Konferenca shkencore ndërkombëtare, “Probleme të reja të albanologjisë në kohën e sotme”
- Details
- Hits: 183
Trajtohen “Probleme të reja të albanologjisë në kohën e sotme”, dy ditë konferencë ndërkombëtare, organizuar nga Universiteti i Shkodrës "Luigj Gurakuqi" në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave së Shqipërisë.
***
Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Gjinushi theksoi rëndësinë që ka albanologjia për të bashkuar institucionet në veprimtari shkencore të kësaj natyre dhe rolin koordinues në rritje të ASH.
Akademia e Shkencave ka ndërmarrë prej disa vitesh realizimin e tre projekteve përparësorë në albanologji: Historinë e shqiptarëve, si tekst akademik në funksion të promovimit të identitetit dhe të trashëgimisë shqiptare kundrejt bashkësisë europiane; Fjalorin e madh të gjuhës shqipe, si një konfirmim të shkallës së njësimit të shqipes në rrafshin leksikor; dhe Enciklopedinë shqiptare, si një amzë të përgjithshme vetënjohjeje e vetëprezantimi kundrejt botës së madhe.
U çel sot në Shkodër në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, konferenca shkencore ndërkombëtare, “Probleme të reja të albanologjisë në kohën e sotme” e organizuar në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Në këtë konferencë ishin të pranishëm rektorja e USH prof. dr. Suzana Golemi, kryetari i ASHSH akad. Skënder Gjinushi, z. Benet Beci kryetar i bashkisë së qytetit të Shkodrës, prof. dr. Artan Haxhi, prof. dr. Anila Omari, akad. Genc Sulçebe, prof. dr. Neritan Ceka, akad. Shaban Sinani, prof. asoc. dr. Evalda Paci, prof.dr. Aleksandr Rusakov, prof.dr. Tomor Plangarica, akademikë e profesorë, studiues e studentë të pranishëm.
Kjo konferencë shkencore koordinohet nga dr.Zamira Shkreli dhe akad. asoc. Gëzim Hoxha.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi në fjalën e përshëndetjes uroi përzemërsisht mbarësi dhe suksese në këtë konferencë të rëndësishme shkencore ndërkombëtare, e cila u kushtohet problemeve aktuale të albanologjisë, organizuar dhe përgatitur me kujdes nga Universiteti i Shkodrës dhe Akademia e Shkencave.
Akad. Gjinushi nxori në pah problemin e zhvillimit të pabarartë midis arsimit të lartë, të rregulluar me ligj të veçantë, por pa status e detyrime të qarta për kërkimin shkencor, që përkthehet so shkak për demotivimin e tij. Me miratimin e ligjit të ri për shkencën, që është në proces, rregullohet i gjithë sistemi akademik dhe jepen mundësi për një zhvillim paralel të kërkimit shkencor për gjithë institucionet kërkimore-shkencore.
Kjo konferencë është një veprimtari e dy institucioneve që historikisht e kanë pasur dhe e kanë prioritet albanologjinë, qëkurse janë themeluar, dhe ndihen gjithnjë në përgjegjësi para problematikave të saj përherë me sfida të reja.
Dy vjet më parë, ne organizuam një kongres ndërkombëtar të studimeve albanologjike, që na shërbeu jo vetëm për të verifikuar qëndrueshmërinë mbikohore të tezave themelore të albanologjisë, propozuar e argumentuar së pari nga shkencëtarët gjermanë, austriakë e të tjerë; jo vetëm për t’u njohur me arritjet dhe problemet e qendrave dhe shkollave të sotme të albanologjisë në Botë dhe të të gjitha këtyre së bashku me albanologjinë tonë; por edhe për të hedhur një hap të rëndësishëm për rrjetëzimin e institucioneve shkencore ne albanologji dhe studiuesve të tyre brenda dhe jashtë vendit.
Akad. Gjinushi në fjalën e tij u përqendrua te rëndësia që ka albanologjia për të bashkuar institucionet në veprimtari shkencore të kësaj natyre.
