Konferenca shkencore jubilare Rexhep Ismajli në 70-vjetorin e lindjes, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, e mbajtur më 8 qershor 2017 në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave.


Kjo konferencë jubilare u hap me një ekspozitë të botimeve shkencore të akademik Rexhep Ismajlit. Fjala e hapjes u mbajt nga akad. Floresha Dado, kryetare e Seksionit të shkencave shoqërore dhe albanologjike e më pas u mbajtën fjalët përshëndetëse nga akad. Ali Aliu në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, fjala përshëndetëse e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Muzafer Korkuti, një përshëndetje posaçme u dërgua prej akad. Francesco Altimarit në emër të studiuesve arbëreshë, e u përmbyllën me përshëndetjen e prof. Lindita Rugovës, shefe e departamentit të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Përshëndetjeve iu bashkuan edhe vlerësime e urime për një jetë të gjatë e të mbushur me vepra të reja, nga disa kolegë e bashkëstudiues të profesor Ismajlit.


Për të vënë në dukje personalitetin shkencor me veprat, shkrimet e studimet e tij të shumta në fushë të gjuhës shqipe, u mbajtën kumtesat: prof. Seit Mansaku: Personaliteti shkencor i akad. Rexhep Ismajlit përmes veprës së tij; prof. Rrahman Paçarizi: Inovacionet dhe metodat e akad. Rexhep Ismajli; akad. Ethem Likaj: Akademik Rexhep Ismajli përmes shkrimesh; prof. Aljula Jubani: Strukturalizmi dhe funksionalizmi në studimet fonologjike dhe kontributi i akad. Rexhep Ismajlit; akad.as Shaban Sinani: Akademik Rexhep Ismajli filolog: letërsia e vjetër shqipe në tejshkrime.


Promovimi i veprës Studime për historinë e shqipes në kontekst ballkanike, u pasua me një trajtim të hollësishëm të përmbajtjes, vlerës dhe të punës së madhe studimore të bërë prej akademik Rexhep Ismajlit me kumtesat e mbajtura prej akad. Kolec Topallit: Gjuhët e tjera të lidhjes ballkanike në studimet e akad. Rexhep Ismajlit dhe shqipja në kontekst të saj dhe të prof. Bardh Rugovës: Studime për shqipen dhe gjuhët e Ballkanit.


Nëse do të shkruhet ndonjëherë një histori e filologjisë shqiptare, duke i dhënë këtij termi kuptimin epistemologjik që i takon, kuptimin e shkencës së tekstit, veprimtaria e Rexhep Ismajlit si filolog do të mbajë pozicionin e fortë si nyjë e ndërlidhjes midis traditës së kësaj disipline, që vinte qysh nga vitet 1920-1930, dhe zhvillimit bashkëkohor të saj.


Akademikun Rexhep Ismajli e shohim si kërkues në burimet arkivistike, si ringjallës të veprave në dorëshkrim, si përkthyes të trashëgimisë albanologjike në botë (që me sa duket për herë të parë po lexohet drejtpërdrejt edhe prej një pjese të madhe të specialistëve), si kryesues projektesh shkencore dhe drejtues ekipesh që punojnë për botime të tilla. Ashtu e kemi parë dhe më herët, si përkthyes veprash teorike dhe autorësh të shquar të letërsisë së sotme europiane, si polemist për çështje me interes publik. Me të njëjtën lehtësi që, kur ia ka dashur puna, akademik Rexhep Ismajli ka braktisur një metodë kërkimi gjuhësor për të zgjedhur një tjetër, pa asnjë paragjykim, ndonjëherë duke iu rikthyer edhe metodash më të hershme, me të njëjtën lehtësi ai ka bërë dhe kapërcimin nga një disiplinë në tjetrën, duke i bashkuar boshtit të punës së tij si gjuhëtar albanolog edhe antropolinguistin, ballkanologun, filologun, mendimtarin kritik. Kjo bën pjesë në virtytet njerëzore dhe tiparet karakteriale të një njeriu që e sheh veten gjithnjë në detyrë dhe në përgjegjësi përtej vetes.