtetin lokal, bizneset, frekuentuesit e llixhave për zhvillimin e qëndrueshëm të aktiviteteve kurative, turistike përfitime në fushën ekonomike te zonës si dhe studiuesit, stafin akademik dhe studentët në fushën e gjeoshkencave, inxhinierisë civile dhe mjedisit për hulumtime të reja.
Përfituesit indirekt janë një komuniteti më i gjerë shkencor, si dhe politikë-hartuesit për zhvillimin afatgjatë të qëndrueshëm të zonës së studimit.