Ceremoni solemne me rastin e 95-vjetorit të lindjes së akademik Luan Omari, Fjala e Kryetarit të Akademisë së Shkencave Akademik Skënder Gjinushi

 

U zhvillua sot në ambientet e Akademisë së Shkencave, ceremoni solemne me rastin e 95-vjetorit të lindjes së akademik Luan Omari. Në këtë veprimtari mori pjesë edhe Presidenti i Republikës SH.T. Ilir Meta, gjatë së cilës dorëzoi në emër të shtetit shqiptar dekoratën e lartë Gjergj Kastrioti - Skënderbeu.

 

 

Fjala e Kryetarit të Akademisë së Shkencave Akademik Skënder Gjinushi në këtë veprimtari

 

I nderuar zoti Ilir Meta, President i Republikës,

Të nderuar President Moisiu e Mejdani,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të larta qëndrore,

Të nderuar akademikë, kolegë, miq e të ftuar,

I dashur akademik Luan Omari, e dashur zonja Omari,

 

Për Akademinë e Shkencave, për gjithë botën universitare dhe akademike, sot është një ditë e shënuar, është 95-vjetori i lindjes së Luan Omarit, i anëtarit të Akademisë së Shkencave, me emrin e të cilit është e lidhur historia e themeleve të mbarë akademizmit institucional në vendin tonë, veprimtaria e tij është historia e gjallë e akademizmit shqiptar.

 

 

Dhe ne jemi këtu së bashku që ta urojmë përzemërsisht: Për shumë mot gëzuar, profesor Luani. Jemi krenarë dhe me fat, që të kemi pasur e të kemi pandërprerë në radhët tona, që prej ditëve të para të jetës së këtij institucioni. Ju jeni e do të jeni gjithnjë krenaria e kësaj bote të kërkimit dhe dijes, e Akademisë së Shkencave, e tërë mjedisit akademik e universitar. 

Në personalitetin tuaj prof. Omari janë të pandara dhe në vijimësi kronologjike, me një ndërthurje organike, vlera shembullore morale e qytetare, kontributet origjinale shkencore dhe një fuqi e rrallë e karakterit dhe dinjitetit njerëzor. Këto tri përbërëse të jetës së njeriut vështirë të gjenden kaq në harmoni e sinkroni me njëra-tjetrën, si tek Ju. Tek profili Juaj ato kanë krijuar një model, kanë krijuar një simbol. 

Akad. Omari ka përjetuar të katër periudhat e fundme historike të popullit shqiptar: periudhën e monarkisë; vitet e stuhishme të antifashizmit, gati gjysëm shekullin e qeverisjes totalitare dhe dekadat e vendosjes e të ringritjes demokratike të shtetit shqiptar. 

Një prej pjesëmarrësve më të rinj në luftën antifashiste, Luan Omari menjëherë pas fitores mori përgjegjësi intelektuale e zyrtare në drejtimin e institucioneve të arsimit të lartë, që përgatitën themelimin e Universitetit të Tiranës jo vetëm si drejtues, por edhe si hartues i programeve dhe teksteve universitare, si formues e riformues i brezave të rinj. 

Ai në çdo kohë iu kushtua së mirës së vendit të tij si me forcën e armës, ashtu edhe me atë të ligjit, me dije e me përgjegjësi shembullore qytetare.  

Ishte kjo gjeneratë njerëzish të ditur e të guximshëm që përgatitën hap pas hapi edhe themelimin e Akademisë së Shkencave, me të cilën dija shqiptare njohu shkallën më të lartë të organizimit të saj institucional. 

