Akademia e Shkencave dhe Komisioni Ndërkombëtar i Baladave organizojnë Konferencën e 50-të Botërore të Baladave në Tiranë e Gjirokastër
- Details
- Hits: 310
Baladat dhe audienca në kohë dhe hapësirë, 1-5 shtator 2022
***
Akademia e Shkencave dhe Komisioni Ndërkombëtar i Baladave organizojnë Konferencën e 50-të Botërore të Baladave në Tiranë e Gjirokastër, 1-5 shtator 2022
Marrin pjesë me kumtime mbi 60 kërkues nga universitetet dhe qendrat kërkimore më të rëndësishme europiane e botërore
Studiues të njohur të baladave dhe të folklorit do të mblidhen nga data 1-5 shtator në Shqipëri për të mbajtur konferencën e 50-të në kryeqytetin shqiptar dhe në qytetin muze të Gjirokastrës, të njohur për vlerat e tij të trashëgimisë.
“Baladat dhe audienca në kohë e hapësirë” është tema e konferencës së 50-të Ndërkombëtare të Komisionit Ndërkombëtar të Baladave (KfV), e cila këtë vit do të mbledhë mbi 60 studiues të kësaj fushe nga e gjithë bota. Kjo ngjarje e madhe shkencore përkon edhe me 50-vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Konferenca regjistron edhe studiues nga Shqipëria, studiues arbëreshë të Italisë, studiues nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, studiues shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe punojnë në universitete e në qendra kërkimore. Gati gjysma e pjesëmarrësve janë shqiptarë ose me origjinë shqiptare, gjë që reflektohet edhe në temat që do të prezantojnë gjatë ditëve të konferencës.
I pyetur për rëndësinë e kësaj konference, akad. Shaban Sinani, sekretar shkencor i ASH, pas kongresit ndërkombëtar të studimeve albanologjike që u organizua vjet, konferenca e 50-të ndërkombëtare e studiuesve të baladës është një rast tjetër për paraqitjen e arritjeve dhe për ballafaqimin e tezave dhe shkollave të studimit. Konferenca do të përqendrohet posaçërisht në fushë të studimit të baladës dhe të këngës popullore dhe kjo është një mundësi për të paraqitur në një mjedis shkencor ekspertize ndërkombëtare, në mënyrën më të mirë të mundshme, rezultatet e kërkimeve të studiuesve shqiptarë të etnofolkloristikës. Na jepet rasti edhe që t’u krijojmë mundësi studiuesve të huaj të ndjekin nga afër një festival folklorik lokal, siç është “Divani Lunxhjot”, që do të shoqërojë këtë konferencë në ditët kur ajo do të zhvillojë punimet në Gjirokastër. Një grup i arbëreshëve të Kieutit do të mbajë një koncert në Qafën e Pazarit në ditën e katërt të konferencës, ndërsa në ditën e pestë e të fundit do të jetë grupi polifonik i qytetit që do të japë koncertin e mbylljes.
Akad. Vasil Tole, zëvendëskryetar i ASH, shprehet se edhe në agjendën e punës së Akademisë së Shkencave për vitin 2022 kësaj konference i është kushtuar një kujdes i veçantë, duke theksuar se ardhja e disa prej studiuesve më të njohur për arritje të tyre shkencore në fushën e baladës dhe të folklorit në rang botëror e nderon akademizmin shqiptar dhe krijon një klimë përafruese për çdo studiues vendës, duke qenë se rrallë ndodh t’u jepet mundësia të komunikojnë njëherësh me kaq shumë studiues të këtij niveli.
Në konferencë janë të pranishëm disa nga studiuesit më të rëndësishëm në nivel botëror, si prof. emeritus John D. Niles nga Universiteti i Kalifornisë, Berkli dhe i Viskonsinit, Madison; prof. emeritus Karl Reichl nga Universiteti i Bonit, dr. David Atkinson dhe dr. Thomas McKean nga Universiteti i Aberdinit, Instituti i Elfinstonit, së bashku me prof. Ian Rusell, dr. James Deutsch nga Qendra Smithsoniane e Uashingtonit etj.
Shumë studiues nga vendet skandinave do të jenë pjesë e konferencës, sikurse nuk do të mungojnë edhe studiues nga Afrika e Jugut dhe Ukraina. Katër studiuese ukrainase marrin pjesë në konferencë dhe ato pohojnë se kanë zgjedhur të vijnë këtu fizikisht dhe ta injorojnë gjendjen e nderë të luftës, duke vijuar punën studimore dhe kontaktet me kolegët ndërkombëtarë, pavarësisht situatës në vend.
