Profil intelektual i kandidatit Adrian Civici

Kandidat për titullin akademik i asociuar

 

 

 

Adrian Civici konkurron për titullin akademik i asociuar në shkencat ekonomike. Mbrojti doktoratën për administrim biznesi në UBT. Është docteur en economie, gradë e mbrojtur në ENSA.M Montpellier me vlerësim très honorable; si dhe mban titullin profesor (2010). Ka kryer kualifikime në Francë, Itali, Greqi, Spanjë, Zvicër, SHBA etj. Karriera profesionale e tij nis në vitin 1982, si pedagog e drejtues në UBT, si kërkues shkencor, si drejtues i Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik e Social në Ministrinë e Financave; Rektor dhe President i UET; anëtar i këshillit drejtues të Bankës së Shqipërisë; këshilltar ekonomik pranë Qeverisë së Kosovës; në përbërje të Jean Monnet Key Staff të Albania toward EU and Regional Development “ALEURD” (Shqipëria drejt BE-së dhe zhvillimit rajonal); të bordit drejtues të Societe Generale Albania dhe OTP Albania, dekan i Fakultetit Ekonomik pranë UMSH.

 

Është autor ose bashkautor i 20 veprave, nga të cilat 16 brenda vendit dhe 4 jashtë vendit. Ka përkthyer 6 tituj veprash shkencore. Është autor i mbi 20 broshurave të botuara jashtë vendit dhe i 6 të tillave brenda vendit. Ka botuar 33 artikuj shkencorë në gjuhën shqipe në revista të specializuara. Është pjesëmarrës në 19 konferenca shkencore brenda vendit dhe në 37 jashtë vendit, si dhe në punë kërkimore dhe studimore në grupe pune: 21 brenda vendit dhe 7 jashtë vendit. Veçohen midis studimeve monografike të tij: Albania - an agriculture in transition (Montpellier 1996); D’une agriculture de subsistance vers une agriculture de type familial modern / Nga bujqësia e mbijetesës deri tek bujqësia moderne e tipit familjar (Montpellier, 1998); Dilemmas of Development - Models of economic and social development in front of globalization / Dilemat e zhvillimit, modelet e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror përballë globalizimit (2007); Shteti apo tregu - cilin model zhvillimi të zgjedhim? (2014); Transformimi i madh - nga planifikimi i centralizuar drejt tregut të lirë (2015); Fridrih Hayek - liberalizmi përballë etatizmit (2017); Anatomia e krizës financiare 2008-2018 (2018). Botimet kryesore të tij janë botuar në gjuhët shqip, anglisht, frëngjisht dhe italisht.

 

Adrian Civici ka vazhduar pa ndërprerje për një periudhë mbi 37-vjeçare kualifikimet e tij brenda dhe jashtë vendit, duke u specializuar në fushën e menaxhimit rural të integruar në INA-PG Paris, për politikat agrare; për reformat dhe politikat e tranzicionit; për zhvillimin e qëndrueshëm; për zhvillimin mesdhetar; për analizën krahasuese të tranzicionit; për zhvillimin human dhe politikat ndërkombëtare të zhvillimit ekonomik e social. Ai ka bashkëpunuar me projekte ndërkombëtare e rajonale me institucione të rëndësishme si FAO, Banka Botërore, BERZH, FPH, në ekipe me prani të personaliteteve të shquar të fushës. Është vlerësuar me medaljen e Palmës së artë akademike nga Ministria e Arsimit e Francës (2009), me mirënjohjet Ekonomisti më i angazhuar dhe aktiv i vitit (2014); Ekonomist i angazhuar me kontribut të vecantë në zhvillimin e ekonomisë në Shqipëri dhe Kosovë (2017); dhe Ekonomisti i vitit (2017).