Nënshkruhet Memorandumit i Mirëkuptimit ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë Austriake të Shkencave

Marrëveshja e bashkëpunimit

Nënshkruhet Memorandumit i Mirëkuptimit ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë Austriake të Shkencave

Konferencë jubilare në nderim të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit

10 nëntor 2022, ora 10.00, në "Tirana International Hotel"

Konferencë jubilare në nderim të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit

50-VJETORI I THEMELIMIT TË AKADEMISË SË SHKENCAVE TË SHQIPËRISË

1972 - 10 tetor - 2022

50-VJETORI I THEMELIMIT TË AKADEMISË SË SHKENCAVE TË SHQIPËRISË

Konferenca Ndërkombëtare e Trendeve në Nanoteknologji

2022 TNT nanoBalkan

Konferenca Ndërkombëtare e Trendeve në Nanoteknologji

Baladat dhe audienca në kohë dhe hapësirë, 1-5 shtator 2022

Akademia e Shkencave dhe Komisioni Ndërkombëtar i Baladave organizojnë Konferencën e 50-të Botërore të Baladave në Tiranë e Gjirokastër

Baladat dhe audienca në kohë dhe hapësirë, 1-5 shtator 2022

Fjala e akad. Skënder Gjinushit, Kryetar i Akademisë së Shkencave, në konferencën “Shteti i së drejtës në vështrimin e juristëve të diasporës”

***

 

 

E kemi mirëpritur angazhimin e Akademisë së Shkencave në organizimin e këtij aktiviteti serioz jo vetëm si shenjë përgjegjësie ndaj misionit të saj, si institucioni që duhet të krijojë urat midis intelektualeve shqiptarë, studiuesve e specialistëve brenda e jashtë vendit, por mbi të gjitha për vetë çështjet e temat që do të trajtohen, çështje të cilat janë ndër me të mprehtat në çdo vend që bazohet mbi një sistem demokratik, aq me tepër në një vend në tranzicion, që qysh prej 30 vitesh kërkon të vendosë e praktikojë vlerat e standardet më të mira të Europës.

 

Është e mirënjohur tashmë që rendi demokratik me shtetin e së drejtës janë sinonime. Shoqëritë demokratike mbështeten mbi dy shtylla kryesore: ekonominë e tregut dhe shtetin e së drejtës. E këto dy shtylla, shkalla e funksionimit të tyre, varen drejtpërdrejt nga cilësia e shtetit të së drejtës. Është pikërisht funksionimi sa më i mirë i shtetit ligjor që garanton garë të barabartë politike në zgjedhje e konkurrencë të ndershme në ekonomi. Janë deformimet e tij për shkak të interesave e përfitimeve të paligjshme të individëve të veçantë, subjekteve a forcave politike, që komprometojnë deri në deformim këto dy komponentë bazë.

 

Konferenca të tilla janë të nevojshme pikërisht për të evidentuar problemet në këto drejtime; për të sensibilizuar opinionin publik e institucionet kryesore; për të nxitur e unifikuar shtresat e kategoritë kryesore të mbrojtjes së shtetit të së drejtës, që janë opinioni publik, shoqëria civile, media, institucionet ligjzbatuese në fushën e së drejtës dhe vetë trupa e juristëve. Pozitive është që në këtë konferencë marrin pjesë juristë të diasporës, të cilët kanë disa avantazhe në kryerjen e këtij misioni: janë përfitues të një përvoje të drejtpërdrejtë mbi funksionimin e shtetit të së drejtës në vendet ku jetojnë; nuk janë të ndikuar nga politika e ditës në Shqipëri; njohin më mirë disa nga parimet e vlerat kryesore demokratike e misionin e çdo qytetari e kategorive të përmendura në respektimin e shtetit të së drejtës. Besoj të gjithë jemi dakord që ligji do të zbatohej shumë më mirë tek ne në rast se shteti i së drejtës do t’i ishte besuar juristëve më të aftë pa qenë nën ndikimin e presionin e politikave partiake dhe në se vetë juristët do të ishin më në dakordësi e mbështetje të njëri-tjetrit për çështjet thelbësore.

