Ismail Kadare

Fjala e kryetarit të Akademisë së Shkencave, Akademik Skënder Gjinushi, me rastin e 84-vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë

 

Kadare, vendimi dhe propozimi

 

I.

 

Me vendimin nr. 9 datë 16.01.2020 Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë i ka ripropozuar Akademisë Mbretërore të Shkencave të Suedisë kandidaturën e shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare për çmimin Nobel në letërsi, duke vlerësuar jo vetëm nderimin përparues të tij në shkallë ndërkombëtare, por edhe rolin e pazëvendësueshëm në letrat shqipe. Gjuha jonë, gjuha e krijimtarisë letrare në shqip, arriti shkallën më të lartë të fuqisë së saj shprehëse me veprën e Kadaresë. 

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në mënyrë këmbëngulëse dhe me bindje të plotë për vendimin e saj, është prej shumë vitesh, tashmë prej dekadash, propozuese e ripropozuese e kandidaturës së tij për këtë çmim, duke e vlerësuar si një çështje merite, nderi dhe drejtësie. 

 

II.

 

Origjinaliteti dhe meritat e talentit të Ismail Kadaresë janë të mirënjohura, të vlerësuara dhe të konfirmuara si në shkallë ndërkombëtare ashtu dhe brenda vendit, duke filluar së paku që nga vitet 1980. Letërsia e Ismail Kadaresë lexohet tashmë në më shumë se 50 gjuhë të botës. 

Anëtar i Akademisë së Shkencave Politike dhe Morale të Francës që nga viti 1995; doctor honoris causa në disa universitete me prestigj të lartë në botë, Ismail Kadare është personaliteti shqiptar më i çertifikuar me tituj shkencorë, intelektualë e moralë në Europë e në shkallë globale. 

Në vitin 2005 Kadare fitoi çmimin ndërkombëtar The Man Booker International Prize (Njeriu ndërkombëtar i vitit), i njohur si çmimi i nobelistëve, për të cilin konkurruan autorë nga të gjitha kontinentet dhe me njohje botërore. Ky është çmimi më i lartë që ka marrë letërsia shqipe qysh prej fillimeve të saj deri më sot. 

Meritat letrare të I. Kadaresë janë të shpallura edhe në kryeqendra të tjera të letërsisë dhe kulturës botërore. Në vitin 1992 ai fitoi çmimin Prix Mondial Cino Del Duca (Mondial Sino Del Duka)(Francë). Në vitin 2009 iu dha çmimi Asturias, që shenjon mirënjohjen më të lartë për gjithë letërsinë hispanike. Në vitin 2015 shteti i Izraelit i dha çmimin Jerusalem, që jepet për personalitete të letërsisë me ndihmesa të jashtëzakonshme në dobi të lirisë së mendimit. Për kontributet e tij dhënëse e pasuruese në qytetërimin europian, Ismail Kadare është nderuar me urdhërin më të lartë të Francës:  kalorës, oficer dhe komandant i Legjionit të Nderit. 

Çmimet letrare ndërkombëtare që ka fituar Ismail Kadare përgjatë dekadave kanë qenë dhe janë prova me rëndësi themelore për objektivitetin e këmbënguljes sonë për të propozuar në vazhdimësi nominimin e veprës së tij si vepër e denjë për të fituar çmimin Nobel.  

 

Vlerësimet ndërkombëtare për veprën e Kadaresë jo vetëm nuk janë ndalur, por kanë kulmuar vitin e fundit.

 

Gjatë vitit 2019 Ismail Kadare u shpall fitues i tri prej çmimeve më të rëndësishme letrare dhe intelektuale në shkallë botërore: në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ai mori trofeun Neustadt (Njustad), që konsiderohet Nobeli i Amerikës. Me çmimin Pak Kyongni (Pak Knjonjí), që iu dorëzua në Korenë e Jugut, Kadare mori një prej vlerësimeve më të larta në një anë tjetër të globit, në Azi, duke e shtrirë në mënyrë sovrane përmasën e veprës së vet në shkallë botërore. Mirënjohja e tretë e vitit 2019 iu kushtua sërish nga vendi që e promovoi për herë të parë si shkrimtar europian, nga Franca. Presidenti francez Macron i dha atij titullin Oficer i Madh i Legjionit të Nderit. Këto çmime e tituj madhor të fituar rishtas e përligjin plotësisht propozimin tone të ri,  për dhënien e çmimit Nobel në letërsi Ismail Kadaresë për vitin 2020.

