Image 1 title

type your text for first image here

Image 1 title

Image 2 title

type your text for second image here

Image 2 title

Image 3 title

type your text for third image here

Image 3 title

Image 4 title

type your text for 4th image here

Image 4 title

Image 5 title

type your text for 5th image here

Image 5 title

Image 6 title

type your text for 6th image here

Image 6 title

Image 7 title

type your text for 7th image here

Image 7 title

Image 8 title

type your text for 8th image here

Image 8 title

Image 9 title

type your text for 9th image here

Image 9 title

Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe


Me nismën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në tetor 2004 është ngritur Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, që funksionon si një forum shkencor kombëtar ndërakademik, i cili bashkërendon dhe orienton përpjekjet institucionale për mbrojtjen, zhvillimin dhe pasurimin e shqipes standarde, si mjet modern i komunikimit e i realizimit të jetës shtetërore, kulturore e shoqërore në hapësirën kombëtare. Këshilli përbëhet nga gjuhëtarë të njohur, specialistë në fushën përkatëse. Sekretar Shkencor i Këshillit është prof. Emil Lafe. Këshilli mblidhet periodikisht, shqyrton çështje sipas një programi, duke ngarkuar dhe komisione a grupe pune me specialistë të profilizuar për të studiuar e paraqitur probleme të fushave të veçanta, propozime dhe zgjidhje të argumentuara, të mbështetura në rezultate të kërkimit shkencor.


1. Lexoni: Vendimin e formimit të Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe


2. Lexoni: Njoftimin e përbërjes së Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe


3. Lexoni: Rregulloren e punës së Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe


4. Lexoni: Vendimin për miratimin e anëtarëve të rinj të KNGJSH


5. Lexoni: Vendimin për miratimin e anëtarëve të kryesisë së KNGJSH




U Mbajt në Tiranë Mbledhja e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe


Më 20 qershor 2014, në Tiranë, në mjediset e Bibliotekës së Akademisë së Shkencave, u mbajt mbledhja e radhës e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, nën drejtimin e akademikëve Jani Thomai e Rexhep Ismajli (bashkëkryetarë) dhe me pjesëmarrjen e anëtarëve të Këshillit: akademikët Kolec Topalli e Gjovalin Shkurtaj dhe profesorët Mehmet Çeliku, Seit Mansaku, Shezai Rrokaj, Shefkije Islamaj, Enver Hysa, Isa Bajçinca, Imri Badallaj, Abdullah Zymberi, Bardh Rugova e Rrahman Paçarizi.
Në rendin e ditës për diskutim pati dy çështje:
1. Çështje të sintaksës në shqipen standarde.
2. Shqipja standarde dhe shkolla.


Për të dy çështjet u paraqitën parashtresat e hartuara nga grupet përkatëse të punës, në Tiranë e në Prishtinë, në të cilat shtroheshin vëzhgimet për gjendjen dhe propozimet për përmirësime të mëtejshme në përdorimin e zbatimin e shqipes standarde.
Për çështjen e parë, Çështje të sintaksës në shqipen standarde, referuan kryetarët e grupeve të punës: prof. dr. Seit Mansaku (Tiranë) dhe ligjërues i lartë Isa Bajçinca (Prishtinë). Në parashtresat e diskutimet u shprehën vlerësime të përgjithshme lidhur me veçoritë e normës në fushën e sintaksës, me marrëdhëniet ndërmjet gjuhës standarde e dialekteve në këtë fushë dhe për rrugët e zhvillimit e të pasurimit të strukturës së saj sintaksore.
Zhvillimi i sintaksës së gjuhës standarde sot lëviz midis dy prirjeve të përgjithshme gjuhësore, midis afrimit e pasurimit me modelet e sintaksës popullore dhe modernizimit me struktura të reja nën ndikimin e përgjithshëm të modernizimit të jetës e të mënyrës së komunikimit. Nën ndikimin e këtyre dy prirjeve është zhvilluar e po zhvillohet struktura sintaksore e shqipes, sidomos në këta dhjetëvjeçarët e fundit. Rritja e komunikimit ndërshqiptar, përzierjet e popullsisë së qyteteve për shkak të shtegtimeve të banorëve të zonave rurale drejt qyteteve, sidomos drejt kryeqyteteve a qyteteve të mëdha, vënia në qarkullim të lirë e veprave të një letërsie të panjohur më parë, kanë sjellë një pasurim e gjallërim të mjeteve të reja sintaksore nga dialektet dhe nga vepra të shkrimtarëve të panjohur sa duhet. Këto kanë sjellë prurje nga brumi i shqipes dhe gjallërim të mjeteve sintaksore me burim a mbizotërim dialektor.
Nga ana tjetër, hapja e gjuhës, e kulturës, e letërsisë dhe e shkencës ndaj gjuhëve e kulturave të vendeve të tjera, përkthimet e shumta nga fusha të ndryshme të dijes, kanë sjellë ndërtime e kombinime të reja në strukturën e standardit, të cilat, kur janë në pajtim me frymën e strukturën e shqipes, kanë sjellë modernizim e intelektualizim të saj, por kur bien ndesh me të, kanë sjellë edhe struktura të papajtueshme me gjuhën shqipe. Ndërlidhja e çështjeve të sturkturës sintaksore me çështje të stilit e të situatava që u përmendën, e bën çështjen edhe më komplekse dhe shpesh vështirë të dallueshme nga çështje të tjera të stilit e të shprehjes.
Në mbledhjen e Këshillit Ndërakademik u vunë në dukje e u diskutuan në rrafshin normativ ndërtime të ndryshme sintaksore të qortueshme si të papajtueshme me veçoritë e shqipes standarde. Meqenëse jo çdo herë çështjet e shtruara janë të rrafshit vetëm sintaksor, Këshilli mendon se materialet e paraqitura nga komisionet përkatëse mund të vihen në qarkullim si ndihmesa autoriale, ndërsa me këtë rast po përmendim disa prej tyre.
U vlerësuan të qortueshme ndërtimet me paskajoren e dytë, si: dëshiroj për të punuar, filloi për të përgatitur, ka vendosur për të shkuar etj.; në vend të tyre këshillohen ndërtimet me mënyrën lidhore: dëshiroj të punoj, filloi të përgatiste, ka vendosur të shkojë etj. Po kështu, të qortueshme u vlerësuan edhe ndërtime të tilla, si: përpiqet me qëllim për të fituar (me qëllim për të ndryshuar) etj.; në vend të tyre këshillohen ose paskajorja: përpiqet për të fituar (për të ndryshuar), ose lidhorja: përpiqet të fitojë (të ndryshojë) etj.
Shkelje të normës sintaksore vërehen në përdorimin e lidhëzave ftilluese se e që në disa ndërtime me folje që kushtëzojnë përdorimin e njërës a të tjetrës lidhëz. Kështu, pas foljeve dua, dëshiroj, urdhëroj, kërkoj, propozoj, vendos etj. përdoret lidhëza ftilluese . Prandaj ndërtime të tilla, si: kanë vendosur se hetimet të vijojnë; ka kërkuar se të ndalet ky proces; propozoi se Kuvendi të miratojë një vendim etj., nuk janë në pajtim me normën sintaksore. Në këto raste, në vend të lidhëzës se, duhet të përdoret lidhëza që.
Ndërmjet ndërtimeve parafjalore pavarësisht nga dallimet ose pavarësisht prej dallimeve dhe pavarësisht dallimeve; pavarësisht nga kjo, pavarësisht prej kësaj dhe pavarësisht kësaj, këshillohet të përdoren ndërtimet me pavarësisht nga... ose pavarësisht prej..., të cilat janë kuptimisht më të qarta e gramatikisht më të përpikëta.
Po kështu, ndërmjet ndërtimeve: duhet pyetur specialisti apo duhet pyetur specialistin; duhet lexuar libri apo duhet lexuar librin, këshillohet ndërtimi i parë, me rasën emërore.
Këshilli vërejti se, në gjuhën sidomos të masmedias, bëhen shumë gabime sintaksore në përdorimin e përemrave pronorë, vetorë e pyetës, në përdorimin e trajtave të shkurtra përemërore etj. Në Këshill u mbështet mendimi se duhet të shkruajmë e të themi populli ynë, jo populli jonë; djemtë tanë, jo djemtë tonë; djali yt, jo djali jot; vajzës sime, vajzës sonë, jo vajzës time, vajzës tonë; vajzës sate, jo vajzës tënde; ne shqiptarët, jo neve shqiptarët; cili student, jo kush student. Po ashtu duhet shkruar u tha atyre, u foli studentëve, u bëri thirrje të gjithëve, jo i tha atyre, i foli studentëve, i bëri thirrje të gjithëve, siç po përdoren gabimisht mjaft shpesh sot.
U vlerësuan si të tilla ndërtimet: përgjigjem në pyetjen tuaj, në vend të i përgjigjem pyetjes suaj; bën viktimën, në vend të hiqet (shtiret) si viktimë; bëj të paditurin, në vend të bën (hiqet) sikur nuk di gjë; drejtësi e munguar, vullnet i munguar, dialog i munguar, në vend të mungesë drejtësie, mungesë vullneti, mungesë dialogu etj. Një imitim i huaj, krejt i panevojshëm e që duhet mënjanuar, është edhe klisheja dhe jo vetëm, që ka filluar të përdoret shpesh kohët e fundit në fraza të tilla, si: ne sot folëm për mirëqenien e të përndjekurve e të papunëve dhe jo vetëm; shumë nga këto çështje kanë qenë bërë objekt diskutimi i medias dhe jo vetëm.
U pa e nevojshme të kërkohet respektimi i strukturës gramatikore të shqipes në dallimin e gjinisë te numri tre: tre djem / tri vajza dhe jo tre vajza, prandaj edhe të trija jo të treja. Po ashtu u kërkua të respektohet dallimi midis përemrave kush dhe (i) cili: kush përdoret vetëm për frymorë, ndërsa cili, i cili mund të përdoret edhe për jofrymorë: kujt ia dhe librin, por cilin libër, jo kë libër apo kujt libri.
Në këtë takim të Këshillit Ndërakademik u diskutuan edhe çështje të tjera të normës sintaksore.
Për çështjen e dytë, Shqipja standarde dhe shkolla, referuan kryetarët e grupeve të punës: prof. dr. Mehmet Çeliku e prof. dr. Shezai Rrokaj (Tiranë) dhe prof. dr. Imri Badallaj e prof. dr. Bardh Rugova (Prishtinë). Nga parashtresat e diskutimet e anëtarëve të Këshillit për këtë çështje po japim disa vlerësime e propozime.
Grupet e punës kishin përmbledhur në parashtresat e tyre këto dy çështje kryesore:
- Vlerësimin e përgjithshëm të mësimdhënies dhe të nxënies së shqipes standarde në shkollat nëntëvjeçare, të mesme e në universitete, vendin që zë gjuha shqipe në planprogramet e cikleve të ndryshme të shkollave tona, tekstet, mësimdhënien, përgatitjen e mësuesve në fakultetet e mësuesisë e kualifikimin e tyre, mbështetjen e shqipes standarde në shkollë nga institucionet shtetërore etj.
- Propozimet konkrete për përvetësimin më të mirë të gjuhës në shkollat nëntëvjeçare, të mesme e të larta. Materialet e paraqitura me shkrim u diskutuan me një frymë bashkëpunimi e mirëkuptimi. Këshilli vlerësoi shtrirjen e përdorimin e shqipes standarde në dokumentacionin shkollor, përdorimin e shqipes standarde nga nxënësit e mësuesit si faktor themelor i ngritjes cilësore të arsimit, e cilësoi gjuhën shqipe si lëndë themelore në shkollë me detyrë të dyfishtë, që u mëson nxënësve gjuhën praktikisht dhe teorikisht (d.m.th. si metagjuhë). Këshilli diskutoi për problemet kryesore që vihen re tani për zotërimin e gjuhës në shkollë, si dhe në mësimdhënien e saj. U theksuan si dukuri negative: shmangiet e shpeshta nga norma në përdorimin e gjuhës së shkruar e të folur nga nxënësit, varfëria e të shprehurit të nxënësve, në të shkruar e në të folur, varfëria në zotërimin e pasurisë semantike të fjalëve, varfëria në njohjen e përdorimin e strukturave gramatikore-sintaksore e të mjeteve stilistike etj. Këshilli nuk pajtohet me rrudhjen e mësimit të gjuhës në ciklin nëntëvjeçar dhe sidomos me shtrirjen e kufizuar të lëndës së gjuhës në shkollë të mesme në raport me letërsinë. Gjithashtu Këshilli diskutoi për nivelin e ulët të përgatitjes së mësuesve të gjuhës e të edukatorëve, për përgatitjen e tyre të dobët në fakultetet e mësuesisë, për kualifikimin informal të mësuesve të gjuhës, për mosvështrimin e gjuhës shqipe si lëndë me rëndësi kombëtare.
Pas diskutimeve, Këshilli arriti këto përfundime e propozime:
1. Meqë cikli nëntëvjeçar nuk po arrin dot t’ua mësojë mirë nxënësve të gjitha nënsistemet e shqipes standarde, si në të shkruar ashtu edhe në të folur, propozohet që gjuha shqipe në planin mësimor të shkollës së mesme të jetë lëndë e veçantë, e ndarë nga letërsia, dhe të jepet provim pjekurie në përfundim të shkollimit parauniversitar.
2. U miratua propozimi që në të gjitha shkollat e mesme të të gjitha profileve lënda e gjuhës të mësohet gjatë tri viteve, me një program të ri dhe me tekste të reja.
3. U mbështet propozimi që në vitet e para të ciklit nëntëvjeçar (cikli fillor) në mësimin e gjuhës shqipe t’i jepet përparësi anës praktike, zotërimit të standardit, bashkë me leximin; në vitet në vazhdim të ciklit nëntëvjeçar (klasa VI-IX) dhe në ciklin e shkollës së mesme gjuha të mësohet në aspektin teorik, por, krahas kësaj, t’u jepet rëndësi e veçantë leximit të letërsisë artistike dhe punëve me shkrim, hartimeve e diktimeve.
4. U arrit përfundimi që planet e programet në fakultetet e mësuesisë, përfshirë ato të gjuhëve të huaja e fakultetet që përgatisin edukatorë për institucionet parashkollore, si dhe në fakultetet e gazetarisë, ka nevojë të rishikohen, duke u dhënë shtrirje më të gjerë lëndëve kryesore të gjuhës së sotme, si leksikologjia, morfologjia, sintaksa. Mendohet që përvetësimi i drejtshkrimit duhet të përfundojë në shkollimin parauniversitar. U propozua që lënda Kulturë gjuhe të përfshihet në programet e universiteteve, në radhë të parë në fakultetet e mësuesisë, të gazetarisë, të gjuhëve të huaja, të arteve, të drejtësisë, të mjekësisë etj., me synimin e zotërimit sa më të mirë të normës leksikore, gramatikore, stilistike e terminologjike në funksion të komunikimit sa më të plotë.
5. U pa e arsyeshme të kërkohet për t’u zbatuar nga institucionet përkatëse:
- rritja e orëve mësimore për lëndën e gjuhës në ciklet nëntëvjeçare;
- reduktimi i normës mësimore për mësuesit e gjuhës;
- mësimi i gjuhës shqipe në ciklet parauniversitare, nëpërmjet teksteve e mësuesve, sipas koncepteve teorike e terminologjike bashkëkohore;
- trajnimi i mësuesve të gjuhës në kurse periodike katërvjeçare;
- hartimi i teksteve për fëmijët e emigrantëve sipas një politike në ndihmë të emigracionit;
6. Përgatitja e gjuhës shqipe në universitete duhet të jetë përparësi e arsimit universitar, ndërsa mësimdhënës i lëndës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe në nivelet e ulëta e të mesme nuk mund të jetë askush që nuk ka, së paku, 180 kredite (ECTS) të lëndëve profesionale sipas planprogrameve të shkollave përkatëse. Ndonëse nismat për përmirësimin e cilësisë në arsim kanë propozuar shtimin e komponentit didaktik, kujtojmë se kompetenca gjuhësore është parakushti themelor për mësimdhënie cilësore.
7. Albanologjia, me shqipen në veçanti, duhet të jetë përparësi e investimeve shkencore të qeverive përkatëse. Përqindje të konsiderueshme të investimeve për shkencë e kërkime shkencore duhet të jepen për projekte që lidhen me albanologjinë. Duhet të ngrihet departament i veçantë për gjuhën shqipe (përdorimet, terminologjitë, përshtatjet me standardet evropiane, ku po synojmë të integrohemi) në kuadër të ekzekutivit (mbase brenda Ministrive të Arsimit a të Kulturës).
8. Në shkolla t’i kushtohet vëmendje diversitetit kulturor e begatisë dialektore të shqipes, në mënyrë që të mos krijohet hapësirë për stigmatizim të cilitdo varieteti të shqipes.


KRYESIA E KËSHILLIT NDËRAKADEMIK PËR GJUHËN SHQIPE