Profil intelektual i kandidates Mimoza Hafizi

 

Kandidate për titullin akademik i asociuar

 

 

 

Mimoza Hafizi kandidon në fushën e fizikës për titullin akademik i asociuar. Është diplomuar për fizikë spaciale në Universitetin e Tiranës me Medalje të Artë. Menjëherë u caktua të punojë asistent-pedagoge në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër, ku punoi deri në vitin 1990, pasi kishte shërbyer edhe si përgjegjëse katedre. Studimet e doktoraturës i kreu në Francë, mbështetur me një burse franceze. Në Ecole Normale de Paris mbrojti diplomën e studimeve të thelluara në fizikë teorike dhe më pas punimin e doktoraturës në Observatorin Paris-Meudon më 1995. Pas mbrojtjes së doktoratës filloi punën si pedagoge në departamentin e fizikës të Universitetit të Tiranës, ku ka marrë titullin profesor në vitin 2012. 

 

Dy janë drejtimet kryesore të kërkimit shkencor të saj, që i zhvillon në bashkëpunim me grupin shkencor brenda departamentit: në fushën e astrofizikës, për studimin e shpërthimeve Gama; dhe në shkencat planetare, për studimin e planeteve jashtë sistemit diellor. Që prej 4 vitesh është përfshirë në projektin hapësinor europian THESEUS, i cili synon dërgimin e një teleskopi në hapësirë për të zbuluar shpërthimet më të vjetra Gama, që do të shërbejnë për të kuptuar fazat me të hershme të evolucionit të Universit. Dekoruar me urdhrin Chevalier dans l’Ordre des Palmes Académiques në Francë më 2008. Anëtare e Bashkimit Ndërkombëtar të Astrofizikanteve (2019). 

 

Artikujt e saj shkencorë në këto fusha janë 37, të cituar 82 herë (ResearchGate), ndërsa 27 artikuj të saj janë të indeksuar në SCOPYS me indeks H = 5. Ka 40 refererime në konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit; duke qenë mjaft aktive në organizimin e konferencave shkencore ndërkombëtare dhe kombëtare në Shqipëri, cilësia e të cilave është pasuruar edhe nga prania e shumë kolegëve europianë nga Franca dhe Italia. 

 

Veprimtaria mësimore prej 24 vitesh në departamentin e fizikës të FSHN përfshin dy lëndët kryesore: mekanikë kuantike dhe astrofizikë. Ka udhëhequr dy doktoratura në fushat kërkimore të interesit: shpërthimet Gama dhe planetet jashtëdiellore. Autore e bashkautore e 7 teksteve universitare dhe 3 teksteve parauniversitare. Është aktivizuar dhe në popullarizimin e shkencës, duke qenë edhe ideuese dhe bashkërenduese e ngritjes së Observatorit lëvizës në Tiranë me një teleskop Celestron 20 cm.