Image 1 title

type your text for first image here

Image 1 title

Image 2 title

type your text for second image here

Image 2 title

Image 3 title

type your text for third image here

Image 3 title

Image 4 title

type your text for 4th image here

Image 4 title

Image 5 title

type your text for 5th image here

Image 5 title

Image 6 title

type your text for 6th image here

Image 6 title

Image 7 title

type your text for 7th image here

Image 7 title

Image 8 title

type your text for 8th image here

Image 8 title

Image 9 title

type your text for 9th image here

Image 9 title

Image 10 title

type your text for 10th image here

Image 10 title

Ligjërata e prof. dr. Aurel Plasarit: Një 80-vjetor i akademizmit në Shqipëri

 

Seksioni i shkencave shoqërore e albanologjike, në vazhdim të traditës së nisur në mbajtjen e ligjëratave, forumeve e referimeve shkencore, prej studiuesish në fusha të ndryshme të shkencave albanologjike, organizoi mbajtjen e ligjëratës: “Një 80-vjetor i akademizmit albanologjik në Shqipëri”, nga prof. dr. Aurel Plasari më 19 nëntor 2017, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, në prani të një grupi profesorësh e studiuesish, kryesisht të fushave albanologjike.


80 vjet më parë shënohet në studimet albanologjike një ngjarje historike e lënë, pothuajse në t’errët: themelimi i një institucion të parë akademik të albanologjisë nën emërtimin “Akademia Albanologjike Saveriane”. E themeluar në Shkodër më 1937, ajo u brendashkruhet dy palë rrethanave të favorshme të atij viti: nga njëra anë 60-vjetori i themelimit dhe veprimit në Shqipëri të Kolegjit të Shën Ksavierit, nga ana tjetër 25- vjetori i pavarësimit të Shqipërisë. Një ngjarjeje e tillë e shënuar e studimeve shqiptare në Shqipërinë e 80 viteve më parë është lënë në t’errët jo për nga rezultatet e mbërritura ose të pambërritura të Akademisë në fjalë, por prej barrës së paragjykimeve përkundrejt një organizimi dituror të përftuar si nismë e mjedisit të përqendruar rreth atij institucioni që në dhjetëvjetëshat e parë të shek. XX njihej me emrin meritor “Kolegji Saverian” ndërsa mbas Luftës II Botërore emri iu shndërrua në “njollë”. As është vënë re dhe as është dashur të kuptohet që, sikurse vetë aktet themeluese të Akademisë Albanologjike Saveriane e dëshmojnë, ajo ishte produkt i një shoqate civile, intelektuale dhe njëherësh atdhetare.


Një nga çështjet e trajtuara nga profesor Plasari në këtë ligjëratë kishte të bënte me: Statutin dhe organizimin e Akademisë. Në ballinë Statuti mban stemën me shënimin rrethor: “Akademia Albanologjike Xaverjane. Academia Albanologica Xaveriana. Concordia Parvae Res Crescunt”. Motto-ja latine është po ajo që e ka mbajtur për shumë vite edhe revista “Leka” dhe që vetë saverianët e jepnin në shqip “Sendet e vogla rriten prej bashkimit” ose “Punët e vogla me bashkim rriten”. Në të vërtetë e plotë thënia latine është “Concordia parvae res crescunt, discordia maximae dilabuntur”, d.m.th. “Me marrëveshje gjërat e vogla rriten, me mosmarrëveshje edhe të mëdhatë zvogëlohen”.
Neni i parë i Statutit të Akademisë në fjalë përcakton:
“I. Akademija Albanologjike Saverjane jeton në gjí të shoqatës L.E.K.A., t’Ishnëxânsavet të Kolegjës Historike Saverjane, botuese të revistës “Leka”.

Leximi i këtij neni të parë është vendimtar për të kuptuar që si de jure, si de facto, Akademia në fjalë nuk ishte strukturë e Urdhrit Jezuit, por e shoqatës L.E.K.A., e cila si themelim dhe si përbërje u përshkrua.