Jemi të bindur se propozimi ynë ka mbështetjen e shpreh dëshirën e tërë hapësirës shqiptare, pasi roli i veprës së tij në historinë e letërsisë, kulturës dhe qytetërimit shqiptar, është i pazëvendësueshëm. 

Trinia e përfaqësimit të trashëgimisë shpirtërore shqiptare, në shkallë botërore, ndërlidh emrat e Gjergj Kastriotit, Nënë Terezës dhe I. Kadaresë.

Është tashmë e gjithëpranuar se, Ismail Kadare është njëherësh krijuesi protagonist parësor i letërsisë, kulturës, qytetërimit dhe mendimit shqiptar përgjatë mbi 70 vjetëve, se ai i ktheu letërsisë shqipe përmasën europiane dhe botërore. Letërsia që ai krijoi është një letërsi misionare, që u ka dhënë lirinë maksimale të mundshme lexuesve shqiptarë në një gjysmë shekulli jete në një shoqëri të kontrolluar ideologjikisht e politikisht. Ne do të rikujtonim në çdo rast, atë që Ismail Kadare pohoi me thjeshtësi në ditën e pranimit të tij në Akademinë Franceze: Nëse letërsia ime, që unë do ta quaja “bukë burgu”, është shijuar dhe shijohet në një botë të lirë si juaja, ky do të ishte vlerësimi më i lartë për çka kam krijuar, sepse brenda veprës sime modeste ju keni shijuar lirinë.   

Vepra e tij ka qenë dhe është për disa breza shqiptarësh me radhë një program bujar për leximin dhe kuptimin e Perëndimit; siç ka qenë dhe është një projekt letrar për të huajt për të njohur botën shqiptare në Perëndim dhe në botë. 

 

Kjo vepër jep dhe do të jape fuqimisht zë,  për europianizimin e mendimit shqiptar dhe për mirëpritjen e tij në bashkësinë që i takon. 

 


 

Akademia e Shqipërisë propozon Ismail Kadarenë për çmimin Nobel në Letërsi

 

 

 

Më datë 28 janar, ora 10.00, në sallën “Libri Akademik”, u organizua tryeza e debatit “Kadare dhe letrat shqipe”, në 84-vjetorin e lindjes së shkrimtarit. Veprimtaria ishte përgatitur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, pranë Ministrisë së Kulturës. Me këtë rast, Akademia e Shkencave bëri të njohur vendimin e Kryesisë së saj për ripropozimin e kandidaturës së shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare për çmimin “Nobel” në letërsi, drejtuar zyrtarisht Akademisë Mbretërore të Shkencave të Suedisë, bashkë me motivacionin. Lexo Vendimin e Plotë

 

Ismail Kadare - “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”

 

Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare Anëtar i Akademisë së Shqipërisë është vlerësuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron me titullin më të lartë shtetëror, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.

Promovimi civil i Legjionit të Nderit më 1 janar mbledh 487 njerëz  “të ndarë midis 395 kalorësve, 73 oficerëve, 13 komandantëve, 4 oficerëve të mëdhenj dhe 2 kryqeve të mëdha”.

Me anë të dekretit presidencial të 31 dhjetorit 2019, Kadare, i cili jeton në Francë, është nderuar nga Emmanuel Macron me titullin e lartë “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit’.

“Është një traditë për datën 1 janar, ku personalitete të njohura të kulturës dhe sportit bëhen pjesë e promovimit të Urdhrit Kombëtar të Legjionit të Nderit”, - shkruan legifrance.gouv.fr.

Sociologu Claudine Herzlich dhe egjiptologu Christiane Ziegler janë ngritur në rangun e oficerit të madh, ashtu si dhe shkrimtari shqiptar Ismaïl Kadaré dhe shkrimtarja franko-bullgare Julia Kristeva. - shkruan gazeta franceze Le Monde.

E themeluar nga Napoleon Bonaparti në vitin 1802, Legjioni i Nderit është më i larti i dallimeve kombëtare franceze. Sot ajo ka 92,000 anëtarë të shpërblyer për meritat e tyre të shquara në shërbim të kombit.