Firmosja e deklaratës së përbashkët me rastin e përvjetorit të 23-të të daljes publike të UÇK-së

Me rastin e përvjetorit të 23-të të daljes publike të UÇK-së, institucionet përgjegjëse, me mandat të dhënë shprehimisht nga ligjet përkatëse, për të studiuar, ruajtur e administruar historinë e larget e të afërt të popullit tonë, si dhe kujtesën kolektive të materializuar në lëndën arkivore, shprehin vlerësimin për kontributin dhe rolin e pazëvëndësueshëm të luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës e të qytetareve të saj, në radhët e në mbështetje të UÇK-së, për fitimin e pavarësisë e si një reagim e mbrojtje e ligjshme ndaj gjenocidit serb, ndaj dëbimit, shpërnguljes e vrasjeve masive, me qëllim të spastrimit etnik të popullsisë shqiptare të Kosoves prej shtetit të Serbisë. 

 

 

Lexoni firmosjen e deklaratës së plotë të përbashkët me rastin e përvjetorit të 23-të të daljes publike të UÇK-së.

Fjala përshëndetëse e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në hapjen e konferencës ndërkombëtare "Gjeoshkenca dhe inxhinieria e tërmeteve, sfidat e Ballkanit Perëndimor"

E nderuar znj. Elva Margariti, Ministre e Kulturës,

I nderuar prof. Andrea Maliqari, Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës;

I nderuar z. Artan Shkreli, Zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë;

Të nderuar përfaqësues të institucioneve dhe shërbimeve të specializuara qendrore në fushën e sizmikës dhe ndërtimtarisë;

Kolegë akademikë, profesorë, zonja dhe zotërinj pjesëmarrës, të drejtperdrejtë a në distancë,

Së pari dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen në këtë konferencë, duke u shprehur me fjalët e zakonshme për këto raste, ndonëse për ne është një rast i jashtëzakonshëm: punime të mbara e suksese të përbashkëta.

Kjo konferencë është një rast i jashtëzakonshëm për vetë ngjarjen që u bë shkak kryesor për organizimin e saj - tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar - ngjarje që, vlerësuar për nga forca dhe dëmet, tek ne përsëriten një herë në 30-40 vjet; po aq dhe prej kushteve në të cilat ajo zhvillohet, të diktuara nga një tjetër fenomen i natyrës: pandemia e shkaktuar nga virusi Covid-19, fenomen që ndodh një herë në shekull.

Të gjithë ne do të kishim dashur që këtë konferencë shkencore ndërkombëtare, kushtuar Gjeoshkencës dhe sfidave të inxhinierisë së tërmeteve në Ballkanin Perëndimor, ta zhvillonim në kushte të tjera, me mundësi pjesëmarrjeje fizike të të gjithë kontribuuesve shkencorë, të organizuesve të saj dhe të tërë të interesuarve.

Këto ditë kemi pasur në duar librin e abstrakteve të kumtuesve, ku konstatohet se ishin paraqitur mbi 260 veta, autorë e bashkautorë, studiues të fushave përkatëse, për të referuar para një publiku të gjerë, për rreth 100 tema dhe argumente, mbështetur në rezultate të punës dhe eksperiencës shumëvjeçare, të tyre e të vendeve të tyre.

Studiuesit e sizmologjisë dhe inxhinierisë së tërmeteve, që iu bashkuan nismës sonë, janë prej 14 shtetesh, që nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi e Greqia, fqinjët tanë të drejtpërdrejtë; nga vendet e rajonit: Bullgaria, Turqia e Serbia; si dhe Italia, Izraeli e Franca; nga studiues të dedikuar këtyre fushave edhe prej vendesh të largëta, si Amerika, India, Zelanda e Re dhe Skocia.

Në emrin tuaj dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ata që iu përgjigjën thirrjes sonë për të marrë pjesë në këtë konferencë të madhe; për t’i kushtuar kohë e dije shpjegimit të asaj goditjeje të verbër natyrore që ndodhi në mjedisin tonë një vit më parë; për të vlerësuar historinë dhe parahistorinë e tërmetit të 26 nëntorit; pasojat dhe plagët e shkaktuara prej tij; kontekstin gjeosizmik rajonal; kushtëzimet me dukuri natyrore më të përgjithshme; rrethanat e kushtet e daljes prej gjendjes së urgjencës në atë të normalitetit të përkohshëm, deri tek shërimi i pasojave, ringritja e rindërtimi.

Kjo konferencë provon nevojën e komunikimit e të bashkëpunimit të vazhdueshëm midis qendrave kërkimore, shkencëtarëve e studiuesve, të cilët dëshmuan të njëjtën shkallë solidariteti si gjithë rajoni dhe kontintenti - këtë ne e çmojmë jo vetëm si vlerë intelektuale, por edhe si trashëgimi njerëzore.

