Fjala përshëndetëse e Kryetarit të Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi në Kuvendin VII Albanologjik Ndërkombëtar që u mbajt në Mynih nga 21-22 prill 2023
- Details
- Hits: 90
Tema: “Areali i gjuhës shqipe dhe rrethinave të saj gjatë Antikitetit deri në Mesjetë të Lartë”
Akad. Skënder Gjinushi: “Akademia jonë e Shkencave është e do të jetë përherë e vëmendshme dhe respektuese ndaj bashkësisë dhe qendrave të albanologëve, të mëdha e të vogla, kudo që e ushtrojnë punën e tyre kërkimore. Përveç themelimit të një amze të përgjithshme për regjistrimin e të dhënave të kërkuesve dhe kërkimeve në albanologji, ne po punojmë për krijimin e një rrjeti gjithëpërfshirës në linjë, që do të përditësohet në vijimësi dhe do të na mundësojë një ndërveprim më të suksesshëm, njohje e krahasime, debate shkencore të denja, siç është në traditën më të mirë.”
***
Fjalë përshëndetjeje
Në Kuvendin VII Albanologjik Ndërkombëtar
(Për studime kulturore gjermano-shqiptare)
Me temë:
Areali i gjuhës shqipe dhe rrethinave të saj gjatë Antikitetit deri në Mesjetë të Lartë
The Albanian language area and its surroundings during Antiquity to the High Middle Ages
Organizuar nga Instituti i Gjuhësisë Krahasuese-Indoeuropiane dhe i Albanologjisë pranë Universitetit Ludwig Maximilian
Munih, 21-22 prill 2023
I nderuar akad. Bardhyl Demiraj, kryetar i degës së albanologjisë në Universitetin Ludwig Maximilian;
Të nderuar përfaqësues të lartë të institucioneve arsimore dhe publike të landit të Bavarisë;
Të nderuar drejtues e profesorë të Institutit të Gjuhësisë Krahasuese Indoeuropiane dhe të Albanologjisë;
Të nderuar profesorë dhe akademikë, studiues të albanologjisë, të antikitetit në Ballkan e në Europë, të helenistikës, romanistikës, bizantologjisë, sllavistikës dhe degëve të tjera të gjuhësisë krahasuese;
Më së pari kam kënaqësinë që, në emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, t’u uroj suksese e mbarësi punimeve të këtij kuvendi të kërkimeve albanologjike, që është me rëndësi shkencore e kulturore për gjithë studimet shqiptare, kudo që zhvillohen e realizohen.
Së dyti, e ndiej për detyrë t’i shpreh përgëzimet tona të veçanta anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe një prej dijetarëve më aktivë të saj prof. Bardhyl Demirajt, i cili, me një ngulmim e vendosmëri të jashtëzakonshme, prej gati një çerek shekulli, ia ka arritur ta kthejë në traditë organizimin e tubimeve cilësore të studimeve albanologjike, duke vënë thekse të mirëmenduara në çështje gjuhësore, historike, kulturologjike e fetare të tyre.
Natyrisht, përpjekjet individuale kanë rëndësi parësore për sa i takon nismës dhe ideimit të projekteve shkencore, krijimit të sinergjive dhe të ndërveprimit kolegjial në rrjetin e studimeve albanologjike, por po aq me rëndësi është mbështetja institucionale nga drejtuesit e lartë të Universitetit Ludwig Maximilian, sot e mbi 60 vjet, ndaj u shprehim atyre mirënjohjen tonë për dashamirësinë dhe vëmendjen.
Ne jemi në vendin ku ka lindur albanologjia, kronologjikisht në atdheun e parë të saj; në vendin ku studimet shqiptare kaluan nga romantizmi e ekzotika në real-shkencë me objekt e qëllim të përcaktuar. Shkolla gjermane dhe ajo austriake e filologjisë krahasimtare e bënë albanologjinë një shkencë të pavarur, siç është dhe sot.
Kur u njoha me programin e këtij tubimi më erdhi mirë që, në shtatë seancat që do të zhvillohet gjatë dy ditëve të këtij tubimi gjeta pothuajse gjithë emrat e albanologëve që paraqitën dy vjet më parë në Tiranë, në Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike të organizuar nga Akademia e Shkencave, rezultate të punës dhe të kërkimeve të tyre të thelluara.
Ju të gjithë, që e keni lidhur jetën tuaj me gjuhën shqipe, me lashtësinë dhe rrugën historike të formimit të popullit shqiptar, me problemet e etnicitetit e të identitetit të tij, meritoni nderimin dhe vlerësimin tonë të pakufishëm.
Është krejt e kuptueshme për ne që, dikur dhe sot, një pjesë e madhe e studiuesve albanologë kanë ardhur tek shqipja dhe historia e saj jo për një interes të drejtpërdrejtë, por për shkak të një disipline të afërt, për shkak të helenistikës e bizantologjisë, të romanistikës, sllavistikës e ballkanologjisë, madje edhe të studimeve orientale. Kjo edhe sepse shqipja është një çelës për të interpretuar e shpjeguar enigma të gjuhëve dhe kulturave të tjera. Për ne është e rëndësishme që ju jeni këtu, si gjithnjë besnikë në albanologji, sipas shprehjes së prof. Demirajt.