Qëllimi parësor i themelimit të Akademisë në fjalë, i shpallur në nenin II të Statutit të saj, përbën njëherësh edhe një përkufizim të fushës së albanologjisë që ende sot mund të kihet zili për nga konceptimi:

“II. Qellimi i sái me u dhânë shkas e me u ndihmue n’atë të veten gjithë atyne studimeve qi permblidhen në rreth t’albanologjís, d.m.th. qi i perkasin historís, gjeografís e hulumtimevet e aplikacjonevet fizike-natyrore, letërsís, gjûhësís, folklorës e artevet të bukra të vendevet qi janë o kanë kênë shqiptare, si atdhé o si koloní, të fisit shqiptár. E prandej synon me mbledhë tok në bashkpunim të gjith ata albanologj shqiptarë e të huej qi kërkojnë me dhânë e me nxjerrë, nder kerkime të veta, ndimen vëllaznore të nierzvet kompetentë të shperdám në qandra kulturore të ndryshme. Qellimi i fundshem: me përhapë njoftimin e çëmimin e Kómbit Shqiptár fisnik”.


Neni III përcakton ndarjen në degët të akademikëve duke bërë grupim të dijeve albanologjike si vijon:
“III. Akademikët ndahen në këto tri degë:
1a shqenca morale e filozofike;
2a shqenca historike, arte e letërsí;
3a shqenca gjeografike, fizike e natyrore”.


Neni IV përcakton organizimin e akademikëve, anëtarë të Akademisë si dhe bashkëpunëtorë të tjerë, duke mos bërë dallim mes akademikëve rezidentë dhe akademikëve korrespondentë. Kourumi i tyre i mjaftueshëm është tridhjetë të tillë me të drejtë vote. Po ashtu Akademia ka edhe dhjetë anëtarë nderi. Me interes specifikimi që akademikët të cilët për arsye moshe - ose për çfarëdo arsyeje tjetër - nuk mund të jenë aktivë, konsiderohen “akademikë të motshëm” dhe vendin e tyre si “vepruesa” (aktivë) e zënë të tjerë.


Në fondet arkivore të Ndre Mjedës në AQSh është ruajtur një dokument disafish i çmuar: diploma e tij si anëtar i Akademisë. Prej saj vërtetohet edhe e dhëna e Injac Zamputit, i cili te Bibliografia e vet e hartuar në vitet 1994-1995 ka shënuar që ka pas nënshkruar diplomat për anëtarët e Akademisë Saveriane “me cilësinë e sekretarit”.


Përpos saverianëve të mirëfilltë, Akademia ka pasur edhe të tjerë anëtarë, shekullarë dhe laikë. Ndër këta të fundit Zamputi kujtonte Kolë Kamsin që është quajtur drejt “pionier i studimeve arbëreshe në Shqipní”, Ilo-Mitkë Qafëzezin që botoi në “Leka” punimet e tij për Voskopojën, Lumo Skendon me vrojtimet e tij albanologjike, Lukë Karafilin (Bardhyli) me vargun e punimeve për historikun e bibliotekave në Shqipëri etj. Ia vlen të përsëritet që baza e Akademisë Albanologjike të saverianëve, ashtu si edhe e revistës “Leka”, ishte dhe mbetej shoqata L.E.K.A., e themeluar më 1928 nga 38 absolventët e Kolegjit Saverian dhe shkollave të tjera, pra kryesisht laikë dhe pa dallim përkatësie fetare. Në mungesë të një liste të plotë të anëtarësisë si akt dokumentar, kërkimet për të do të duhen vijuar.


