Konferenca shkencore ndërkombëtare “Roli i gjeologëve Austro-Hungarezë në krijimin dhe zhvillimin e Gjeologjisë Shqiptare”, u zhvillua në sajë të bashkëpunimit të Shoqatës së Gjeologëve të Shqipërisë; Universitetit Politeknik të Tiranës (Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, IGJEUM dhe Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave); Shërbimit Gjeologjik Shqiptar dhe Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nën kujdesin e Konsullit të Nderit të Austrisë në Shqipëri, Zotit Gjergj Leqejza. Konferenca u zhvillua në mjediset e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, më 15 maj 2015, Shkodër.


Në konferencë u analizuan faktet historike të kontributit të zhvillimit shkencor në fushën e shkencave të tokës në përgjithësi e atyre gjeologjike në veçanti, nga ana e gjeologëve austro- hungarezë. Gjithashtu, në periudhat kohore të përbashkëta u dhanë edhe fakte të kontributit të kërkuesve francezë, italianë, polakë si dhe të atyre nga ish-Bashkimi Sovjetik. Gjithashtu u bë dhe një paraqitje e historikut të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar ndër vite,10si dhe e pasurive natyrore dhe dukurive të veçanta gjeologjike të Shqipërisë.


Nga analizat e referimeve në këtë veprimtari, rezultoi se kontributi i të huajve në shkencat e tokës ka qenë më multidisiplinor se sa ai është vlerësuar nga studimet e deritanishme: ai ka përfshirë dhe disa fusha të tjera hulumtimesh, duke pasur impakt të rëndësishëm edhe në studimet etnografike, arkeologjike, demografike, topografike etj., por edhe ato etnokulturore në përgjithësi për Shqipërinë dhe shqiptarët. Shkencëtarët e huaj duke u dashuruar me Shqipërinë dhe shqiptarët kanë dhënë kontribut duke shërbyer njëkohësisht edhe si ambasadorë të vlerave të Shqipërisë në botë.