Akademia jonë e Shkencave është e do të jetë përherë e vëmendshme dhe respektuese ndaj bashkësisë dhe qendrave të albanologëve, të mëdha e të vogla, kudo që e ushtrojnë punën e tyre kërkimore. Përveç themelimit të një amze të përgjithshme për regjistrimin e të dhënave të kërkuesve dhe kërkimeve në albanologji, ne po punojmë për krijimin e një rrjeti gjithëpërfshirës në linjë, që do të përditësohet në vijimësi dhe do të na mundësojë një ndërveprim më të suksesshëm, njohje e krahasime, debate shkencore të denja, siç është në traditën më të mirë. Veç kësaj, kuvendi ndërkombëtar i studimeve albanologjike, që u rimblodh parvjet pas një gjysmë dekade ndërprerjeje, do të kthehet në një traditë me periodicitet të rregullt, për të bërë të mundur që rezultatet e kërkimeve shkencore dhe vetë autorët e tyre të jenë gjithnjë të përditësuar për arritjet më të reja në albanologji.
Në kohën e sotme gjuhët, kulturat dhe qytetërimet e quajtura të vogla, ku bën pjesë dhe shqipja, për shkak të disa hierakive të hershme që janë theksuar nga proceset e pashmangshme të globalizimit dhe të inteligjencës artificiale, janë të rrezikuara prej mosvëmendjes dhe mosmbështetjes. Gjithnjë e më shumë katedrat e dikurshme po shkrihen në njësi më të mëdha, duke humbur pavarësinë e objektit dhe të metodës.
Dega e albanologjisë në Universitetin Ludwig Maximilian të Mynihut ka qenë më me fat të dyfishtë: qoftë prej personaliteteve që e kanë kryesuar, qysh prej Martin Camajt e Wilfried Fiedler-it, që ne e kishim anëtar nderi, deri tek akademikët Rexhep Ismajli e Bardhyl Demiraj; po ashtu edhe për vlerësimin dhe kujdesin e vëmendshëm të rektoratit nga njëra anë dhe të ministrisë së arsimit të landit të Bavarisë. Akademia e Shkencave u shpreh atyre mirënjohjen e vet dhe gjejmë rastin të konfirmojmë se albanologjia do të ketë mbështetjen tonë institucionale jo vetëm këtu në Mynih, por kudo që zhvillohet. Institucioni ynë nuk është ndonjë pasanik i madh, por mundësitë e bashkëpunimit në kuadër të projekteve kombëtare e ndërkombëtare i kemi të mëdha.
Ne mund të kontribuojmë duke ofruar menjëherë dhurimin e koleksioneve të botimeve tona albanologjike; shkëmbime të profesoratit e të ekspertëve, ndihmë për programe dhe tekste; bashkorganizim kuvendesh e konferencash shkencore. Duam ta theksojmë këtë të fundit sepse, siç po rezulton nga përvoja, roli i degëve të albanologjisë gjithnjë e më shumë po shkon tek kërkimi dhe organizimi shkencor, krahasuar me mësimdhënien. Me nënshkrimin e një protokolli dypalësh edhe ministria e arsimit në Shqipëri ka marrë përsipër të ofrojë mbështetje e bashkëpunim me degën e albanologjisë këtu, dhe kjo është shenjë për optimizëm.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë është themeluar si akademi me profil albanologjik dhe e ruan edhe sot përparësinë e saj. Tek ne gjithnjë do të keni institucionin më të rëndësishëm në vend për partneritet e bashkëpunim. Ne tani jemi përqendruar në tre projekte themelore: fjalorin e madh të shqipes, historinë e shqiptarëve dhe enciklopedinë shqiptare. Akademia e Shkencave mirëpret bashkëpunim të frytshëm për këto tre projekte, dhe këtë bashkëpunim e kemi të nevojshëm e të domosdoshëm, pasi ju jeni pjesë e botës shqiptare dhe ne jemi brenda qëllimit dhe misionit tuaj.
Më lejoni ta mbyll këtë fjalë përshëndetjeje me urime e përgëzime të përzemërta për këtë tubim dhe për gjithë veprimtarinë albanologjike që zhvillohet në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, tek arbëreshët e arvanitët, nga albanologët e pranishëm në këtë auditor; nga ju që jeni gjysma tjetër e peshores së mendimit dhe arritjeve shkencore në albanologji. Përgëzimet më të mira prof. Demirajt, organizatorit të këtij kuvendi; falënderimet më të sinqerta Rektoratit për mbështetjen dhe Institutit të Gjuhësisë Krahasuese-Indoeuropiane e të Albanologjisë që ka mbajtur peshën kryesore në organizim.
Faleminderit për vëmendjen.