 

Është në detyrën tonë të përcjellim e forcojmë mesazhin se mbrojtësi i parë i shtetit ligjor është vetë qytetari. Për këtë duhet thyer mentaliteti se ligji është atribut vetëm i juristeve. Qytetari në demokraci duhet të njohë principet bazë të së drejtës, pasi vetëm kështu do të dijë të reagojë ndaj shkeljeve të tyre, qofshin këto të lidhura me zgjedhjet, me respektimin e të drejtave themelore të individit, deri tek privimi i jetës apo të karakterit ekonomik. Por, për t’u konsoliduar këto, duhet që vetë juristët të kenë të njëjtën përqasje ndaj normës e parimeve bazë. Sistemi ligjor është si sistemi rrugor. Ashtu si do të bllokohej trafiku në rastin kur vetë drejtuesit e mjeteve, përveç këshilltarëve të tyre ligjorë, nuk do të njihnin rregullat kryesore të trafikut, ashtu nuk mund të funksionojë si duhet edhe shteti ligjor pa ligje të kuptueshme e të njohura në frymë e në tërësi nga qytetari i zakonshëm.

 

Mjaft thelbësore është njohja e parimeve e të normave kryesore kushtetuese, si dhe mbrojtja e tyre nga trupa e pavarur e juristëve para opinionit publik. Interpretimi i normës kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese duhet të jetë një rast i jashtëzakonshëm e jo një praktikë e përvitshme, siç ka ndodhur shpesh tek ne. Në një shtet normal ligjor debati bëhet për zbatimin korrekt ose jo të ligjit në një rast të caktuar, pra, debati a gjykimi bëhet për respektimin e rregullit dhe jo se cili është rregulli a norma, aq më shumë ajo kushtetuese.

 

Vënia në diskutim e vetë rregullit a normës ligjore nga vetë juristët, madje duke bërë interpretime të ndryshme në periudha a pozicione të ndryshme, e komprometon rëndë shtetin e së drejtës dhe e fusin në kaos mendimin e reagimin e qytetarëve.

 

Në funksionimin e shtetit të së drejtës ka mjaft rëndësi ndarja midis pushteteve, veçanërisht midis pushtetit gjyqësor, atij ekzekutiv e legjislativit, si dhe balancimi e kontrolli midis tyre. Rol të parë këtu ka vetë kuadri ligjor, i cili - do s’do - hartohet e miratohet prej ekzekutivit e Kuvendit. Kushtetuta jonë është ndër të paktat që ka vënë një valvul sigurie për të evituar ligjet e njëanshme, duke kërkuar miratimin e ligjeve organike më shumicë të cilësuar prej tre të pestave të Kuvendit, por angazhimi në hartimin, amendimin apo rishikimin e tyre me këshillimin e ekspertëve të pavarur; konsultimi paraprak real me struktura të shoqërisë civile, do të ishin një garanci më shumë për cilësinë e standardin e tyre.

 

Zëri i të pavarurve duhet të jetë më i qartë, veçanërisht në përcaktimin e juridiksionit a të raportit të gjyqësorit me institucionet e tjera, siç është dhe rasti i debatit aktual mbi rolin e gjykatës në regjistrimin e noterizimin e akteve kryesore të partive. Deformimi më i rëndë i rendit demokratik është kur institucionet ndërhyjnë apo marrin kompetencat e tjetrit, i japin vetes fuqi që nuk ua jep ligji, si p.sh., kur qeveria i jep vetes një kompetencë qe s’e ka me vendim qeverie; komisionet e tokave veprojnë jashtë juridiksionit të tyre; komisionet e mbrojtjes së doktoraturave japin grada jashtë fushës së tyre. E këtu mendimi i pavarur i juristëve duhet të jetë më unik, më me kurajë e më publik në denoncimin ndaj tyre, për të nxitur e mbështetur reagimin, si të opinionit ashtu dhe të organeve ekzekutive. Togfjalëshi i përdorur shpesh në këto raste: drejtoju gjykatës - edhe prej vetë organeve eprore që kanë detyrimin e kompetencën e deklarimit të akteve absolutisht të pavlefshme, nuk është zgjidhja e duhur në shtetin e së drejtës. Garanti i shtetit të së drejtës është rregullimi i shkeljeve e së pari, nga vetë organet ekzekutive.

