“Konferenca shkencore ndërkombëtare për tokën” (International Conference on Soil), u zhvillua më 4-6 maj 2015 nga Universiteti Bujqësor i Tiranës në bashkëpunim me SShNT të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave; Institutin CIHEAM, Bari, Itali; Delegacionin e Bashkëpunimit Evropian në Shqipëri; Institutin ALB-SHKENCA, si dhe disa institucione dhe organizata të tjera
. Në konferencë u paraqiten rreth 25 referate shkencore dhe rreth 100 postera shkencorë me punime në drejtime të ndryshme si ndikimi i cilësisë së tokës në sigurimin e ushqimit dhe në sigurinë ushqimore në rajonin e Mesdheut, vlerësimin e erozionit të tokës dhe të ndotjes në rajon, konsolidimin e tokës si mjet për zhvillimin e qëndrueshëm rural në Shqipëri etj. Përveç një numri të madh kërkuesish nga universitetet dhe institucione të tjera shkencore shqiptare, kontribuues të tjerë janë edhe kërkues nga institucione shkencore të rëndësishme të rajonit dhe më gjerë, si nga Instituti CIHEAM, Bari; Instituti i Pyjeve, Mali i Zi; Instituti për Shkencat e Prodhimit Bimor, Zvicër; Universiteti i Zagrebit; Universiteti Politeknik i Kartagjenës në Spanjë; Qendra e Studimeve Botërore e Ushqimit në Holandë; Universiteti i Prishtinës; Universiteti i Kamerinos, Itali; Universiteti i Hohenheim, Gjermani, Universiteti i Banja Lukës, Bosnjë Hercegovinë; Universiteti St. Cyril & Methodius, Shkup, Maqedoni etj.
Në seancën plenare, nga drejtues të institucioneve të kërkimit shkencor, akademikë e profesorë, përfaqësues nga institucionet politikëbërëse e vendimmarrëse u theksua rëndësia e tokës, gjendja, mirëpërdorimi i saj dhe politikat e institucioneve, që ata drejtojnë për problemet që lidhen me tokën në përgjithësi.
Përshëndetje adresuan në takim, prof. dr. Edmond Panariti, ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave; dr. Hanns-Cristoph Eiden në emër të Zyrës Federale për Bujqësinë dhe Ushqimin në Gjermani; H.E. Anke Holstein, zëvendës ambasadore e Gjermanisë në Shqipëri; akademik prof. dr. Salvatore Bushati, kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike të Akademisë së Shkencave dhe prof. Ahmet Mermut, president i EUROSOIL 2016.
Në fjalën e tij, akad. Salvatore Bushati theksoi rëndësinë e tokës si komponent kryesor i sistemit natyror dhe si kontribues jetësor në cilësinë e jetës përmes përfshirjes në ushqimin, ujërat, sigurimin e energjisë, gjeorrezikut etj, duke analizuar dhe një sërë faktorësh që lidhen me to, bazuar edhe nën dritën e standardeve ndërkombëtare mbi përdorimin e tokës. Në këtë konferencë duhen theksuar vlerat që Viti Ndërkombëtar i Tokës- njohja zyrtare e këtij aktiviteti i jep rëndësinë e duhur tokës, përtej komunitetit shkencor, që merret me çështjen në fjalë. U prezantuan raste që degradimi, presionet e veprimtarive njerëzore mbi natyrën mbi tokë po arrijnë kufijtë kritikë duke ulur dhe eliminuar funksionin esencial të tokës, për të cilën duhen, si individët dhe komuniteti shkencor të bëjmë përpjekje serioze për të përmirësuar situatën.
U theksua se Toka është çelësi i jetës në këtë planet - baza e të gjitha ekosistemeve tokësore. Ruzvelti ka thënë se “historia e çdo kombi është shkruar në mënyrën me të cilën ai kujdeset për tokën e tij”. Nga ana tjetër, historia na ka mësuar se sjellja karshi tokës pasqyron shkallën e civilizimit. Tani është koha që toka të merret seriozisht. Mbështetja e furnizimit me ushqim në nivel global është tepër e rëndësishme. Përmirësimi i ushqimit është emergjencë: “... ushqimi shqetëson çdokënd; ai është shëndet, i cili prek të gjithë edhe pse jo të gjithë e kuptojnë sa duhet.”
