Akademi Solemne - Dhimitër Shuteriqi 100-vjetori i lindjes

Akademia e Shkencave e Shqipërisë me rastin e 100-vjetorit të lindjes së akad. Dhimitër Shuteriqit, personalitet i shquar i shkencave albanologjike, i letërsisë dhe i kulturës shqiptare, organizoi një Akademi Solemne, në të cilën morën pjesë akademikë, profesorë, studiues të kulturës dhe artit e familjarë të prof. Shuteriqit. Fjalën e hapjes e mbajti Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Muzafer Korkuti. Një përshëndetje të shkurtër, kushtuar njërit prej korifenjve të kësaj Akademie, – siç e quan ai akademik Dhimitër Shuteriqin, – u përcoll nga akademiku e shkrimtari i shquar Dritëro Agolli. Në këtë veprimtari jubilare, për të vënë në pah punën e palodhur dhe veprën e tij, u mbajtën një varg kumtesash: akad. Floresha Dado – Dhimitër Shuteriqi dhe historiografia letrare, prof. Shaban Sinani – Studime të pabotuara të Dh. Shuteriqit në arkiva, prof. Ali Xhiku – Pak fjalë për Shuteriqin e viteve ’50, akad. Jorgo Bulo – Në kërkim të rrënjës së fjalës së shkruar shqipe, akad.as Gjovalin Shkurtaj – Letërsia dhe bota e arbëreshëve të Italisë në hulumtimet dhe botimet e Dh. Shuteriqit, prof. Nasho Jorgaqi – Sytë e Simonidës, ose romani i mbijetesës, dr. Feride Papleka – Një jetë kushtuar kulturës dhe historisë së kombit, prof. Ymer Çiraku – Poezia (Evolucioni i një poeti), dhe për një anë tjetër të dhuntisë së tij artistike foli piktori Ksenofon Dilo – Galeri portretesh në Skicat e Dhimitër Shuteriqit. Në mënyrë simbolike, prej përfaqësueses së Postës Shqiptare, familjes së akademikut iu dhurua emisioni i pullës së emetuar në këtë përvjetor. Në fund të këtij takimi, bashkëshortja e akad. Dimitër Shuteriqit përmendi kujtime nga jeta dhe puna e tij e palodhur, si një nga personalitetet poliedrike të kulturës shqiptare