Për ç’i takon bashkëpunimit të Lumo Skendos nuk bën të kalohet në heshtje fakti - pozitiv në rrethanat e asaj kohe - që gjatë muajve të parë të vitit 1939 ai duket të ketë promovuar idenë për të ngritur edhe vetë në Tiranë një “qendër kulturore albanologjike”, të organizuar rreth bibliotekës së tij emërmadhe. Si ndonjë rivalitet pak a shumë I maskuar nënkuptohet kjo ide nga një shënim i Zalvit (Zef Valentini) te “Leka”. Edhe pse e mbështeste duke e përgëzuar për idenë, me njëfarë sfide Zalvi i kujtonte që ekzistonte një strukturë, të cilën e quante “ubi consistam” (në kuptimin ku mund të mbështetesh), “se nuk jemi mikpritsa vetem neper male me qumshtë e bukë kollomoqe e kafe e duhan, por edhè atŷ kû â zêmra e kû trût e jetës mendore”. Të ndryshme rezultojnë marrëdhëniet me Akademinë të Ilo-Mitkë Qafëzezit. Ndërsa e ndiente veten të sëmurë, “rrëmyesi i thellë i historisë” siç e quante Valentini, e pasuronte Arkivin e saverianëve duke i dhuruar pjesë konsistuese të koleksioneve të veta albanologjike: rezultate kërkimesh në arkiva, studime, riprodhime kronikash dhe kodikësh, nëntë tituj botimesh të dala nga shtypshkronja e Voskopojës, foto monumentesh dhe mbishkrimesh etj.


Neni V i Statutit saktëson organet drejtuese të Akademisë si vijon:
“Akademija ká NJI KRYETAR LIGJUER PERGJEGJËS, i cilli âsht de jure vetë Drejtori Pergjegjës i revistës “Leka”, të cillit i njehet se i â pshtetë mbarë veprimi kulturuer i shoqatës “L.E.K.A.”. Këti i ipet si zbatues e si organizues NJI DREJTUES TEKNIK, i cilli de jure âsht vetë Drejtori Pergjegjës i Kolegjës Saverjane. Çdo degë ká edhè DREJTUESIN e vet. Akademija ká edhè nji SEKRETÁR të zgiedhun prej Kryetarit Pergjegjës nder Akademikë o nder Antarë; ky vepron edhè si sekretár i degvet të ndryshme”.


Mbas verifikimit rezulton e vërtetë që si kryetar (praeses) i Akademisë Albanologjike Saveriane nënshkruante Zef (Pashko) Naraçi S. J., njëherësh edhe drejtor përgjegjës i revistës i “Leka”-s, ndërsa si drejtues teknik (praeses svffectvs) i saj nënshkruante Zef Valentini. Mund të pyetet, në këtë rast, për pozicionin e Ndre Mjedës, “frymëzuesit” të kësaj Akademie. Një dalje e tij në krye të Akademisë në fjalë do të ketë qenë organizativisht e papërshtatshme. Ndonëse Akademia vepronte “në gjí” të shoqatës L.E.K.A., pra të absolventëve të Kolegjit të Shën Ksavjerit dhe të kolegjeve a shkollave të tjera, Mjeda vijonte gjithnjë të mos bënte pjesë në bashkësinë jezuite duke qenë i dalë jashtë Urdhrit përkatës, edhe kur qe i integruar si mësimdhënës në atë Kolegj. Ndërkaq më shumë rëndësi ka të kuptuarit e pozicionit të tij social dhe të tërheqjes së tij nga jeta publike, - vetë Mjeda ka pohuar në një rast që nuk ishte në natyrën e tij angazhimi publik, - sidomos në atë moshë dhe në atë ndërkohë zhgënjimesh të jetës së tij. Të tillë e njohu Injac Zamputi mësuesin e vet në vitet e fundit të jetës, sikundër edhe ia përshkroi “karakterin e tij të drojtur, që e bënte më të shumtën të ishte i vetmuar”. Për Zamputin “ishte kryesisht poet dhe studimtar, nuk kishte komunikativë oratorie”. Zamputit i ka bërë përshtypje që mësuesit të shkuar nga mosha i pëlqente më fort të mos kishte takime të shpeshta me njerëz; edhe rrugës përherë dilte vetëm, kryesisht për të shkruar në Arkipeshkví, tek i vëllai Lazër Mjeda. Kush lexon kujtimet dhe përshtypjet e ish nxënësve të tij - gjithë respekt dhe admirim për mësuesin - do të ndeshë jo nga një, por nga disa syresh konstatimin që mësuesi i tyre “ishte i vetizoluem”, “rronte i vetizoluem”. “Izolim vullnetar”, e ka përcaktuar Zamputi. “Na pleqt nuk i kemi ma hovet rinore”, i është mirëbesuar ai në një moment dishepullit të vet. Por Zamputi duket të ketë të drejtë kur këtë dukuri të karakterit ia ka detyruar të kaluarës së tij, kur rrethi i bashkëpunëtorëve i kishte shkaktuar veprës dhe personit të Mjedës shumë mosmarrëveshje, kundërshtime, keqkuptime. Prandaj Mjeda, gjatë atyre viteve të fundit, edhe pse duke qenë në kulmin e pjekurisë së tij intelektuale, kishte zgjedhur ta kalonte “në qetësi” kohën që i kishte mbetur. Do të duhet shtuar që Mjeda i atyre viteve ishte edhe i përsyshur politikisht: në Shqipëri mbretëronte Ahmet Zogu, armik i tiji i vjetër, që e kishte burgosur dhe internuar dikur. Gjithsesi nuk mund të mos pohohet që themelimi i Akademisë Albanologjike më 1937 të ketë qenë aspirata e fundit e realizuar, atdhetare dhe njëherësh shkencore, e Mjedës i cili do të vdiste më 1 gusht të po atij viti.


