Konferencë jubilare në nderim të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit

10 nëntor 2022, ora 10.00, në "Tirana International Hotel"

Konferencë jubilare në nderim të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit

50-VJETORI I THEMELIMIT TË AKADEMISË SË SHKENCAVE TË SHQIPËRISË

1972 - 10 tetor - 2022

50-VJETORI I THEMELIMIT TË AKADEMISË SË SHKENCAVE TË SHQIPËRISË

Konferenca Ndërkombëtare e Trendeve në Nanoteknologji

2022 TNT nanoBalkan

Konferenca Ndërkombëtare e Trendeve në Nanoteknologji

Baladat dhe audienca në kohë dhe hapësirë, 1-5 shtator 2022

Akademia e Shkencave dhe Komisioni Ndërkombëtar i Baladave organizojnë Konferencën e 50-të Botërore të Baladave në Tiranë e Gjirokastër

Baladat dhe audienca në kohë dhe hapësirë, 1-5 shtator 2022

“Mitrush Kuteli, shkrimtari, studiuesi, përkthyesi” në 115-vjetorin e lindjes

Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi i akordon Dhimitër Paskos "Nderi i Akademisë"

“Mitrush Kuteli, shkrimtari, studiuesi, përkthyesi” në 115-vjetorin e lindjes

Dekorimi nga Presidenti

Presidenti Meta dekoroi me titullin “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut” akademikun Anastas Angjeli

Dekorimi nga Presidenti

Presidenti dekoron Akademikun

Presidenti Meta dekoroi me titullin “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut” akademikun Dhimitër Haxhimihali

Presidenti dekoron Akademikun

 

REAGIMI SHKENCOR KUNDER COVID19

Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike miraton kandidaturat për titujt “akademik” dhe “akademik i asociuar” të ASH-së

KONFERENCA PËR 50-VJETORIN E KONGRESIT TË DREJTSHKRIMIT

 

Akad. Skënder Gjinushi: Sot, 50 vjet pas mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit, mund të pohohet pa hezitim se gjuha e njësuar i ka kaluar sfidat dhe sprovat e kohës.

 

"Ky 50-vjetor përkon me atë të themelimit të Akademisë sonë të Shkencave. Ky përkim nuk është një rastësi: të dyja këto ngjarje janë produkt i procesit historik të ngritjes në një stad të ri të pjekurisë shkencore, atdhetare e kulturore mbarëshqiptare, dëshmuar në vijimësi në Shqipëri e në Kosovë, në gjithë arealin e përdorimit të shqipes.”

 

“Sigurisht, gjuha e njësuar nuk është thjesht një akt i arkivuar, por një organizëm i gjallë në zhvillim, pasurim e përsosje; rendi e rregullimi i saj nuk janë një proces i mbyllur përgjithnjë. Zgjidhjet që ofroi Kongresi i Drejtshkrimit janë të drejta, por, ashtu si përdoruesi i gjuhës duhet të respektojë normën e saj, ashtu dhe norma të ndjekë zhvillimin e brendshëm të gjuhës si organizëm i gjallë që vazhdimisht pasurohet e përsoset, përparon e konsolidohet. Norma nuk dikton kufijtë e fjalës, por drejtshkrimin e saj. Rregullat ortografike krijojnë normë në drejtshkrim dhe nuk janë kufizim për drejtshqiptimin, që kërkon më shumë kohë e kulturë.

 

***

 

 

I nderuar z. Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë;

 

I nderuar z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë;

 

I nderuar z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës;

 

I nderuar z. Artan Grubi, Zëvendëskryeministër i parë në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut;

 

I nderuar akademik Mehmet Kraja, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës;

 

Të nderuar nënshkrues të Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit;

 

Të nderuar pjesëmarrës në këtë konferencë jubilare: akademikë e profesorë; gjuhëtarë, shkrimtarë e përkthyes; studiues të shqipes;

 

Kjo konferencë i kushtohet një ngjarjeje kyçe në historinë e kulturës kombëtare shqiptare: 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit.