Më andej ai theksoi se në vijim të kësaj tradite, një muaj më parë dega e albanologjisë në Mynih organizoi një tjetër konferencë albanologjike ndërkombëtare kushtuar zhvillimeve të shqipes në rrugëtimin e saj historik e gjuhësor; që ndriçoi çështje specifike të studimeve shqiptare të kësaj fushe.
Konferenca jonë e tanishme i ka caktuar vetes si detyrë të përqendrohet në aktualitetet e albanologjisë, që, duke qenë gjithnjë në zhvillim e sipër e në larmi, janë e do të jenë përherë objekt studimi përparësor. –tha akad. Gjinushi.
Çështje të reja në albanologji ka për shumë arsye. Zbatimi i teknologjive të reja është një prej tyre. Numerizimi, gjuhësia digjitale, informatizimi global, përbëjnë vetëm faktorin teknik të këtyre zhvillimeve. Disiplina e nëndisiplina të reja lindin vazhdimisht për së pari ose si kombinime të dijeve të mëparshme me objekt shkencor të ndarë. Harta e albanologjisë në Botë është gjithnjë në ndryshim. Interesimi për botën shqiptare, për identitetin tonë, për historinë dhe vlerat e qytetërimit, sot është jo vetëm për shkencë të pastër, por edhe për qëllime të programuara, sepse e ardhmja e afërme e Shqipërisë është në federatën europiane të popujve, dhe askush nuk të pranon në shtëpinë e vet pa të njohur mirë.
Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi theksoi se ligji i ri për shkencën do të normalizoje vetë sistemin.
Në një të ardhme të afërme gjithë legjislacioni shqiptar duhet të ekzistojë edhe në gjuhët e bashkësisë europiane, së paku anglisht; me mijëra do të jenë nëpunësit europianë që do t’i bashkohen administratës lokale dhe të gjithë këta do ta kenë të nevojshme mbrojtjen e gjuhës shqipe në nivelin C1, njësoj si detyrimi i shqiptarëve për të njohur në këtë nivel gjuhët e mëdha të komunikimit në kontinent. Dhe këtu universiteteve u hapen punë e u dalin detyra, të cilat mund t’i çojnë përpara edhe ato vetë.
Pikërisht duke e njohur këtë realitet e këtë perspektivë Akademia e Shkencave ka ndërmarrë prej disa vitesh realizimin e tre projekteve përparësorë në albanologji: Historinë e shqiptarëve, si tekst akademik në funksion të promovimit të identitetit dhe të trashëgimisë shqiptare kundrejt bashkësisë europiane; Fjalorin e madh të gjuhës shqipe, si një konfirmim të shkallës së njësimit të shqipes në rrafshin leksikor; dhe Enciklopedinë shqiptare, si një amzë të përgjithshme vetënjohjeje e vetëprezantimi kundrejt botës së madhe. - tha akad. Gjinushi.
Ai theksoi se këto projekte bashkëdrejtohen dhe koordinohen nga dy akademitë e shkencave, në Shqipëri e Kosovë; realizohen me bashkëpunimin e të gjitha qendrave universitare e akademike në hapësirën shqiptare, ballkanike e europiane dhe janë në shërbim të së ardhmes europiane të vendit tonë e të gjithë shqiptarëve. Gjatë dy ditëve studiuesit tanë do të paraqesin rezultatet e kërkimeve të tyre për çështje të reja të shfaqura në albanologji. -tha akad. Gjinushi.
Konferenca do të vijojë edhe nesër më 26 maj në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.
Kjo është veprimtaria e parë e përbashkët me ASH pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit dypalësh vetëm pak javë të shkuara.
Në konferencë marrin pjesë 36 studiues të albanologjisë nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Akademia e Shkencave së Shqipërisë, Institutet e Historisë dhe Letërsisë si, dhe katedra të tjera universitare në Shqipëri.