Marrëveshje e bashkëpunimit e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëfinancimin e projektit madhor në albanologji “Enciklopedia Shqiptare”.
- Details
- Hits: 36
Kryeministri Rama: Projekti, zbatim i angazhimit që morëm së bashku në takimin e shtatorit në Prishtinë me të dyja akademitë, që nisi punën konkretisht me financim të dy qeverive për “Enciklopedinë shqiptare”
***
Kryeministri Edi Rama në takimin e dy qeverive sot në Prishtinë ka folur për marrëveshjen e bashkëpunimit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëfinancimin e projektit madhor në albanologji “Enciklopedia Shqiptare.”
Kryeministri tha që dua ta theksoj dhe kjo është rezultat i punës së përbashkët i këtyre dy qeverive; zbatimi i angazhimit që morëm së bashku në takimin e shtatorit në Prishtinë me të dyja akademitë që nisi punën konkretisht me financim të dy qeverive për “Enciklopedinë shqiptare”, projekti madhor albanologjik i shumëpritur, i shumëmunguar, që merr udhë si një vullnet i përbashkët i qeverisë së Kosovës dhe i qeverisë tonë.
Kryeministri Rama deklaroi edhe unifikimin e abetares.
Marrëveshja mes dy qeverive është bërë në funksion të realizimit të marrëveshjes së arritur ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës për hartimin e projektit madhor “Enciklopedia Shqiptare".
Ky projekt përfshin të gjitha proceset e hartimit të veprës, prej përgatitjes deri tek shtypshkrimi. Sipas marrëveshjes, janë të ftuara për bashkëpunim edhe institucione jopublike e studiues të pavarur në vendet e tyre dhe nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe bota arbëreshe.
"Enciklopedia Shqiptare" hartohet në 10 vëllime, me një numër mesatar prej 400 faqe për vëllim.
Projekti madhor "Enciklopedia Shqiptare" zbatohet brenda një periudhe 5-vjeçare, puna për të cilin ka filluar që prej datës 1 janar 2021.