Mbajtja e konferencës në Shqipëri përbën një rast të veçantë për sa i përket komunikimit profesonal në këtë fushë. Përmes kumtesave disa nga studiuesit vendas do të shpërfaqin disa anë të panjohura ose të pastudiuara më parë të baladave shqiptare, por njëherësh duke ndjekur punën e kolegëve ndërkombëtarë, do të ofrohet mundësia e bashkëpunimit dhe e nxitjes së studimeve krahasuese në të ardhmen.
Studiuesja e baladave dr. Olimbi Velaj, e cila është pjesë e KfV (Kommission für Volksdischtung) që prej 10 vjetësh, pohon se ardhja e studiuesve të këtij niveli në një vend si Shqipëria, që ishte jashtë hartës së studimeve dhe jashtë komunikimit ndërkombëtar për disa dekada, së fundmi do të rivendosë një komunikim normal midis profesionistësh, duke ofruar para kolegëve të huaj një mundësi të re. Ajo pohon se Shqipëria mbetet ende një vend folklori dhe trashëgimia kulturore e të cilit shumë pak janë eksploruar në mënyrë profesionale. Velaj e sheh këtë konferencë si një mundësi të madhe për të nxitur interesin e profesorëve të huaj ndaj folklorit dhe trashëgimisë shqiptare. Shumë prej profesorëve janë njerëz me peshë edhe në vendimmarrjen për trashëgiminë në vendet e tyre dhe në nivel global. Ajo shprehet se ndoshta pas kësaj konference do të rritet edhe interesi i studiuesve të rinj vendas për këtë fushë.
Ndërsa studiuesi dhe performuesi i baladave Thomas McKean, i cili drejtoi për disa vjet KfV-në është i njohur për publikun e Tiranës përmes një koncerti me balada skoceze e iralndeze së bashku me grupin Duncreagan, që u mbajt në Tiranë në fund të qershorit 2022. Ai u shpreh se ndjehet entuziast që më në fund një numër kaq i madh studiuesish po mblidhen në Shqipëri, në vendin e baladave dhe të eposit, në këtë rajon të njohur për trashëgiminë folklorike. McKean dhe banda e tij, në kuadër të parapërgatitjeve për nisjen e konferencës, performuan në Tiranë në Akademinë e Shkencave më 27 qershor, ku përfshinë në reportor edhe dy balada shqiptare. Pritja e publikut i la mbresa atij dhe anëtarëve të tjerë të grupit. Tani McKean rikthehet për herë të dytë në Shqipëri.
Ndërsa presidentja aktuale e KfV-së, prof. dr. Marjetka Golež-Kaučič (Akademia e Shkencave e Sllovenisë), shprehet se mbajtja e konferencës në këtë vend të Ballkanit dhe organizimi i saj i ndërthurur me festivalin lokal dhe koncertet folklorike përbën një sukses për organizatorët.
Shumë nga studiuesit e baladave vijnë për herë të parë në Shqipëri dhe në programin e konferencës është parashikur edhe një ditë ekskursion në Butrint, ku atyre do t’u prezantohet edhe një pjesë e pasurisë arkeologjike shqiptare. Ndërsa në emër të organizatorëve të festivalit “Divani Lunxhjot” Koço ***Vasili e Stefan Arseni shprehen se janë kujdesur që në repertorin e këtij viti të dominojë balada. Ata gjithashtu kanë organizuar një pritje tradicionale në shtëpitë karakteristike të fshatit Dhoksat, që është pjesë e 100 fshatrave turistikë të Shqipërisë. Nënkryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Engjëll Serjani, pohoi se qyteti ofron më shumë se cilido prej qyteteve shqiptare një shans për studiuesit e performuesit ndërkombëtarë. Serjani është njëri nga kontribuesit e spikatur në fushën e trashëgimisë dhe përveç të tjerave, ai njihet si njeriu i Antigonesë, sepse arriti ta bënte të vizitueshëm qytetin antik dhe ta fuste atë në hartën e turizmit kulturor.
Rektori i Universitetit të Gjirokastrës “Eqrem Çabej” prof. dr. Bektash Mema pohoi se në mjediset e universitetit studiuesit do të gjejnë të gjitha mundësitë e realizimit të një konference bashkëkohore, edhe nga pikëpamja teknike.
