Image 1 title

type your text for first image here

Image 1 title

Image 2 title

type your text for second image here

Image 2 title

Image 3 title

type your text for third image here

Image 3 title

Image 4 title

type your text for 4th image here

Image 4 title

Image 5 title

type your text for 5th image here

Image 5 title

Image 6 title

type your text for 6th image here

Image 6 title

Image 7 title

type your text for 7th image here

Image 7 title

Image 8 title

type your text for 8th image here

Image 8 title

Image 9 title

type your text for 9th image here

Image 9 title

Image 10 title

type your text for 10th image here

Image 10 title

Fjala në ceremoninë e përcjelljes së akademik Kolec Topallit


Vasil S. TOLE

Tiranë më, 25 maj 2018

“Fjala në ceremoninë e përcjelljes së akademik Kolec Topallit”

Të dashur familjarë të akademik Kolec Topallit,

Të nderuar kolegë akademikë, përfaqësues të institucioneve shtetërore publike, profesorë, miq e studentë të Kolecit tonë të ndjerë,

Me dhimbje në zemër i japim sot lamtumirën e fundme akademikut Kolec Topalli, dijetar albanolog, gjuhëtar, prej më se tri dekadash një prej figurave më të rëndësishme të shkencave të identitetit tonë.

Jeta e tij ka qenë e ndërlikuar, me persekutime, pengesa e privime, siç ka ndodhur edhe me shumë intelektualë të tjerë gjatë diktaturës. Si njeri i lirë gjeti fuqinë e brendshme, një fuqi të admirueshme dhe shembullore për të gjithë ata që i kushtohen diturisë, për të besuar në suksesin e vet, për të shpërfillur mënjanimet e vështirësitë, për t’u përballur me krenari me çdo sfidë e pengesë që i doli përpara. Një ndër aspektet e vështira të jetës, ndoshta më e vështira ka qenë kalvari familjar i përndjekjes nga regjimi komunist, arrestimi i të atit, Nush Topallit, internimi i familjes në kampin famëkeq të Tepelenës dhe Porto Palermos në mes të viteve 1940 dhe sprova që kaloi si fëmijë mes jetës dhe vdekjes, gjatë qëndrimit 6 mujor në spitalin e Himarës.

Pikërisht gjatë kësaj periudhe mbijetese do të kaliten tek Ai ato tipare të admirueshme të qëndresës, qetësisë, urtësisë dhe durimit – cilësi të rralla këto, që e kanë karakterizuar Profesor Kolecin, ashtu siç e kemi njohur deri më sot. Ai diti t’i përballojë të gjitha: kampet dhe privimet e vazhdueshme, dëbimet për vite të gjata në skajet më të largëta të Shqipërisë nga fshatrat e Krujës në fshatrat e Gramshit, kudo një mësues i thjeshtë fshati, i cili çdo mbrëmje, me durimin e ndërtuesit dhe mendjen e shkencëtarit, vinte gurin e radhës në ngrehinën e dijes: gramatika e fjalorë voluminozë. Prof. Koleci kishte durimin dhe këmbënguljen për t’ia dalë çdo pune në fund, pa e humbur as shpresën, as kthjelltësinë. Shpesh duke qenë vetmitar në ndërrmarrje të mëdha, duke punuar i vetëm sa një staf i tërë punonjësish. Për këtë flet vetë trashëgimia e pasur dhe e vëllimshme që na ka lënë, ajo që do të jetojë e dëshmojë për të ndër breza.

Ai nuk u formua si dijetar në studio komode dhe në biblioteka luksi. Gjithnjë në kushte pasigurie se ku do ta hidhte jeta pas ca, Kolec Topalli formoi vetveten me një durim të pashoq, me një këmbëngulje të pabesueshme, me një fuqi e energji shpirtërore sfidante.