 

Për vetë rëndësinë historike-gjuhësore që pati dhe ka ky kongres për tërë shqiptarët, vështruar më së pari si faktor kryesor njësues në identitetin e tyre kombëtar, së bashku me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës kemi punuar për t’i dhënë kësaj ngjarjeje gjithë vëmendjen shkencore dhe publike.

 

Është detyra dhe kënaqësia jonë t’u shprehim nderim e mirënjohje të gjithëve atyre që përgatitën Kongresin e Drejtshkrimit dhe nënshkruan Rezolutën e tij: atyre që nuk janë më në jetë dhe atyre që janë mes nesh, në mënyrë të veçantë gjuhëtarëve dhe shkrimtarëve.

 

Rregullat e zgjidhjet që u miratuan në Kongresin e Drejtshkrimit, të paraprira me vendimet e njëzëshme të miratuara vite më herët nga gjuhëtarët shqiptarë në Konsultën Gjuhësore të Prishtinës, ishin akt njësimi e bashkimi jo vetëm gjuhësor.

 

Kjo ngjarje e madhe historike është produkt i një përgatitjeje disavjeçare, me pjesëmarrjen dhe kontributin e gjithë intelektualëve shqiptarë, veçanërisht të gjuhëtarëve, të cilët, të prirë nga personalitete të tilla të paharruara si Idriz Ajeti, Besim Bokshi e Ali Hadri në Prishtinë dhe Eqrem Çabej, Androkli Kostallari, Shaban Demiraj e Mahir Domi në Tiranë, u dëshmuan qartazi shkencërisht e atdhetarisht në lartësinë e momentit historik.

 

Njësimi i gjuhës letrare është një ligjësi e brendshme objektive, prirja zhvillimore e çdo gjuhe, vështruar së pari si një kërkesë e natyrshme për homogjenizim e ndërkomunikim kombëtar; ndërkohë kjo shihet edhe si një prej faktorëve ndikues në forcimin e identitetit kombëtar.

 

Fatet dhe rrethanat historike kanë bërë që për shqiptarët gjuha të jetë faktori kryesor përcaktues për identitetin e tyre kombëtar. Ky vizion ka qenë në bazë të programit të Rilindjes. Është kjo arsyeja pse ideologjia jonë kombëtare lindi si romantizëm gjuhësor. Prandaj qëndrimi ndaj gjuhës në të gjitha kohërat është parë i lidhur me identitetin dhe aspekti shkencor gjithnjë është ndërthurur fort me atë patriotik. Përpjekjet për t’i ndarë këto dy aspekte në emër të arsyes së pastër shkencore janë vlerësuar më së paku si naive.

 

Kërkesat e mendimtarëve shqiptarë qysh në shekullin e 19-të për një gjuhë të përbashkët, që prej Naum Veqilharxhit, Jeronim de Radës dhe Naim Frashërit; Kristoforidhit e Faik Konicës, Gjergj Fishtës e Luigj Gurakuqit, Mit’hat Frashërit e Fan Nolit; miti sundues i gjuhës shqipe gjatë Rilindjes dhe Pavarësisë; ishin shprehje e ëndrrës së gjithë shqiptarëve për bashkim kombëtar në një shtet, duke e parë njësimin gjuhësor si një hap kyç drejt tij.

 

Me këtë frymë e qëllim u zhvillua Kongresi i Manastirit, që paracaktoi rrugën e gjuhës shqipe, me orientim të qartë drejt latinitetit, për të kapërcyer qerthujt dhe kurthet e alfabeteve të shumëfishta. Pa njësimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit (1908), pa Konsultën Gjuhësore të Shkodrës (1917), pa atë frymë që ndikoi në vendimet e qeverive të viteve 1920-1924 për një mënyrë të vetme të shkruari të akteve administrative, do të ishte e vështirë të arriheshin vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit.

 

Sot, 50 vjet pas mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit, mund të pohohet pa hezitim se gjuha e njësuar i ka kaluar sfidat dhe sprovat e kohës.

