Kongresi V-të Ndërkombëtar i Shoqatës Shqiptare të Obstetër- Gjinekologëve

 

Më 12–14 maj 2017, në Akademinë e Shkencave, u organizua në Tiranë Kongresi V-të Ndërkombëtar i Shoqatës Shqiptare të Obstetër-Gjinekologëve (SHSHOGJ) në partneritet me Shoqatën e Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës (SHOGJK) dhe në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave. Kongresi u zhvilua në përputhje me problematika përparësore të shëndetësisë, që janë pjesë edhe të Programit Kombëtar të Kërkimit shkencor, Teknologjik dhe Inovativ, me Programin e Qeverisë për shëndetësinë dhe strategjitë kombëtare që lidhen me të, me pikësynime:

  1. promovimin e bashkëpunimit ndërmjet shoqatave profesionale nga Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera të rajonit;

  2. shkëmbimin e njohurive të reja me profesorë të njohur në Obstetrikë dhe Gjinekologji;

  3. gjetjen e mënyrave për përmirësimin e kujdesit shëndetësor në fushën e shëndetit të nënës dhe të foshnjës për të ndikuar kështu pozitivisht në zvogëlimin e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë maternale dhe perinatale në Shqipëri e Kosovë;

  4. evidentimin dhe rritjen e kapaciteteve për punë profesionale, shkencore-kërkimore të profesionistëve shqiptarë dhe ardhjen në ndihmë elitës profesionale duke e promovuar atë;

  5. përmirësimin e skriningut për kancerin e gjirit dhe të qafës mitrës, duke e kthyer atë nga pasiv në aktiv; diskutimin e protokolleve moderne dhe aplikimin e udhërrefyesëve bashkëkohore në obstetrikë- gjinekologji;

  6. bashkëpunimin më të zgjeruar dhe më aktiv me specialistët e sistemit parësor dhe dytësor për të standartizuar kujdesin shëndetësor në fushën e shëndetit të nënave dhe të foshnjave, për të përmirësuar sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë maternale dhe perinatale në Shqipëri e Kosovë dhe me mjekët e familjes si një ndihmëse e madhe në parandalimin dhe vlerësimin e patologjive obstetrikale dhe gjinekologjike

Kongresi ishte ngjarja më e madhe profesionale - shkencore e vitit për shëndetin e gruas, nënës dhe të porsalindurit. Mjekët obstetër-gjinekologë që morën pjesë nëpërmjet ligjëratave, ofruan një profesionalizëm të lartë klinik në fushën e shëndetit të gruas, në të tre ditët e zhvillimit të Kongresit. Veprimtaria kërkimore dhe studimet klinike-statistikore të paraqitura në rreth 40 referime të përgatitura nga 107 autorë e bashkautorë studiuesish dhe organizimi i një workshopi me dy sesione ishin të një niveli bashkëkohor. Diagnoza prenatale, kujdesi perinatal, standardet e parandalimit, zbulimit të hershëm dhe trajtimit të patologjive kancerogjene të organeve gjenitale femërore, të patologjive uro-gjinekologjike, të infeksioneve seksualisht të transmetueshme dhe riprodhimit të asistuar, ulja e përqindjes së trajtimit me medikamente në periudhën e paralindjes dhe ndërhyrjeve në lindje, thellimi në gjinekologjinë pediatrike dhe të adoleshencës, përmirësimi i cilësisë së jetës së gruas në menopauzë ishin disa nga temat interesante të paraqitura në kongres. Niveli bashkëkohor i trajtimit të problemeve ndikoi që konferenca të ketë prurje programore në arritjet e qëllimeve të zhvillimit të saj, të teknikave etj., si dhe të paraqiten rekomandime për institucionet politikëbërëse, vendimmarrëse, për komunitetin shkencor dhe të gjithë palët e interesuara, të përfshira në fushën e shërbimeve shëndetësore në fushat e obstetrikë-gjinekologjisë.