Fjala e akademik Skënder Gjinushit, Kryetar i Akademisë së Shkencave, për paraqitjen e kandidaturave për tituj akademikë në mbledhjen e Asamblesë, datë 29 qershor 2020
- Details
- Hits: 9151
Të nderuar anëtarë të Asamblesë së Akademisë së Shkencave,
Kam kënaqësinë dhe detyrimin ligjor që, në bazë të nenit 32 pika 4 të Statutit, të paraqes para jush kandidatët për titujt akademik i asociuar e akademik dhe për titullin anëtar të jashtëm i Akademisë, për të kërkuar nga ju ushtrimin e së drejtës për votim, udhëhequr nga roli dhe funksioni kryesor yni: pranimi i anëtarëve të rinj në radhët e saj, nga ata që përmbushin standarde të larta në lidhje me personalitetin, punën dhe reputacionin në shkencë e kulturë.
Siç jeni në dijeni, kjo Asamble, me vendimin nr. 37, datë 11.11.2019, hapi 10 fusha të reja konkurrimi. Gjatë këtij procesi u kandiduan dhe 5 anëtarë të jashtëm, si edhe 4 nga kolegët tanë kërkuan avancim për titull (3 anëtarë të jashtëm e dy prej kolegëve janë zgjedhur tashmë me vendimin e datës 21 shkurt 2020).
Kandidatët që paraqiten sot para jush kanë ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara nga ligji dhe statuti. Plotësimi i kritereve ligjore prej tyre ju është bërë e njohur përmes relacionit të komisionit teknik.
Për t’u theksuar është që, për të gjithë kandidatët: propozuesit, njësitë bazë, senatet dhe komisionet përkatëse, janë shprehur pozitivisht, duke vlerësuar në tërësi përmbushjen e plotë të kritereve specifike profesionale, shkencore. Gjatë zbatimit të procedurave të reja ligjore, që u realizuan për herë në institucionin tonë sipas parashikimit në ligjin e ri të reformës së Akademisë së Shkencave, i cili ndër të tjera mundëson e kërkon një bashkëpunim më të ngushtë e të institucionalizuar me institucionet e arsimit të lartë e ato kërkimore-shkencore, u dëshmua efektiviteti i ndryshimeve në kuadrin ligjor. Me këtë rast i falënderojmë këto institucione dhe kolegët tanë për bashkëpunimin e mirëkuptimin.
Në zbatim të Statutit, kandidaturat iu nënshtruan dëgjimit e votimit në seksione, që, siç jeni në dijeni, i mbështetën ato maksimalisht, nëpërmjet votimit të fshehtë.
Në mbyllje të procesit për pranimet e reja, të mundësuara nga hapësirat e reja ligjore që i shërbejnë ripërtëritjes së anëtarësisë së Akademisë, bazuar në Statut, kam legjitimitetin dhe nderin të paraqes për votim para jush kandidaturat e mëposhtme:
I. Kandidojnë për titullin akademik i asociuar:
1. Prof. dr. Adrian Civici, fusha e studimeve: shkencat ekonomike;
2. Prof. dr. Artan Boriçi, fusha e studimeve: fizikë;
3. Prof. dr. Kristina Jorgaqi-Jano, fusha e studimeve: gjuhësi;
4. Prof. dr. Mimoza Hafizi, fusha e studimeve: fizikë;
5. Prof. dr. Rajmonda Bualjoti-Cako, fusha e studimeve: inxhinieri.
II. Kandidojnë drejtpërsëdrejti për titullin akademik:
1. Prof. dr. Genc Sulçebe, fusha e studimeve: mjekësi;
2. Prof. dr. Ilia Mikerezi, fusha e studimeve: biologji;
3. Prof. dr. Pëllumb Xhufi, fusha e studimeve: historiografi.
III. Kandidatë për avancim në titull në fushën e tyre të studimeve:
1. Akad. asoc. Arian Durrësi;
2. Akad. asoc. Ilirjan Malollari.
IV. Promovohen për anëtarë të jashtëm të Akademisë:
1. Ardian Ndreca, fusha e studimeve: filozofi;
2.. Ardian Vehbiu, fusha e studimeve: eseistikë.