Nenet VI, VII, VIII dhe IX të Statutit të Akademisë përsaktësojnë detyrat dhe të drejtat e kryetarit përgjegjës, të Drejtuesit teknik, të organizmit të “Këshillit”, të emërimit të anëtarëve të rinj, si dhe të shfrytëzimit nga ana e anëtarëve të arkivit të Akademisë, të bibliotekës së saj etj.

Neni X përcakton organet botuese të Akademisë:
“Akademija ká me pasë nji organ të vetin të dám në tri pjesë si mbas degvet qi ká; nderkaq Revista “Leka” boton gjithshka i paraqet Akademija”.


Ndërsa neni XI: “Akademija ka per giûhë Zyrtare Shqipen e Latinishten; por pranon komunikacjone e letra në çdo giûhë mjaft të njoftun, sikur italishtja, frengishtja, hispanishtja, gjermanishtja, anglishtja, jugoslavishtja, rumenishtja, greqishtja. Deri sá të kétë Revisten “Leka” per organ, Akademija komunikacjonet ká per t’i botue shqip, me nji permbledhje të shkurtë latinisht, të cillen vetë Akademiku mund ta rreshtojë, në dashtët, në giûhë të vet, osè Akademija ka per t’a xjerrë shkurtas prei tekstit”.


Dhe neni i fundit XII:
“Shkrimet do të frymzohen prej shpirtit albanofil, i cili edhè në trajtë [trajtim] do të diftohet; prandej Kshilli ká në dorë me u parashtrue komunikuesavet shka i duket se lypin vendi e koha”. Për një bilanc të punëve akademike. - Të dhëna për një bilanc të punës kërkimore-shkencore të Akademisë Albanologjike Saveriane mund të nxirren nga koleksionet e revistës “Leka” të viteve 1937, 1938, pjesërisht edhe 1939.


Si drejtim kryesor në dy vitet e hulumtuara spikat botimi i burimeve dokumentare: të atyre të periudhës së Rilindjes kombëtare dhe të Pavarësisë, nën titullin “Dokumentat e agimit të lirís” ose “Documenta de liberatione Albaniae a jugo Turcarum” (“Leka”, 1937-1938), si edhe cikli “Perpjekje per lirim të Shqipnís vj. 1593-1621” (“Leka” 1937- 1938). Me vlera ende sot kanë mbetur vëllimet e përmbledhjeve dokumentare të botuara si numra të veçantë të “Leka”-s: më 1937 kushtuar 25-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa më 1938 kushtuar 60-vjetorit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit. Bie në sy përkimi i një programi të tillë botimi me fillimin e veprimtarisë së Akademisë Albanologjike. Janë përmbledhje që as sot nuk e kanë humbur rëndësinë e tyre. Qysh prej numrit të parë të “Leka”-s së vitit 1937, me shënimin “Programi ynë 1937”, lexuesit paranjoftoheshin: “Do t’i japim randsín ma të madhe kujtimit të rilindjes sonë si kóm i pávarshem; atí do t’i kushtojmë nji pjesë të madhe të fashikujvet tanë muejorë.