Komisioni Ndërkombëtar i Baladave është një organizatë profesionistësh me bazë në Universitetin e Aberdinit, që për gjysmë shekulli studion zhanrin e baladës dhe hedh dritë mbi çështjet teorike, analiza të formës, përmbajtjes, performancës, ngjashmërive, krahasimeve etj. Në punën e tij ky komision ka arritur të çojë përpara kërkimet në gjithë botën në lidhje me këtë zhanër dhe më tej dhe gjithashtu ka arritur të krijojë një bashkësi profesionistësh që ndërveprojnë më së miri duke mundësuar çuarjen përpara të rezultateve kërkimore në këtë fushë të trashëgimisë së kulturës botërore.
Organizimi në Tiranë e Gjirokastër
Konferenca organizohet nën kujdesin e posaçëm të Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, si dhe të akad. Shaban Sinanit, që më shumti ka kontribuar në studimin dhe interpretimin e baladave shqiptare dhe të eposit.
Komisioni organizator lokal ka në përbërjen e tij, profesorët: Nicola Scaldaferri, Francesco Altimari, Matteo Mandala, Vasil S. Tole, Shaban Sinani dhe dr. Olimbi Velaj. Ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe specialistët e ministrisë kanë konfirmuar mbështetjen, duke u kujdesur që paralel me konferencën të mbahet edhe festivali “Divani Lunxhjot” nga data 2-3 shtator 2022, që u jep mundësinë studiuesve të huaj të shohin nga afër performanca të këngëve e valleve të folklorit të Lunxhërisë, si pjesë e rëndësishme dhe përfaqësuese e folklorit shqiptar.
Hapja e konferencës do të jetë në Akademinë e Shkencave dhe në ditët e tjera seancat do të mbahen në Gjirokastër. Mbështetës i konferencës është Universiteti i Gjirokastrës “Eqrem Çabej”, në mjediset e të cilit për tri ditë do të mbahen sesionet paralele.
Akad. Skënder Gjinushi dhe Presidentja e KfV, prof. dr. Marjetka Golež-Kaučič do të mbajnë fjalën e hapjes. Më pas të ftuarit do të ndjekin një prezantim të shkurtër për kontributin e folkloristëve dhe baladistëve shqiptarë në kontekstin lokal, rajonal e ndërkombëtar - nga koordinatoret e Komisionit Ndërkombëtar të Baladave (KfV) në Shqipëri e Kosovë dr. Olimbi Velaj e prof. dr. Arbnora Dushi. Ceremonia e hapjes do të përfundojë me shfaqjen e dokumentarit Polifonia me iso dhe njëzërëshi (titruar në anglisht) realizim i Ilda Marës.
Çfarë pritet të arrijë konferenca
Konferenca ka në fokus marrëdhëniet komplekse ndërmjet rapsodit-krijuesit-performuesit dhe audiencës. Tema e zgjedhur mund të pasqyrojë në mënyrë direkt këtë marrëdhënie, ose të sjellë historinë e zhanrit, marrëdhëniet ndërmjet pasurisë gojore dhe asaj të dokumentuar, si dhe origjinës mesjetare të baladave dhe realitetit bashkëkohor.
Në trajtimet e studiuesve do të zbulohet se si këto marrëdhënie janë zhvilluar në dimensione të ndryshme: Cili është roli i audiencës? Cilat ndryshime rrjedhin nga vetë audienca? Si janë përcaktuar apo formuar rolet e këngëtarit/krijuesit dhe audiencës?
Si ndryshon kjo marrëdhënie në kohët moderne apo në kontekstin e zhvillimit teknologjik?
Pritet që disa nga studiuesit të zbulojnë se si baladat apo këngët e tjera popullore, si pjesë e folklorit të madh botëror, janë trajtuar në vendet ish-komuniste; veçanërisht gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të. Si ka ndikuar transformimi i tyre tek audienca? Si ka evoluar me kohën ky zhanër, procesi i krijimit dhe transmetimit të tij? Si trajtohet nga kultura e ditëve të sotme kjo trashëgimi? Në çfarë dimensionesh mund të konsiderojmë krijimtarinë e kohëve moderne dhe produktet e saj si pjesë e folklorit dhe traditës? Çfarë ka ndodhur me traditat e vjetra në këtë kontekst?
Kontributet e studiuesve do t’i analizojnë këto çështje nga disa perspektiva, si p.sh: kuptimi, performanca, komunikimi, funksioni, autoriteti dhe shumë të tjera. Kumtesat do të mbahen si gjithmonë në njërën nga tri gjuhët zyrtare të KfV (anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht).