Konferencë shkencore ndërkombëtare “Romani shqiptar, fillimi i shekullit XXI”

Hits: 1907

 

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë organizuan në Prishtinë, më 11 tetor 2018, konferencën “Romani shqiptar, fillimi i shekullit XXI”. Akademia e Shkencave të Shqipërisë u prezantua nga akademike Floresha Dado me kumtesën: “Romani i fillimit te shekullit XXI midis 'krizës' gjinore dhe 'krizës' së kritikës letrare” dhe akad. as Shaban Sinani me kumtesën me temë: “Tri kohë ligjërimi në romanin Mjegulla”.


A është romani ynë sot një strukturë formale që vazhdon të zhvillohet dhe që me transformimin në disa drejtime po shkon drejt shfaqjes së një lloji gjinor tjetër, ende të pakonfirmuar teorikisht? Si duhet të lexohet romani ynë postmodernist dhe sa është e mundshme ta shpjegojmë atë? Ekzistojnë zhanret sot? Ç’do të thotë ‘krizë gjinore’ dhe në ç’kuptim kritika e sotme letrare gjendet në një sfidë të vështirë? A ka një metodë aplikuese për shkrimin e sotëm kritik? Çfarë e tërheq më shumë lexuesin dhe ç’marrëdhënie ka ai me romanin postmodernist? Këto, e shumë çështje të tjera, të cilat studiuesit e shumtë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia me kumtesat e tyre i shtruan për diskutim, treguan se zhvillimi i vrullshëm i një skeme ‘të befasishme’ romanore, që flet sot për “krizën gjinore” të romanit të sotëm, si dhe sfidat e kritikës letrare, provokojnë disa aspekte teorike dhe praktike, dhe lënë shumë çështje të hapura për diskutime të mëtejshme të këtyre mjediseve shkencore.