Akademik Koleci u formua në gjurmët e etimologëve më të shquar të gjuhës shqipe, në gjurmët e trinisë Majer-Pedersen-Jokl, por ai gjithnjë e thoshte me krenari se ishte student e pasues i Eqrem Çabejt. “Është pasuri e paçmuar e akademisë shqiptare ky realitet i disa brezave me studiues, që kanë mësuar prej njëri-tjetrit dhe kanë ndërtuar mbi arritjet e para-ardhësve; si dhe dëshmi dhe model si mund të krijohet një traditë e pasur edhe në rrethanat e prekariatit intelektual dhe të katundarisë së mendjes”. (cituar sipas shkrimit të Ardian Vehbiut “Shuhet një mendje e ndritur”)

Ai nuk la fushë e nënfushë të studimeve gjuhësore në rrafshin vertikal pa zhvilluar: sintaksën, gramatikën, leksikun, duke i finalizuar arritjet e veta me studime monografike. Veprat e tij themelore në këto fusha janë jo vetëm vazhdimësi në përforcim e shtim argumenti ndaj arritjeve të profesorëve të tij, por dhe stabilizim e shëndoshje e gjendjes së dijes në kushtet e sotme, kur albanologjia është tashmë një dije policentrike dhe me teza konkurruese. Ai është njohur nga qendrat themelore të albanologjisë jashtë si përfaqësuesi i denjë i shkencës shqiptare në kohën e sotme. Akademik Kolec Topalli është model për shumë breza për dedikimin dhe devocionin ndaj albanologjisë, ndaj historisë së gjuhës si histori e popullit që e ka folur dhe e ka trashëguar, ndaj tipologjisë së pangjashme të shqipes në krahasim me gjuhët e tjera, të afërta e të largëta.

Akademik Kolec Topalli i botoi veprat e tij më të rëndësishme në tri dekadat e fundme, duke përfshirë edhe fjalorin etimologjik të shqipes, që mund ta quajmë vepra e Tij e jetës, një monument i kulturës kombëtare, të cilin Akademia e Shkencave e nderoi me çmimin e madh Çabej në edicionin e II-të të këtyre çmimeve kombëtare në shkencë.

Por këto vepra janë akumulimet e tij të heshtura ndër vite e dekada, që nga koha kur mbaroi studimet universitare dhe për më shumë se një çerek shekulli me radhë. Kjo vepër ka një domethënie të madhe për të gjithë ne. Ajo është dëshmia më e madhe se çfarë mund të arrijë njeriu kur gjendet në kushtet e lirisë dhe çfarë dëmi mund t’i sjellë dijes mungesa e lirisë. Dy epoka dhe dy pamje të jetës së të njëjtit individ, që gjysmën e jetës e kaloi nëpër fshatrat e Shqipërisë së Mesme dhe gjysmën tjetër i lartësuar në majat e shkencës, anëtar i dy akademive (të Shqipërisë dhe të Kosovës), fitues i çmimeve më të rëndësishme shkencore që jepen nga institucione publike e jopublike në Shqipëri, Mjeshtër i Madh dhe Mësues i Popullit.

Si personalitet kreu me dinjitet edhe detyra të larta zyrtare, duke qenë në të gjitha fazat e tij të jetës një avokat i denjë i shqipes sonë letrare, i njësisë së saj, i mundësive të përsosjes së njësisë përmes reflektimit ndaj gjendjeve të reja gjuhësore, i rolit themelor të gjuhës si faktor identiteti për gjithë popullin shqiptar. Roli i tij në shumë momente të vendimmarrjes për të ardhmen e shqipes së njësuar ka qenë përcaktues.

Të dashur familjarë të akademikut Kolec Topalli,

Të nderuar të pranishëm,

Gjithë ҫfarë kolegu ynë i nderuar kishte të vdekshme gjendet në këtë arkëmort. Gjithë pjesa tjetër, e pavdekshmja është me ne dhe jashtë saj. Ajo është tashmë pjesë e trashëgimisë më të mirë të Akademisë së Shkencave, është në duart e lexuesve dhe studiuesve, në raftet e bibliotekave e librarive, në rrjetet dixhitale e në dhjetra forma e lloje ku do të vazhdojë të jetojë përgjithmonë me emrin e Kolec Topallit në krye.

Në respekt të Tij ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje!

Edhe një herë ndajmë me ju dhe me gjithë botën shkencore dhimbjen tonë.

I qoftë i lehtë dheu i tokës sonë dhe i Shkodër loces!

I paharruar!