Fjala e sekretarit shkencor akademik Vasil S. Tole

 

Fjala e sekretarit shkencor akademik Vasil S. Tole.

"Duke përjetuar këngën labe” i Haxhi Dalipit


Të dashur familjarë të mikut dhe kolegut tonë Haxhi Dalipi,


Të nderuar akademikë, deputetë, profesorë,


Të nderuar pjesëmarrës, miq e të ftuar,


Kam kënaqësinë e veҫantë tju uroj mirëseardhjen në Akademinë e Shkencave e cila ka privilegjin që të promovojë sot një pjesë të trashëgimisë studimore e publicistike të Haxhi Dalipit, botuar pas vdekjes nga familjarët e tij nën kujdesin e djalit, Aldrin Dalipi. Ky libër është botimi i parë që zbulon mendimin teorik, atë të shkruar të Haxhi Dalipit, personaliteti i të cilit ngërthente në një të vetme: muziktarin në vegël, dirigjentin, muzikologun, kompozitorin, përgjegjësin e grupeve dhe ansambleve popullore të Vlorës e më gjerë, e padyshim edhe drejtuesin e institucioneve arsimore dhe kulturore, vendore dhe qendrore, pozicione që kulmojnë me pozicionin e lartë të Drejtorit të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore në Tiranë që ai kreu në vitet e fundit të jetës.


Le të kthehemi tek libri.


Ky libër nëse do të duhej të përdorja një togfjalësh të shkurtër për të do të thoja se është një HIMN PER VLOREN DHE TRASHEGIMINE E SAJ SHPIRTERORE, QYTETARE DHE FSHATARE.


Libri vetë ka disa dimensione.


Së pari është tërësisht i besueshëm në ato që shkruhen dhe thuhen aty. Eshtë vetë Haxhiu protagonisti dhe dëshmitari që në formë tërësisht origjinale përshkruan veҫoritë muzikore e më gjerë të Labërisë dhe jo vetëm të saj. Fokusi i tij është terreni etnomuzikologjik që përfshin Kuҫin, Bolenën, Smokthinën, Lumin e Vlorës, vranishtin, Tërbaҫin, Lapardhanë, Dukatin, Tragjasin, Kaninën, Karbunarën, Himarën, Pilurin, Dhërmiun, Myzeqenë etj. Nuk janë thjesh emra zonash dhe fshatrash, janë gurë kilometrikë të jetës së HAXHIUT, të shpenzuar me dashuri mes njerëzve dhe bartësve të folklorit, individë apro grupe të cilët AI i njohu, i dashuroi, i respektoi, i studioi dhe i ngriti vlerat e tyre në skenën kombëtare dhe atë ndërkombëtare pas njohjes disa vjeҫare me to.


Tani, pas botimit të këtij libri, ne të gjithë së bashku do të kuptojmë akoma më mirë se ҫ’përfaqëson kjo kulturë e jashtëzakonshme muzikore e Labërisë, parë prej syve dhe mendjes të njërit prej njohësve më të mirë të saj.


Dimensioni tjetër i librit lidhet me njerëzit, ata që janë zemra dhe motori i kësaj kulture.


Janë me dhjetra e qindra ata që Haxhiu dokumenton pasi i njohu vlerat e tyre, pasi i promovoi ato dhe që për shkak të kohës nuk është e pamundur që ti përmendësh që të gjithë këtu. Edhe sot kur një pjesë e madhe e tyre nuk janë mes nesh, ky libër i lartëson ata dhe kontributin që ata dhanë për polifoninë labe, qofshin bartës, rapsodë, poetë, këngëtarë, valltarë, instrumentistë, marrësa, kthyesa, hedhësa apo që bënin vetëm iso.


Të nderuar pjesëmarrës, Libri që promovojmë sot, dashje pa dashje na kujton mungesën fizike të Haxhiut, por njëherazi na e sjell kujtimin dhe veprën e tij akoma më afër. Në këtë raport afër dhe larg kemi për të qenë me Haxhiun pasi emri i tij, për më tepër vepra e tij i ka siguruar Haxhiut kujtesën e përhershme, atë kujtesë për të cilën populli thotë: “Vdes ai që harrohet” dhe sigurisht që rron Ai që kujtohet”!


Ju faleminderit për vëmendjen