Image 1 title

type your text for first image here

Image 1 title

Image 2 title

type your text for second image here

Image 2 title

Image 3 title

type your text for third image here

Image 3 title

Image 4 title

type your text for 4th image here

Image 4 title

Image 5 title

type your text for 5th image here

Image 5 title

Image 6 title

type your text for 6th image here

Image 6 title

Image 7 title

type your text for 7th image here

Image 7 title

Image 8 title

type your text for 8th image here

Image 8 title

Image 9 title

type your text for 9th image here

Image 9 title

Image 10 title

type your text for 10th image here

Image 10 title

 

 

Ndahet nga jeta prof. Alain Ducellier, Anëtar Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, njohësi më i shquar i Mesjetës shqiptare

 

Alain Ducellier (1934-2018), bizantinist i shquar francez, i formuar në shkollën e Paul Lemerle, drejtoi për shumë vjet Institutin e Studimeve Bizantine në Universitetin Le Mirail të Toulouse-s. Është autor i më se 20 monografive dhe i një numri shumëfish artikujsh shkencorë mbi Bizantin e botën bizantine, përkthyer e botuar në disa gjuhë e në revistat më të njohura shkencore të specializuara. Solli një qasje të re metodologjike në këto studime, duke u nisur nga periferitë për të shkuar drejt qendrës së Perandorisë. Falë njohjes sovrane të gjuhëve e të kulturave të të gjithë popujve të përfshirë në Perandorinë Bizantine, Ducellier zbuloi dhe tregoi historitë “arabe”, “sllave”, “greke”, “italiane” e sidomos “shqiptare” të asaj Perandorie.


Pikërisht në kuadrin e hulumtimeve të tij për historinë bizantine, A. Ducellier e tërhoqi veçoria e jashtzakonshme e Shqipërisë, kësaj province periferike të Perandorisë Bizantine që qëndronte midis Lindjes e Perëndimit dhe që kontrollonte arteriet kryesore të komunikimit midis Romës së Lindjes dhe Romës së Perëndimit, rrugën Egnatia e Kanalin e Otrantos. Studimet e shumta për Shqipërinë që rezultuan nga interesi i tij shkencor për të dhe për popullin e saj, i dhanë atij emrin e njohësit absolutisht më të mirë të Mesjetës shqiptare (Paul Gautier). Mes tyre shquhet vepra monumentale Fasada bregdetare e Shqipërisë në Mesjetë: Durrësi dhe Vlora nga shek. X në shek. XV (1981), të cilën Paul Lemerle e ka quajtur kontribut të çmuar për historinë kombëtare të Shqipërisë, realizuar nga një studjues i paisur me kuriozitet historik të jashtëzakonshëm dhe me sens të hollë për të kapur e për të vlerësuar ndikimet e ndërveprimet, përqasjet e kundërvëniet. 


Kjo vepër, së bashku me Shqipëria midis Bizantit e Venedikut (1989) e të tjera studime të Alain Ducellier, ndërsa marrin në analizë marrëdhëniet e shqiptarëve me botën lindore bizantine dhe me atë perëndimore latine, vendosin në qendër të saj pikërisht shqiptarët, institucionet e strukturat e tyre politike, sociale, juridike. Jo vetëm, por i bindur në rëndësinë e posaçme gjeo-politike të shqiptarëve, në veprat përgjithsuese kushtuar historisë së Perandorisë Bizantine, si Bizanti dhe bota ortodokse, Bizanti shek. IV-XV, Evropa tjetër, Konstandinopoja etj., A. Ducellier i ka dhënë vend të dukshëm edhe Shqipërisë dhe shqiptarëve, gjë që bizantinistë të tjerë nuk e kishin bërë më parë.


Vepra albanologjike e A. Ducellier përmban risi të rëndësishme në krahasim me studjues të tjerë të shquar të historisë mesjetare shqiptare, siç janë C. Jireçek e M. Šufflay. Ducellier nuk e kufizoi objektin e analizës së tij vetëm në hapësirën e shtetit të Arbërit, të përfshirë brenda katërkëndëshit Vlorë-Ohër-Prizren-Tivar. Ai e hetoi faktorin shqiptar në të gjithë hapësirën jetësore të tij: në territoret e shtetit të sotëm të Shqipërisë, në Kosovë, në Mal të Zi e në Epirin e Vjetër. Përveç kësaj, në një sërë studimesh të posaçme Ducellier ka shkruar historinë e emigracionit mesjetar shqiptar në Greqi, në Italinë e Jugut, në Marke, në Venedik, në Dalmaci (Shqiptarët në Greqi në shek. XIII-XV; Rrugët e mërgimit. Përmbysjet e mëdha në Evropën lindore dhe valët emigruese drejt Perëndimit në fund të Mesjetës). Si ndjekës i shkollës së analeve, që revolucionarizoi historiografinë moderne, ai zbatoi medodat më të përparuara të kërkimit shkencor, siç është ajo e përkufizimit gjeografik të objektit të studimit (gjeografia historike), dhe e analizës shumëplanëshe: gjeo-politike, ekonomike, sociale e etno-kulturore. Vepra e tij ka plotësuar ka rektifikuar e reinterpretuar momente të rëndësishme të Mesjetës shqiptare. Ducellier nuk u mjaftua të ishte ai vetë studjuesi i apasionuar i Mesjetës shqiptare.


Ai e ktheu Institutin bizantinistik të Universitetin të Tuluzës, në një shkollë ku nën drejtimin shkencor të tij u formua një aradhë e tërë historianësh albanologë, si Brunehilde Imhaus, Bernard Doumerc, Christine Minvielle-Debat, Jean de Miceli e të tjerë. Nga ana e tyre, të gjithë këta u bënë autorë e bashkautorë veprash të rëndësishme për Mesjetën shqiptare. Duke filluar nga viti 1962 Alain Ducellier ka vizituar shumë shpesh Shqipërinë. Ka marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare të organizuara nga Akademia e Shkencave në Tiranë, si në Konferencën II Albanologjike mbi Gjergj Kastriotin-Skënderbeu (1968), në Konferencën mbi Shtetin e Arbërit (1990), në Konferencën mbi Kosovën (1993). Ai ka vizituar qendrat historike e arkeologjike, nga veriu në jug të vendit, duke fituar një njohje të shkëlqyer të terrenit që i ka shërbyer mjaft inkuadrimit të saktë të ngjarjeve të përshkruara në studimet e tij mbi Shqipërinë mesjetare.


Për meritat e tij të veçanta në studimin e historisë së Mesjetës shqiptare Alain Ducellier është nderuar me mirënjohje të larta të shtetit shqiptar. Ai është anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.