Historisë së Shqipërisë, historisë së mendimit shqiptar, e të inteligjencës së vendit, nuk i mungojnë kontribuuesit me emër, shumë prej të cilëve kanë ndriçuar në një periudhë e janë zbehur në një tjetër, kanë qenë në lartësinë e momentit historik në një kohë, por që nuk kanë mundur të rishfaqen në të njëjtën lartësi në një kohë tjetër. Personaliteti e veprimtaria Juaj i nderuar profesor ka një ndryshim. Ju bëni pjesë në atë kategori të veçantë dijetarësh që, me energji intelektuale, dhunti talenti dhe vullnet e përgjegjësi krijuese, në të gjitha kohërat jeni shquar në të njejtën lartësi, madje në ngritje. Faleminderit, profesor Luani, që na e keni provuar me jetën tuaj, se të jesh njeriu i suksesit në çdo kohë e në çdo moshë është e mundshme. Në mbi 70 vjet punë e veprimtari në arsim e shkencë, ju keni qenë njeriu i arritjeve, në krye të katedrave e të fakulteteve, për të mbërritur tek drejtimi prej më se tri dekadave i Akademisë së Shkencave, me të cilën keni ndarë sukseset dhe sfidat. 

Emri juaj është i lidhur pandashëm me emrin e bashkëthemeluesve të tjerë të institucionit tonë, me emrat e ndritur të shkencës shqiptare, si Buda, Çabej, Shuteriqi e Radovicka e shumë bashkëudhëtarë, disa edhe këtu të pranishëm. Kjo nuk na pengon të pohojmë me kënaqësi se Ju jeni po aq sa njeriu i Akademisë edhe i kushtetutave; po aq sa njeriu i shtetbërjes dhe mirëqeverisjes edhe njeriu i etatizmit, po aq sa njeriu i themeleve të institucioneve të sistemit universitar-akademik, edhe i vullnetarizmit në mbrojtje të të drejtave qytetare, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme edhe në institucione të rëndësishme europiane si Komisioni i Venecias. Kontributet tuaja të vyera, Ju kanë bërë të njohur si një figurë europiane e jurisprudencës, si ekspert i së drejtës kushtetutese dhe i së drejtës europiane, i historisë së shtetit dhe të së drejtës. 

Ne veçanërisht dëshirojmë t’Ju falënderojmë në këtë përvjetor tuajin, për kontributin e dhënë në formimin e brezave të rinj. Ju jeni një model frymëzues për ta, por i vështirë për t’u arritur. 

Ne e kemi pasur dhe e kemi të vështirë t’u themi brezave të rinj se edhe ata mund të jeni po aq rezultativë, po aq njerëzorë, po aq të virtytshëm, po aq të drejt- orientuar, po aq të zellshëm, po aq të dobishëm për vendin e tyre sa profesori I tyre Luan Omari. Por lirisht mund t’u themi: jeni me fat që modelin e keni, ndiqeni që të fisnikëroheni, ndiqeni që të dituroheni, ndiqeni që t’i afroheni, dhe prapë, edhe me kaq, do të jeni qytetarë e shkencëtarë të vlefshëm. 

Historia e Akademisë sonë si e çdo institucioni, ka periudhat e saj më pak e më shumë të lavdishme, apo më shumë e më pak të suksesshme. Por ajo ka siguruar përtëritjen dhe reformmin e vet të vazhdueshëm në saje edhe të trashëgimisë e përvojës Suaj e të brezit tuaj, të cilët kanë qenë e janë një vlerë e shtuar dhe e pacënuar në çdo periudhë. 

Prandaj çdo vlerësim e nderim për profesorin tonë, akademikun e Shqipërisë e të Europës Luan Omari, ne e konsiderojmë edhe si nderim e përgjegjësi për ne, familjen e tij shkencore, me të cilën ai ka punuar e punon me intensitet e me modesti. 

Kam kënaqësinë tani të ftoj Presidentin e Republikës së Shqipërisë zotin Ilir Meta për të marrë fjalën, duke i rishprehur në emrin Tuaj, falënderimet që na u bashkuan në këtë jubile, jo vetëm me festivitetin e merituar, por edhe me një nderim po aq të merituar, për profesorin, akademikun, juristin e shquar, mikun tonë Luan Omari. Të jeni i sigurt, zoti President, se pas nderimit të profesor Luanit, me këtë dekoratë, vetë akordimi I kësaj dekorate do të marrë më tej një peshë tjetër, ashtu siç ka ndodhur edhe me çmimin e karrierës së ASH, kushdo që do të nderohet me të, në të ardhmen, do të ketë një motiv më shumë për t’u krenuar: se këtë dekoratë e ka marrë Luan Omari në 95-vjetorin e lindjes së tij.