 

Pa dyshim një nga rregullat bazë të demokracisë ku juristët e pavarur duhet të japin kontributin e tyre e të dëgjohen me shumë janë rregullat për garantimin e zgjedhjeve të standardeve europiane. Në vend të kësaj tek ne vazhdon të dominojë praktika që reforma zgjedhore është ekskluzivitet i forcave kryesore politike, duke u përsëritur algoritmi rutinë “hyhet në zgjedhje me kod të përmirësuar”, konstatohen gjatë procesit zgjedhor një sërë mosrespektimesh e shkeljesh të kodit zgjedhor dhe palët që kanë dhe përgjegjësinë e devijimeve të gjetura ndaj kodit ulen të përmirësojnë kodin e jo veten?! Pranohet se nuk mungojnë ligjet e mira, por mbetet problem zbatimi i tyre; se sistemi zgjedhor duhet të jetë një zgjedhje konsensuale e politikës, por modeli që zbatohet e përshtatet në një vend, duhet patjetër të jetë zgjedhje më së pari e specialisteve. Po të ishin dëgjuar ata më shumë në përshtatjen e sistemit zgjedhor, arritja e standardeve zgjedhore do të ishte realizuar me kohë tek ne dhe zgjedhjet si në çdo demokraci do të shërbenin për zgjidhjen e krizave e jo si burim krize e debatesh politike.

 

Reforma në drejtësi ka hyrë në një fazë delikate të saj, në atë të provës së efektivitetit të saj. Një sistem gjyqësor i pavarur, kompetent e që respekton barazinë para ligjit në të gjithë përbërësit e saj, si në planin civil dhe në atë penal, është thelbi i shtetit të së drejtës. Për këtë qëllim është ndërmarrë edhe reforma në drejtësi. Kjo padyshim është reforma më delikate e më e thellë që ndërmerret tek ne. Vetë qëllimi kryesor i saj: lufta ndaj korrupsionit si brenda vetë gjyqësorit, edhe në radhët e politikës e më tej, e vendosi shoqërinë shqiptare para një sprove të madhe, pasi kërkohej nga ligjvënësit të kryenin një reformë që synon së pari hetimin e gjykimin e tyre dhe që gjyqtarët të pranonin të gjykoheshin sipas një procesi ekstra-kushtetues. Në këto kushte ajo do të dështonte pa mbështetjen morale të opinionit publik, pa kontributin e presionin e shoqërisë civile e sidomos të organizmave ndërkombëtare e të Komisionit të Venecias.

 

Një mesazh i rëndësishëm që duhet të përcjellim është që çdo vlerësim e mendim i juristëve të njohur si ju, vendës apo të huaj, i institucioneve apo i organizmave ndërkombëtare, thënë me kompetencë, duhet vlerësuar e jo kundërshtuar deri edhe me terma për cenim sovraniteti. Shqiptarët kanë mbështetur masivisht anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe, po me të njëjtin vullnet, mbështesin integrimin europian të Shqipërisë. Me këtë akt të tyre ata i kanë deleguar ekzekutivit dhe legjislativit plotësimin e respektimin e vlerave dhe standardeve europiane në fushën e së drejtës e kudo; anëtarësimin në këto organizma, duke deleguar një pjesë të sovranitetit. Kështu që, çdo kërkesë, kusht apo vendim i tyre se Shqipëria, institucionet a subjektet dhe qytetarë të saj, nuk respektojnë, nuk plotësojnë apo shkelin parimet e standardet e tyre, janë ndihmë që ato i japin institucioneve të vendit në plotësimin e mandatit të marrë nga populli, për të plotësuar kërkesat e kushtet e anëtarësimit. Ky është respektim i kësaj zgjedhje sovrane të popullit shqiptar dhe jo cenim i tij.