SShNT të AShSh mbështeti organizimin e Konferencës shkencore nderkombëtare mbi Frutikulturën alternative, organizuar (më 5 tetor 2016) nga QTTB, Vlorë, MBZHRAU, dhe mbështetur fuqimisht nga Qendra e Kërkimit të Frutikulturës, Romë, Itali; nga Kompania Private “Apice Piante”, Pescara, Itali dhe nga Universiteti Bujqësor i Tiranës. Në të u theksua rëndësia e përfshirjes së varieteteve të reja të specieve me përdorim të pakët në strukturën e frutikulturës moderne, që ndikon fuqimisht në shëndetin e njeriut. Kultivimi i specieve në vazo paraqitet si një metodë efektive dhe për specie të tilla “të vogla”. Pas 35 viteve përvojë pune me standarde cilësorë, në respekt të natyrës, kompetencës së kultivimit dhe sipas vizionit të tregut, kompania “Apice Piante”, Pescara, Itali, ka përfshirë në prodhim edhe speciet me përdorim të pakët, si fikun, lajthinë, bajamen, gështenjën, boronicën, mjedrën, manaferrën, luleshtrydhen, shegën, hiden, ftoin, manin, vodhëzën, marenë, etj. nga ku mbështet fakti i domosdoshmërisë së prodhimit të fidanëve edhe në Shqipëri me anë të mikroshumimit me avantazh uniformitetin e tyre dhe mungesën e fitopatogjenëve.

Me shumë prurje interesante ishin referimet për speciet e veçanta në lidhje me përfshirjen e shegës në pemëtarinë mesdhetare nga një grup specialistësh italianë, përfaqësuar nga Dr P. Preka; për përdorimin e teknologjive bashkëkohore në prodhimin e boronicës dhe mjedrës në trojet shqiptare nga Prof. E. Kullaj në UBT dhe MSci K. Lepaja nga Universiteti Bujqësor i Prishtinës. Gjithashtu u paraqit referimi për përdorimin e metodave funksionale alternative për rritjen në ullishte nga Prof. As. Dr H. Ismaili (UBT) dhe Z. Veshaj (QTTB, Vlorë). Po kështu me interes u ndoq edhe sesioni i posterave, ku autoret Akad. Asoc. E. Kongjika (Akademia e Shkencave), Prof. Asoc. Dr V. Sota (UT), Dr D. Bode (UBT), Dr. C. Damiano (CRF, Romë, Itali) paraqitën studimet disa vjeçare për konservimin in vitro të disa specieve frutore autoktone, si dhe të disa specieve me përdorim të pakët si shega, mersina, hidja, dardhukla, etj. në dy postera: Biotechnological methods for raising collections of some under-utilized fruit trees with economic and health importance (V. Sota, E. Kongjika, C. Damiano. 2016) dhe In vitro collections of autochthonous species of Prunus genus germplasm”. (E. Kongjika, V. Sota, D. Bode, C. Damiano. 2016).

Në Tryezën e rrumbullakët të organizuar në fund të Konferencës, përveç specialistëve të pemëtarisë nga institucione shkencore shqiptare dhe italiane, morën pjesë gjallërisht në diskutime dhe specialistë të tjerë të interesuar si fermerë, kultivues të pemëve frutore. Në qendër të diskutimeve ishin iniciativat që duhen ndërmarrë nga qendrat kërkimore si QTTB, Vlorë, nga UBT etj., të mbështetura nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave. Nga drejtuesit e Tryezës u propozua përpilimi i një Deklarate të Konferencës për të sensibilizuar instancat politikëbërëse dhe vendimmarrëse për përfshirjen e frutikulturës alternative, si një rrugë e re e zhvillimit të frutikulturës shqiptare në kuadrin e zhvillimeve të sotme europiane.

Akademia e Shkencave, duke patur si mision të saj edhe bashkëpunimin me institucionet kërkimore brenda dhe jashtë vendit për kryerjen e studimeve në fusha të ndryshme të shkencës dhe teknologjisë dhe veçanërisht bashkëpunimin me biznesin për zbatimet e produkteve të kërkimit shkencor dhe inovativ në ekonomi, e mbështet mbështet nismat për intensifikimin e frutikulturës alternative dhe sugjeron disa opinione për organizimin e punës përgatitore për fillimin e kësaj veprimtarie të rëndësishme. Në radhë të parë, domosdoshmëri paraqet sensibilizimi i popullatës shqiptare për vlerat ushqyese dhe mjekësore të përdorimit të frutave alternative, si dhe i fermerëve për kultivimin e tyre me përfitim jo vetëm nga përdorimi në tregun e brendshëm, por me përparësi në tregun europian dhe global. Organizimi i veprimtarive të tilla si seminare, workshope nga institucione të kërkimeve bujqësore së bashku me Akademinë e Shkencave do të kontribuojnë në këtë drejtim. Ngritja e parcelave eksperimentale demonstrative në zona të ndryshme klimatike-tokësore të Shqipërisë për kultura të veçanta do të paraprijë zhvillimin në shkallë të gjerë të frutikulturës alternative. Përparësi duhet të ketë nxitja për krijimin e kooperativave të fermerëve, që do të merren me këtë drejtim të pemëtarisë në Shqipëri në mënyrë që të bashkërendohet prodhimi i fidanëve dhe përhapja e tyre, të studiohen tregjet e brendshme dhe veçanërisht ato jashtë vendit për eksportin e produktit bujqësor. Jo më pak vlerësim duhet të marrë për të ardhmen ngritja e kompanive private për prodhimin e fidanëve me anë të kulturës in vitro për të siguruar certifikimin fitosanitar dhe atë të pastërtisë gjenetike.

Konferenca konsiderohet si veprimtari e rëndësishme nxitëse për sensibilizimin e strukturave publike dhe veçanërisht atyre private për përfshirjen e frutikulturës alternative në ekonominë shqiptare.

Deklarata e miratuar nga auditori i konferencës mbi frutikulturën alternative pati ndikim mbi politikat subvencionuese te Ministrisë së Nujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, e cila njofton se së shpejti (në muajin maj-2017) do të nisin aplikimet për skemat e reja financiare në mbështetje të fermerëve shqiptarë, që duan të përfitojnë nga subvencionet kombëtare në bujqësi që këtë vit. Prioritet do të kenë fermerët të cilët kultivojnë produkte autoktone shqiptare, ndërmjet të cilëve edhe për shegën, manaferrën dhe mjedrën.