Sot 45-vjetori i themelimit të AShSh

 

AKADEMIA E SHKENCAVE E SHQIPËRISË (ASHSH).Institucion i lartë shkencor me seli në Tiranë. U themelua më 10.10.1972 nga bashkimi i shkencëtarëve nga më të shquarit e vendit, që u bënë anëtarë të saj, dhe i instituteve e sektorëve shkencorë që bënin pjesë në USHT. Më pas u zgjerua me institute dhe sektorë të rinj shkencorë. ASHSH u krijua si institucion i financuar me emërtim të veçantë nga buxheti i shtetit, në bazë të programeve për studimin e problemeve kryesore shkencore të paraqitura prej saj.


ASHSH me institucionet shkencore që përfshinte, ka kryer studime e kërkime për probleme të rëndësishme në fushat e shkencave albanologjike, shoqërore, natyrore dhe teknike; ka bashkëpunuar me institucionet dhe qendrat e tjera shkencore dhe me universitetet, si edhe me shkollat e tjera të larta, duke synuar për një integrim sa më efektiv të punës kërkimore me procesin mësimor.


Deri në janar të vitit 2007 ASHSH përbëhej nga dy seksione: 1) Seksioni i shkencave shoqërore e albanologjike, ku bënin pjesë: Instituti i Historisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Instituti i Kulturës Popullore, Instituti i Arkeologjisë, Qendra e Studimit të Arteve, Qendra e Enciklopedisë Shqiptare, Instituti i Ekonomisë dhe 2) Seksioni i shkencave natyrore e teknike, ku bënin pjesë: Instituti i Fizikës Bërthamore, Instituti i Informatikës dhe i Matematikës së Aplikuar, Instituti i Kërkimeve Biologjike, Instituti i Hidrometeorologjisë, Instituti i Sizmologjisë, Qendra e Studimeve Gjeografike, Qendra e Kërkimeve Hidraulike. Gjithashtu Akademia përfshin Bibliotekën shkencore dhe Këshillin e botimeve. Në bazë të dispozitave të mëparshme ligjore, numri maksimal i mundshëm i anëtarëve të ASHSH (akademikëve) ishte 45 veta. ASHSH kishte edhe anëtarë të jashtëm (22 veta) dhe anëtarë nderi (5 veta).


Me reformën e kryer në bazë të një ligji të miratuar më 11.12.2006 institutet shkencore u shkëputën nga ASHSH. Sipas një ligji vijues të miratuar më 26.12.2007, me të cilin u plotësua reformimi i ASHSH, ajo është një institucion shkencor që vepron nëpërmjet një bashkësie të zgjedhur shkencëtarësh. Ajo ka në përbërje anëtarë të rregullt, anëtarë të përhershëm (që janë mbi 75 vjeç), anëtarë të asociuar dhe anëtarë nderi. Është suprimuar kategoria e anëtarëve të jashtëm. Organet drejtuese të ASHSH janë Asambleja, Këshilli Ekzekutiv dhe Kryesia. Asambleja është organi më i lartë drejtues dhe përbëhet nga anëtarët e rregullt, anëtarët e përhershëm dhe anëtarët e asociuar. ASHSH ka përsëri dy seksione: Seksionin e shkencave shoqërore dhe albanologjike dhe Seksionin e shkencave natyrore e teknike. Në secilin seksion bëjnë pjesë anëtarët e rregullt, të përhershëm dhe të asociuar, sipas profilit përkatës. Veprimtaria shkencore e ASHSH pasqyrohet në botime të veçanta dhe në revistat shkencore. Aktualisht drejtpërdrejt nga seksionet varen revistat Studia Albanica dhe Albanian Journal of Natural and Technical Sciences.


ASHSH është anëtare e Panelit Ndërakademik – IAP (Federata Botërore e Akademive), e Federatës Mbareuropiane të Akademive (ALLEA), e Bashkimit Ndërkombëtar të Akademive (UIA), e Qendrës Ndërkombëtare për Studimet e Detit të Zi, e Këshillit Ndërakademik të Europës Juglindore. ASHSH ka marrëveshje bashkëpunimi me Akademitë e Shkencave në një varg vendesh të botës, si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bullgaria, Rumania, Kroacia, Sllovenia, Austria, Italia, Turqia, Polonia, Rusia, Egjipti, Izraeli, Kina si edhe me Qendrën Kombëtare të Kërkimeve (CNR) në Itali.


(FESH, Vëll. I)