27 shkurt 2018 - Mbledhje në Ministrinë e Arsimit

 

Ditën e martë datë 27 shkurt 2018, në mjediset e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë u zhvillua mbledhja e Grupit të Punës për hartimin e projektligjit "Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë".


Grupi i punës diskutoi për përcaktimet e deritanishme në projektligjin paraprak si dhe në projektkodin për etikën dhe integritetin e kërkimit shkencor. Ligji parashtron parimet e përgjithshme, ndërsa në statutin e Akademisë do të detajohen mekanizmat për zbatimin e këtij kuadri rregullator dhe funksional të Akademisë së Shkencave. Projektligji është mbështetur në disa nga modelet kryesore të akademive të vendeve europiane dhe adreson prioritetet kryesore, ku përfshihen edhe çështjet e shumëdebatuara në publik, nga ekzekutivi, institucionet si dhe brenda vetë Akademisë.


Dispozitat e propozuara parashikojnë standarde dhe rregulla të reja proceduriale për pranimet e anëtarëve të rinj dhe zgjedhjen e organeve drejtuese. Vëmendje e posaçme i është kushtuar hapjes së Akademisë ndaj institucioneve kërkimore e universitare, institucioneve shtetërore. Në takimet dhe diskutimet e Akademisë, parashikohen të marrin pjesë edhe përfaqësues nga këto institucione. Parashikohet të ketë një komunikim të institucionalizuar me ekzekutivin, të paktën një herë në vit, për të diskutuar arritjet, realizimet dhe planifikimin perspektiv.


Akademia mendohet të jetë kryesisht brenda një misioni këshillimor dhe nivel ekspertize, për ekzekutivin dhe nivelet e tjera të larta shtetërore, dhe në këtë kuadër është edhe e nevojshme të ndërtojë kapacitete kërkimore që të mund të ofrojë ekspertizë dhe këshillim.


Drafti i përgatitur i është dërguar edhe disa prej partnerëve të Akademisë, dhe së afërmi janë planifikuar takime për të marrë asistencë dhe ekspertizë për projektaktet që po përgatiten (me ALLEA-n dhe me Akademinë Kombëtare Gjermane Leopoldina).


Edhe Zv.ministri Demo shprehu vlerësimin për punën e konkretizuar. Debati mbi Akademinë ka ngritur pritshmërinë për një reagim të Akademisë ndaj sfidave të paraqitura, dhe është një hap pozitiv që brenda një kohe relativisht të shkurtër kemi produktet konkrete: një projektligj dhe një projektakt mbi etikën. Sigurisht, Ministria e Arsimit, Sportit e Rinisë do ta shqyrtojë më në detaje projektligjin dhe zgjidhjet e propozuara, në bashkëpunim edhe me Këshillin e Ministrave.


Akad. Omari u shpreh nga ana tjetër që ky nuk është një produkt final, pasi ka vend për saktësime, plotësime e ndryshime, deri në paraqitjen përfundimtare të projektligjit. Akad. Gjinushi vuri në dukje që zgjidhja që propozon në thelb ky projektligj është opsioni i reformimit më të thellë që mund të parashtrojë Akademia e Shkencave dhe propozon zgjidhje konkrete për shqetësimet e ngritura.