Ishte ky bashkëpunim e mirëkuptim i nisur me ngritjen e funksionimin e njësisë së kërkim-studimit në fushën e gjeofizikës e sizmologjisë pranë Akademisë së Shkencave, nën drejtimin e prof. Shyqyri Aliajt; që vazhdoi me organizimin e një takimi pune në shkurt të këtij viti, në të cilin u ideua dhe u përcaktua nevoja e organizimit të kësaj konference.

Lidhjet dhe bashkëpunimi i vendosur me Universitetin Politeknik, me IGJEUM-in, me Fakultetin e Ndërtimit, me Shërbimin Gjeologjik Shqiptar, si dhe me Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë; angazhimi i plotë dhe aq profesional i tyre për ta institucionalizuar këtë bashkëpunim, ishin kushtet primare që mundësuan organizimin e suksesshëm të konferencës sonë. Me këtë rast falënderoj posaçërisht drejtuesit e tyre, Rektorin Maliqari; si dhe drejtorin e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar Viktor Doda, drejtorin e IGJEUM-it Ylber Muçeku, dekanin Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit z. Neritan Shkodranin dhe veçanërisht zëvendësministrin Artan Shkreli, për kontributin e tyre institucional dhe personal.

Ishte ky bashkëpunim i suksesshëm, që bëri që në këtë konferencë kumtuesit të jenë nga mbi 50 institucione: universitete, institute, qendra dhe njësi kërkimore, shërbime shkencore të specializuara brenda e jashtë vendit.

Ne, si Akademi e Shkencave, e kemi paravlerësuar këtë konferencë si më të rëndësishmen e këtij viti, dhe të gjitha përgatitjet janë bërë që të jetë e tillë. Për këtë meritojnë përgëzime të veçanta komiteti organizues vendor dhe komiteti shkencor ndërkombëtar. Në mënyrë të veçantë meriton përgëzimet tona prof. Rrapo Ormëni, bordi i botimeve, koordinatorët dhe sekretaria, të cilët kanë qenë në krye të punëve që nga fillimi deri në fund.

Kjo konferencë ka si qëllim dhe do të ndihmojë me punimet e saj, me konkluzionet e rekomandimet kryesore, për të forcuar e institucionalizuar bashkëpunimin midis nesh edhe në të ardhmen e afërt, për organizimin e punës nga institucionet dhe shërbimet shtetërore përkatëse; për verifikimin e gjendjes së standardeve të detyrueshme parandaluese të sizmikës në ndërtime sipas rajonalizimit të ngushtë; për rishikimin e kërkesave për lejimin e ndërtimeve publike; për futjen e kodeve europiane si koncepte detyruese për ndërtime rezistente e të qëndrueshme.

Akademia e Shkencave para së gjithash vlerëson me kënaqësi se, në kushtet kur dijet morën një rol përparësor ndaj qeverisjes; kur roli i tyre si këshilluese të drejtpërdrejta të nismave shtetërore u rrit në mënyrë objektive; kur teknokracia doli edhe në rolin e vendimmarrjes; fuqia e saj për bashkëpunim dhe vullneti i palëve për bashkëpunim treguan se institucionet e kërkimit dhe të zbatimit të njohurive shkencore nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin. Kjo është gjithashtu një arritje e politikës së hapjes që institucionit tonë iu sigurua nga  reforma e re, bazuar në kuadrin ligjor të miratuar vitin e kaluar.

Më lejoni që, duke ju falënderuar edhe një herë të gjithëve, ju që jeni fizikisht të pranishëm dhe të gjithë ata që na ndjekin online, ta deklaroj këtë konferencë të hapur.

Ju faleminderit e suksese

Njoftimi për shtyrje afati për vendet e lira në ASH

 

Shtyrje afati për fazën e dytë të vlerësimit të kandidatëve për vendet e lira në ASH.

 

Klikoni për të lexuar njoftimin e plotë.

Konferencë Ndërkombëtare "Gjeoshkenca dhe sfidat e inxhinierisë së tërmeteve në Ballkanin Perendimor"

 

 

Klikoni për të lexuar programin e Konferencë Ndërkombëtare "Gjeoshkenca dhe sfidat e inxhinierisë së tërmeteve në Ballkanin Perendimor".

 

Workshop " NanoAlb & Industrial Applications"

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit pë Mbrojtjen e Sipërmarrjes, zhvilloi sot workshop-in "NanoAlb & Industrial Applications”.

Ky takim i parë me biznesin shqiptar synon të nxjerrë në pah përvojën dhe njohuritë e grupeve kërkimore NanoAlb, që mund të jenë me interes për aplikime industriale. Ky takim ishte veçanërisht tërheqës për kompanitë që kanë interes në përdorimin e materialeve dhe teknologjive të reja në lidhje me prodhimin dhe kontrollin e ushqimit, bujqësinë, energjinë, mjedisin dhe mbrojtjen e shëndetit, përveç industrive të tjera.

