12 mars 2019 - Konferencë ndërkombëtare

Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike (SSNT) i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë organizon konferencën ndërkombëtare "Teknologji Inovative në Mbështetje të Bujqësisë dhe Agroturizmit" në bashkëpunim me:

 

- Instituti për Pemë dhe Lëndë drusore, Këshilli Kombëtar i Kërkimeve (CNR-IVALSA), Itali;

- Departamenti i Bioteknologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës;

- Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore, Vlorë;


Konferenca organizohet si pjesë e Programit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë (MASR) të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit Kombëtar të Kërkimeve (CNR), Itali, nga të cilat Akademia e Shkencave është Agjencia Ekzekutive. Ky aktivitet shkencor është gjithashtu brenda kuadrit të programit "Arsimi në Shkencën" të SSNT. Konferenca do të mbahet në 12 mars 2019 në sallën "Aleks Buda", Akademia e Shkencave, Tiranë, Shqipëri.
Konferenca Shkencore paraqet një hap të rëndësishëm përpara në njohjen e mundësisë së lidhjes së kërkimit me prodhimin në sajë të eksperiencës italiane të shkencëtarëve dhe sipërmarrësve të suksesshëm në sektorin e mikropropagimit.


Qëllimi i Konferencës është të afirmojë mundësinë e përdorimit të teknologjive inovative të kulturës in vitro për të rritur efektivitetin e përhapjes së specieve të frutave, në veçanti specieve indigjene dhe specieve "të vogla" me vlerë të lartë ushqyese, të rëndësishme për zhvillimin e agroturizmit. Konferenca gjithashtu synon të rrisë ndërgjegjësimin midis fermerëve dhe fidanishteve të pemëve frutore në krijimin në Shqipëri të laboratorëve komercialë përmes partneriteteve me kompanitë italiane tregtare, me qëllim të zgjidhjes së problemeve urgjente të rehabilitimit dhe certifikimit të materialeve bimore.