Akad.Gjinushi: Vepra e akad.Becit, qoftë në dialektologjinë sinkronike, qoftë në atë diakronike, është prova më e mirë se te dijetari i vërtetë vetëdija shkencore është ajo që garanton pagabueshmërinë dhe jetëgjatësinë e rezultateve

 

Përshëndetja e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në 85-vjetorin e lindjes së akademik emeritus Bahri Becit në veprimtarinë shkencore - jubilare dhe promovimin e botimit të tij të fundmë “L’union linguistique balkanique à la lumière des données de la langue albanaise”

***

 

Të nderuar kolegë, akademikë dhe profesorë të pranishëm në këtë sallë dhe të gjithë ju që na ndiqni nga distanca, të dashur familjarë të prof.Becit, i dashur mik.

Ia kemi kushtuar këtë veprimtari të thjeshtë, detyruar nga rrethanat, përvjetorit të kolegut dhe mikut tonë Bahri Beci, profesor e akademik, i cili sapo mbushi 85 vjet.

Ne të urojmë sot, i dashur mik e koleg, një jetë të gjatë, edhe 100 vjet të kesh shëndet të mbarë dhe të japësh vepra të reja cilësore e të suksesshme, siç është karakteristike për veprimtarinë tënde. 

Akademik Bahri Beci i takon një brezi dijetarësh që u formua në kohën kur në Shqipëri universiteti shtetëror i posathemeluar, Universiteti i Tiranës, po diplomonte brezin e parë. Për specifikën e fushës që ai kishte zgjedhur, për t’u formuar si studiues i historisë së gjuhës shqipe; ashtu si dhe për disa fusha të shkencave natyrore, iu dha mundësia që dijet e fituara në vendin e lindjes t’i thellonte më tej, në Francë, në Institutin e Fonetikës dhe të Gjuhësisë së Zbatuar pranë Universitetit të Sorbonës, duke u specializuar për fonetikë e fonologji.

Si ndër ballafaqimet e para midis dy shkollave me nivele të ndryshme kërkesash, kjo nuk ishte një ndërmarrje e lehtë, me sukses të garantuar, por Bahriu, me aftësinë, këmbënguljen dhe skrupulozitetin që e karakterizon, ia doli mbanë. Kjo i hapi rrugën që në këtë universitet akademiku ynë të mbronte doktoraturën, me studimin Le système vocalique et consonantique du parler de ville de Shkodra, punë që do të vijohej në Tiranë me monografinë Të folmet e gegërishtes qendrore.

Për shkak të disa rregullave të kohës, Bahri Beci i kaloi për herë të dytë të gjitha shkallët e kualifikimit pasuniversitar, deri te rimbrojtja e doktoratës. Në këtë rrugë formimi tek ai u bashkuan dialektologu me foneticienin, studiuesi i gjendjes së sotme dialektore me atë të historisë së lindjes dhe zhvillimit të tyre, duke dhënë kontribute origjinale rreth tezës që si konvergjenca, ashtu dhe dallimet ndërdialektore u shfaqën me lindjen e shqipes, ndërsa rrethanat e mëvonshme historike pak rol luajtën.

Për më shumë se një gjysmë shekulli ai bëri kërkime të suksesshme për dialektet e shqipes, historinë e formimit të tyre dhe për rëndësinë e të dhënave të dialektologjisë historike për vërtetimin e karakterit vendës dhe të vazhdimësisë historike të shqiptarëve në trojet e veta.

Jeta profesionale e Bahri Becit është realizuar, thënë me dy fjalë, nga metropoli në rrethina, nga aulat universitare pariziene (si student e si mësimdhënës) në krahinat më të thella të vendit, ku jetoi e arkivoi lëndë gjuhësore me shumë vlerë për sot e të ardhmen.

Megjithëse fusha primare e kërkimeve të tij janë të folmet gege të zonave verilindore, Bahriut nuk i ndahet zemra kurrë prej kryeqendrës së të folmeve veriperëndimore, para së gjithash prej shkodranishtes. Dashuria shkencore e tij për dialektet është e lidhur me vlerësimin e tyre si trashëgimi shpirtërore e popullit, si bazë e burim i përhershëm për pasurimin e gjuhës së sotme të njësuar.

Sot ne e kemi të vështirë të pohojmë nëse është më i rëndësishëm kontributi i Bahri Becit si bashkëhartues e bashkërealizues i projektit madhor Atlasi dialektologjik i shqipes, pjesë e korpusit të Akademisë së Shkencave Trashëgimi shpirtëror i popullit shqiptar, vepër e një breznie dialektologësh të shquar; apo historiani i gjuhës, që, me anë të formave dialektore, përpiqet dhe arrin të rindërtojë të shkuarën e shqipes, deri te burimi i saj prej ilirishtes. Mbi 150 artikuj shkencorë të botuar prej tij për dialektologjinë historike dhe atë përshkruese brenda dhe jashtë vendit janë pasqyrë e arritjeve të kësaj shkence të re shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX e në vijim.

Në dekadat e fundme kërkimeve të Bahri Becit iu shtua edhe konteksti ballkanik i gjuhës shqipe, pozicioni i saj në lidhjen gjuhësore ballkanase, së cilës i është kushtuar edhe monografia që përurohet sot, L’Union linguistique balkanique à la lumière des données de la langue albanaise, që patëm kënaqësinë ta botojmë vitin e kaluar.

Disa ditë më parë, kur po diskutonim për problematikën shkencore që duhet të ketë kuvendi i studimeve shqiptare, që do të mbahet në nëntor sivjet, ky libër, që gjendej në tavolinën tonë, u bë shkas që të thuhej: ja ku e kemi objektin e një referati për ta paraqitur në këtë ngjarje. Me punën dhe kërkimet e tij dialektologjia u kthye nga një shkencë terreni në disiplinë me rëndësi për burimin historik të gjuhës sonë amtare, për dallimet që u shfaqën në procesin e kapërcyellit dhe dallime të tjera që lidhen kryesisht me rrethana historike dhe me ndikimin e gjuhëve në kontakt, dhe sidomos të ndikimit të atyre ligjërimeve që njihen si lingua franca, qoftë në përdorimin laik, qoftë në përdorimin liturgjik.

Në jetën shkencore të akademikut Bahri Beci, që nis qysh në vitin 1958 dhe vazhdon deri më sot, ka shumë kulme e arritje edhe në veprimtarinë universitare, siç është mësimdhënia për një periudhë të gjatë në Institutin e Gjuhëve Orientale INALCO të Parisit; përfaqësimi i gjuhësisë shqiptare në shoqatën e studiuesve europianë të dialekteve ALE (Atlas Linguarum Europae) dhe marrja e përgjegjësive shkencore për plotësimin e të dhënave të shqipes në Atlasin e Gjuhëve Europiane; drejtimi i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë në Tiranë, ku ai ka lënë gjurmën e vet të vlerësueshme dhe mësimdhënia në disa universitete europiane, deri tek anëtarësia në Asamblenë e Përgjithshme të Qendrës së Studimeve për Ballkanin në Francë.

Vepra e akademik Bahri Becit, qoftë në dialektologjinë sinkronike, qoftë në atë diakronike, është prova më e mirë se te dijetari i vërtetë vetëdija shkencore është ajo që garanton pagabueshmërinë dhe jetëgjatësinë e rezultateve dhe përfundimeve në procesin e kërkimit.

Më lejoni që, edhe në emrin tuaj, t’i urojmë sërish mikut dhe kolegut tonë, akademikut Bahri Beci, jetë të gjatë dhe shëndet të plotë, veprimtari të suksesshme sot e për shumë dekada me radhë.

Faleminderit.