"Ne po kërkojmë të krijojmë bashkëpunime të frytshme midis grupeve të ndryshme kërkimore të NanoAlb-it dhe industrive, bazuar në prezantimet e ekspertizës, shprehjen e nevojave/problemeve që kërkojnë zgjidhje, të ndjekura nga diskutime të ideve në tryeza të rrumbullakëta. Takimi do të krijojë bashkëpunime të ardhshme midis Akademisë dhe industrive, me interes të ndërsjellë, për një nxitje më të mirë të aftësive kërkimore dhe zhvilluese drejt nevojave të shoqërisë", u theksua nga përfaqësues të njësisë NanoAlb. Në këtë event morën pjesë Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi, Ministri i Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes z. Eduard Shalsi, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqiptare z. Nikolin Jaka, përfaqësues së njësisë kërkimore shkencore të NanoAlb dhe ekspertë të nanoteknologjisë, përfaqësues nga industritë e Shqipërisë dhe Kosovës. Takimi u hap nga akad. Skënder Gjinushi, i cili falenderoi të gjithë të pranishmit në këtë event dhe veçanarisht Ministrin Shalësi dhe z. Jaka për gatishmërinë e tyrë në nxitje të zhvillimit të këtij bashkëpunimi. Veçanarisht falenderimi iu drejtua edhe akad. Arben Merkoçit, koordinator i NanoAlb-it, duke e cilësuar si një nga asetet më të rëndësishme të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse akad. Gjinushi përmendi se prej kohësh është ngritur një njësi e kërkim-studimit e Nano-Alb-it dhe një ndër objektivat kryesorë të saj është të zhvillojë dhe koordinojë kërkimin shkencor në fushën e nanoshkencës dhe nanoteknologjisë në Shqipëri dhe kjo pikërisht në kohën aktuale, ku shkenca moderne ka arritur sukseset më spektakolare. Më tej ai u shpreh se Shqipëria, prej kohësh, është pretendente për t'u bërë pjesë e Bashkimit Europian, dhe si rrjellojë kërkohet që edhe në prodhimet e saj të arrihen dhe respektohen standartet e caktuara. Për të arritur këto standarde është e domosdoshme që të kemi prurje të reja teknologjike në prodhim.
Ky bashkëpunim, për të qenë i suksesshëm, do të arrihet mes tre palëve: kërkuesve shkencorë, Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe përfaqësuesve të prodhimeve, të cilët duhet theksuar se kanë rol kyç në këtë bashkëpunim. Shpresoj dhe uroj të kemi sa më shpejt rezultate konkrete nga bashkëpunimet potenciale", përfundoi akad. Gjinushi. Këtë takim e përshëndeti edhe ministri Eduard Shalsi, i cili falenderoi Akademinë e Shkencave për ftesën. Ai vlerësoi që, pas një kohe të gjatë, Shqipëria tashmë po shikon një Akademi Shkencash aktive.
"Sot më shumë se sa kurrë, kemi nevojë për shkencë, teknologji dhe inovacion. Po jetojmë në një kohë të ndërlikuar, ku po kërkohet të ndryshohet dhe mënyra e jetesës dhe këndvështrimi po fokusohet tek shkenca dhe teknologjia, ndaj pa kurrfarë hezitimi përgëzoj Akademinë e Shkencave për mbështetjen e kësaj iniciative, dhe përsonalisht hap dyert për propozime të tilla. Ndaj përfshihem me shumë kënaqësi në këtë proces sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi të sipërmarrjes në lidhje me benefitet e përdorimit të nanoteknologjisë. Duke ju uruar dhe përgëzuar për këmbënguljen e këtij rrugëtimi jo të lehtë, na takon të gjithëve që të mbështetsim iniciativa të tilla në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit" tha z. Shalësi.Pjesë e këtij paneli ishte edhe z. Nikolin Jaka, i cili shprehu kënaqësinë e tij për këtë event të organizuar nga Akademia e Shkencave. Z. Jaka përgëzoi Akademinë për organizimin e dy eventeve brenda një muaji, të cilat kanë fokus sipërmarrjen private dhe stabilitetin ekonomik të vendit. Ai u shpreh se ka shumë kompani të cilat përkrahin qasjen e nanoteknologjisë dhe përmirësimin e tyre në infrastrukturën brenda kompanive të tyre.Më tej ai ftoi qeverinë e Shqipërisë për hartimin e politikave të duhura për zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e gjithë procesit teknologjik dhe nanoteknologjik. Jam i bindur se e ardhmja është fokusi i hartimit të politikave të duhura se si sipërmarrja shqiptare të performojë në nivelin e duhur dhe të konkurrojë me sipërmarrjen rajonale, përfundoi z. Jaka.
Gjatë këtij workshop-i u prezantuan materiale të ndryshme nga sipërmarrësit privatë, si: Profarma, EHW, kantina e pijeve “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krako, Mjalti "Morova", Fruit Trees Nursey “Rabeta”.