Është koha e duhur për një revolucion me të gjelbër. Sfida jonë kryesore është përcaktimi i principeve të duhura për t'i përshtatur mënyrat e përdorimit të qëndrueshëm të tokës. Nuk është e drejtë të mendosh se mund të mbështesim të ardhmen tonë duke degraduar themelet për të. Dhe pse shpesh të nënvlerësuara, tokat janë vërtetë të rëndësishme. Ato na sigurojnë në nivel global bazat për ushqimin, karburantin dhe prodhimin e fibrave dhe janë të rëndësishme për ujin, ciklin ushqimor, stoqet e karbonit organik dhe përfaqësojnë një të katërtën e biodiversitetit global.
Gjithashtu u theksua se makina tokë është shumë komplekse dhe fine. Toka është vitale dhe i jep formë botës tonë. Ne mbështetemi te ky material për çdo mbijetesë tonën. Njerëzimi varet prej tokës për furnizimet ushqimore dhe funksione të tjera, përfshirë dhe menaxhimin ujor.
Gjithashtu thuhet “njerëz të shëndetshëm, planet i shëndetshëm”, një tokë e shëndetshme është ajo e cila na ushqen në mënyrë të përsëritur, e ajo është e tillë nëse kujdesemi si duhet për të. Fermerët janë lojtarët kyç në konservimin e tokës. Megjithatë, ne si shkencëtarë, e dimë mjaft mirë se si mesazhi për të ruajtur tokën dhe për të mbajtur produktivitetin, shpesh nuk gjen zbatim tek fermerët, të cilët përballen me presionin gjithnjë e në rritje për të shtuar produktivitetin dhe të mbeten fitimprurës, ndërsa përballen me legjislacionin përkatës.
Teksa përdorimi global i burimeve të tokës për të lashtat po bie, shkencëtarët bëjnë thirrje për njohjen nga ana e politikëbërësve të gjendjes së jashtëzakonshme të tokave tona, si dhe për menaxhimin e tyre, që duhet të jetë në qendër të një strategjie të qëndrueshme të vendit. Për këto arsye, rruga për përmirësimet e duhura kërkon veprim në të gjitha nivelet: nga qytetarët, qeveritë dhe, mbi të gjitha nga bizneset që shfrytëzojnë burimet e tokës dhe varen mbi pasjen akses të vazhdueshëm në të. Ka tregues shumë inkurajues mbi ndërgjegjësimin në rritje tek vendimbërësit dhe fillesat e një strategjie e plan-veprimi efektiv.
Konferenca theksoi se rëndësi të veçantë për popullsinë rurale ka menaxhimi i tokës, si mundësi e hapjes së vendeve të punës në bujqësi e industritë që lidhen me të. Në veçanti, detyra të spikatura ka komuniteti shkencor i vendit. Jetojmë në një botë me kompleksitet shkencor dhe teknik në rritje e që është mjaft sfidues, ku ndërveprimi midis shkencëtarëve që merren me këto probleme do të qe me një rëndësi të veçantë bashkë me trajnimin e popullsisë rurale dhe ndërgjegjësimin e saj në përgjithësi, duke patur parasysh nevojat ekonomike dhe sociale si dhe vlerat kulturore të popullsisë. Gjithashtu, përveç shkencëtarëve dhe popullsisë, palët e tjera të interesit që mund të përfshihen janë politikëbërësit, ku spektri i gjerë i palëve të interesit është një mjet për të adresuar politikat efikase dhe implementimin e tyre. Programi i Konferencës duhet të kthehet në programe të aplikimit të kërkimit shkencor, për të cilin ne mendojmë se ekzistojnë kushtet e nevojshme: cilësia e burimeve njerëzore, eksperiencat dhe infrastruktura e përdorimit të tokës.