Si për çdo krijesë e krijim, edhe për normën gjuhësore më i rëndësishëm është vetë krijimi dhe qëndrimi ndaj tij e jo marrja me krijuesit e ndikuesit. Gjuhëtarja amerikane Janet Byron (Xhanet Bajron), në studimin e saj monografik mbi historinë e formimit të shqipes së njësuar letrare, duke i shqyrtuar imtësisht rrethanat ideologjike, politike dhe gjeorajonale, përfshirë dhe rolin e sociolinguistikës dhe të planifikimit gjuhësor, konkludon se, pavarësisht rrugës së ndjekur, gjuha letrare shqipe e njësuar rezultoi zgjidhje funksionale.

 

Vetë fakti që norma gjuhësore filloi të zbatohej më së pari jashtë kufijve shtetërorë, ku situata politike e shtetërore ndikonte vetëm negativisht, dëshmon qartazi për këtë dhe për faktin se atje etja për njësim-bashkim ishte më e fuqishme.

 

Gjatë këtij gjysmëshekulli dhe sidomos gjatë tri dekadave të fundme, gjuha shqipe është përballur me prova të mëdha për të dëshmuar aftësitë e saj shprehëse në të gjitha ligjërimet. Sfida më e madhe e saj ka qenë të dëshmojë aftësitë e veta për të shqiptuar e shqipëruar kryeveprat e letërsisë, filozofisë dhe mendimit botëror shprehur në ato që quhen gjuhë të mëdha të Njerëzimit: prej epopeve të lashta antike të popujve, Komedisë hyjnore, tragjedive të Shekspirit e traktateve të filozofisë klasike gjermane, deri te Shkrimet e Shenjta.

 

Shqipja jonë e njësuar, për meritë të saj e të përkthyesve dhe shkrimtarëve që iu kushtuan asaj, ka provuar katërçipërisht barazinë e vet me çdo gjuhë, të madhe a të vogël, duke përfshirë edhe ato rrafshe ligjërimi për të cilat në Kongresin e Drejtshkrimit nuk u fol, si ligjërimi liturgjik e gjuha e faltoreve.

 

Ky 50-vjetor përkon me atë të themelimit të Akademisë sonë të Shkencave. Ky përkim nuk është një rastësi: të dyja këto ngjarje janë produkt i procesit historik të ngritjes në një stad të ri të pjekurisë shkencore, atdhetare e kulturore mbarëshqiptare, dëshmuar në vijimësi në Shqipëri e në Kosovë, në gjithë arealin e përdorimit të shqipes.

 

Lindur në kushtëzim të njëra-tjetrës dhe produkt i së njëjtës klimë, Akademia e Shkencave dhe të gjitha institucionet që i janë kushtuar albanologjisë e konsiderojnë përgjegjësi promovimin, argumentimin, zhvillimin progresiv, mbrojtjen dhe përditësimin e gjuhës së njësuar, bazuar në vendimet që mori Kongresi i Drejtshkrimit për një gjuhë të njësuar në të gjitha rrafshet e stilet, në gjithë hapësirën historike shqiptare, si gjuhë e shkruar, si gjuhë e arsimimit dhe e komunikimit zyrtar publik.

 

Sigurisht, gjuha e njësuar nuk është thjesht një akt i arkivuar, por një organizëm i gjallë në zhvillim, pasurim e përsosje; rendi e rregullimi i saj nuk janë një proces i mbyllur përgjithnjë.

 

Zgjidhjet që ofroi Kongresi i Drejtshkrimit janë të drejta, por, ashtu si përdoruesi i gjuhës duhet të respektojë normën e saj, ashtu dhe norma të ndjekë zhvillimin e brendshëm të gjuhës si organizëm i gjallë që vazhdimisht pasurohet e përsoset, përparon e konsolidohet. Norma nuk dikton kufijtë e fjalës, por drejtshkrimin e saj. Rregullat ortografike krijojnë normë në drejtshkrim dhe nuk janë kufizim për drejtshqiptimin, që kërkon më shumë kohë e kulturë.

 

Disiplinimi i folësve të shqipes për të përdorur normën e saj kudo e kurdoherë, edhe në familje apo në trashëgiminë e të parëve, nuk ka lidhje me respektimin e gjuhës së njësuar. “Rregullimi” retrospektiv i letërsisë dhe i çdo trashëgimie është dukuri po aq e dëmshme sa dhe kufizimet në përdorimin e dialekteve në emër të standardit, në gjuhën e folur, në jetën e përditshme apo krijimtari.

 

Dialektet janë trashëgimi themelore kombëtare, janë rezervati i pasurimit të shumanshëm të shqipes së njësuar, janë burimi i fuqisë leksikore e gramatikore të saj. Janë shkrimtarët e përkthyesit, dijetarët e publicistët, ata që, duke i ftuar në qarkullim në përputhje me rendin gjuhësor këto resurse, u japin status të ligjshëm shkencërisht në shqipen e njësuar letrare.

 

Me këtë qëndrim ndaj raporteve gjuhë letrare - dialekte garantohet vazhdimësia e letërsisë nga njëra periudhë në tjetrën, respektimi i vullneteve autoriale në mënyrë tërësore, përfshirja e njohurive dialektore në të gjitha nivelet e sistemit arsimor të vendit.

 

Në funksion e në pajtim me këto parime është ngritur Kartoteka Kombëtare e Leksikut të Shqipes, ku ruhen rekordet e pasurisë së gjuhës shqipe në leksik e në ligjërim, me rreth 15 milionë njësi, që janë burimi i çdo fjalori a gramatike. Mbi këtë bazë, me pjesëmarrjen e tërë instituteve të fushës, po hartohet i pari fjalor i formatit të madh të gjuhës sonë, që do të shenjojë një hapje tjetër cilësore e sasiore ndaj gjithë pasurisë leksikore e frazeologjike të saj, për të kaluar te krijimi i një thesaurus-i të shqipes së shkruar e të folur në tërësinë e vet, duke shmangur çdo ndasi në ndërkomunikimin dhe pranimin e prurjeve prej dialekteve në shqipen letrare.

 

Hartimi i Enciklopedisë shqiptare, projekt i përbashkët i dy akademive, me lëndën enciklopedike të mbledhur e përuruar nga gjithë bota shqiptare, do të jetë një tjetër hap njëkuptimësimi e njësimi për promovimin e trashëgimisë shqiptare në tërësi, duke shërbyer si një dëshmi e identitetit të përbashkët në të gjitha sferat, si një provë e dallimit të qartë midis identiteteve shtetërore të imponuara prej rrethanash historike e identitetit kombëtar të ngjizur në shekuj.

 

Akademia e ka mision parësor mirëpërdorimin e gjuhës së njësuar. Gjuha jonë si trashëgimi e përbashkët, nuk ka nevojë për mbrojtje e avokati veçanërisht nga vetja e nga të vetët. Kur flasim për mbrojtje të shqipes si gjuhë dhe të asaj të njësuar veçmas bëhet fjalë për mbrojtje nga barbarizmat, nga shtrembërimet që vijnë nën ndikimin e gjuhëve të tjera, nga keqpërdorimi publik i saj në tekste, administratë e në ligjërimin publik zyrtar; për mbrojtjen e brezave të rinj të lindur në mërgim nga humbja e gjuhës së prindërve e të gjyshërve. Është detyra jonë që t’i përgjigjemi detyrimit kushtetues e atij të ligjit organik të Akademisë për rregullimin juridik të përdorimit të shqipes në funksionet zyrtare e administrative, duke përgatitur e propozuar aktet e nevojshme ligjore e nënligjore.

 

Shqiptarët, të orientuar tërësisht drejt një bashkësie të qytetëruar europiane, siç është Bashkimi Europian, do të bëhen pjesë e saj jo si toskë e gegë, por si shqiptarë e si një komb. Në aktet e Bashkimit Europian dhe në sallat e vendimmarrjes europiane për ta do të ketë një sportel gjuhësor, një kabinë të vetme përkthimi, dhe në to do të përdoret shqipja e njësuar letrare, siç po kërkohet edhe institucionalisht. Gjuha e bashkimit do të kthehet në gjuhë të integrimit.

 

Faleminderit për vëmendjen. Punë të mbarë konferencës.